𝙈𝙞𝙢𝙤𝙯𝙖 𝘽𝙚𝙟𝙠𝙤𝙡𝙡𝙖𝙧𝙞 𝘿𝙖𝙠𝙤, themeluese e “Mësonjëtores së parë shqipe” në Greqi

📃 E lindur dhe rritur në Tiranë, menjëherë pasi kreu studimet në fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës, dega Gjuhë dhe Letërsi shqipe, Mimoza emigroi drejt Greqisë. Prej mëse 20 vitesh, Selaniku u bë qyteti i dytë për të, pas Tiranës. Studimet pasuniversitare i kreu në Fakultetin Pedagogjik të Universitetit “Aristotelio” të qytetit te Selanikut.

📅 Që prej vitit 1998, ajo mori pjesë aktive në organizimin e komunitetit shqiptar atje, duke qenë një ndër themeluesit e shoqatës “Shqiptarët e Selanikut” si dhe kryetare e saj për shumë vite.

📌 Mimoza Dako është nismëtarja dhe themeluesja e “Mësonjëtores së parë shqipe” në të gjithë Greqinë, e cila nisi rrugëtimin e saj më 7 Mars 2001 në qytetin e Selanikut, në Vatrën e Emigrantëve të këtij qyteti. Ky eveniment historik, u pasqyrua edhe nga media e asaj kohe, TVSH i kushtoi një dokumentar të posaçëm me titull “Rrënjët e identitetit”. Dako, është një ndër themelueset e Këshillit pedagogjik të mësuesëve shqiptarë në Greqi, i cili u bë dhe zanafilla e Lidhjes së Mësuesëve Shqiptarë në Greqi. Ajo përfaqësoi për herë të parë mësuesit emigrantë shqiptarë në Kongresin e mësuesëve grekë, nga ku dhe pati mbështetje të veçantë në mësimin plotësues të gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë.

💼 Mimoza ka një kontribut të veçantë edhe në organizimin e aktiviteteve të emigrantëve shqiptarë me karakter kulturor dhe atdhetar, ku vlen të përmenden dy konkurset letrare në vitet 2000-2001 të cilët u organizuan për herë të parë në historinë e emigracionit shqiptar në Greqi. Realizimi i këtyre konkurseve i hapi rrugën krijimit të klubit “Drita” në Athinë dhe Selanik. Znj. Dako ishte një nga nismëtarët si dhe nënkryetare e klubit “Drita”, në Selanik. Përvec mësimdhënies, Mimoza ka pasur passion edhe gazetarinë, ajo ka qenë drejtore e redaksisë së gazetës së parë shqiptare të botuar në Selanik, në shtëpinë botuese “Paratiritis” si dhe drejtuese e emisionit ne gjuhën shqipe “Larg atdheut” në Radio “Paratiritis”.

👉 Znj. Dako, ka marre pjesë në shumë tubime e takime me përfaqësues të lartë të shtetit grek dhe shqiptar, intervista dhe promovime të kulturës dhe traditës shqiptare, organizime festivalesh me karakter multikulturor, ku qëllimi kryesor ka qenë promovimi i vlerave pozitive të emigrantëve shqiptarë, fryma e miqësisë dhe e bashkëpunimit midis dy popujve, mbrojtja e të drejtave të emigrantëve shqiptarë në përgjithësi si dhe ka organizuar e drejtuar aktivitete kulturore për fëmijët si konkurs pikture, ekspozitë libri etj.

👉 Për vite me radhë Mimoza ka qenë këshilltare në “Zyrën për mbështetjen e emigrantëve në Institutin e Qendrës punëtore të Selanikut” si dhe të Konfederatës së sindikatave të punëtorëve grekë me seli qëndrore në Athinë.

➡️🥇 Për kontributin e saj, Mimoza është nderuar me titullin” Mësuese e dalluar” nga ministrat e arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës. Gjithashtu është vlerësuar dhe nga shumë shoqata të emigrantëve shqiptarë në Greqi, bashkëveprimtarë të saj, si dhe nga dekanati i Fakultetit pedagogjik të Universitetit “Aristotelio” në Selanik. Në Samitin e dytë të diasporas, është cilësuar si “Mësuesja e parë e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Greqi”. Është nderuar nga Ministria e Diasporës me titullin “Ambasadore e Kombit”, nga Presidenti i RSh-së me titullin “Për merita të veçanta civile” për arritjet e larta akademike, shoqërore dhe kulturore në Zvicër, për mbështetjen e vazhdueshme dhe mbrojtjen e interesave të bashkësisë shqiptare në diasporë. Po kështu është nderuar me “Mirënjohje”për kontributin e saj atdhetar nga Ambasada e RSh-së në Athinë dhe Bern, Zvicër, aty ku ajo jeton e punon familjarisht që prej vitit 2016.

✔️ Mimoza Dako vazhdon ta ushtrojë profesionin e mësueses së gjuhës shqipe edhe në në kuadër të Shkollës Shqipe-Zvicër, njëkohësisht dhe si zv. koordinatore e saj me mbështetjen e Ambasadës së Shqipërisë në Zvicër.