1.5 milionë vaksinime ndaj COVID-19 në Shqipëri

Statusi nga kryeministri Edi Rama në fejsbuk:

Knid Ndrenika

Në Shqipëri mbërriti në 1 milionë e 500 mijë numri i personave të vaksinuar kundër Koronavirusit.

Kryeministri Edi Rama e njoftoi këtë shifër në fejsbuk të shoqëruar me fotografitë e kompozuara personash dhe me stemën e fushatës së vaksinimit “Shqipëria buzëqesh” që ka filluar prej janarit 2021.

Zoti Rama përsëriti tri herë thirrjen për qytetaët “Vaksinohuni, vaksinohuni, vaksinohuni!” si dhe me tre hashtagë pasues: “#MbroniShëndetin
#VaksinatShpëtojnëJetë
#ShqipëriaBuzëqesh”.

Gjithsej Shqipëria ka marrë 1 milion e 950 doza vaksinash të kompanive “Pfizer”, “Astra Zeneca”, “Sputnik V” dhe “Sinovak”.

Ndërsa mbrëmjen e fundit mbërritën edhe 31,590 doza “Pfizer” në aeroportin e Rinasit, qeveria ka marrëveshje me të njejtën kompani për 500 mijë doza të tjera brenda 2021.

Për mësimdhënësit, studentët dhe personelin shëndetësor Shqipëria po shkon drejt vaksinimit të detyrueshëm.

Por, besohet që së shpejti të bëhet gjithashtu me detyrim vaksinimi për efektivët e policisë, administratën shtetërore, barnatoret dhe laborantët.

Në 24 orët e fundit Ministria e Shëndetësisë raportoi 3 viktima, 895 raste të reja dhe 519 të shëruar.

Qëkurse pandemia e Koronavirtusit u shfaq në Shqipëria në 8 dhe 9 mars 2020, jetën e kanë humbur 2508 qytetarë, raste pozitive janë 149,117, të shëruar 135,321 dhe të sëmurë aktivë 11,288 nga numri i përgjithshëm i testimeve 1,065,642.

Në Spitalin Infektiv në Tiranë janë të shtrirë 114 pacientë, nga të cilët 19 janë në gjendje më të rënduar, ndërkohë që po përgatitet të hapet edhe spitali “COVID 3”.

 

Comment

*