100 zjarrfikës nga Kosova nisen në dheun amë Shqipëri për shuarjen e zjarreve

Vazhdon lufta për shuarjen e flakëve në Shqipëri nga forca të shumta operacionale, ushtria, zjarrfikës, Emergjencat Civile dhe shërbimet vendore

Vatra e zjarrit në Majën e Rrunës, mbi tunelin e Kalimashit ka dalë jashtë kontrolli të hënën, ndërsa flakët po u ofrohen banesave në Shëmri të Kukësit.

Dhjetëra forca zjarrfikëse, janë duke punuar për shuarjen e flakëve ndërsa pritet që atje të ndërhyjnë edhe nga ajri, ndërsa autoritetet lokale kanë bërë edhe një plan evakuimi të banorëve.

Për shkak të kapaciteteve të vogla të Bashkisë së Kukësit, ata kanë kërkuar ndihmë në Kosovë ku drejt vendit tonë janë nisur 100 forca zjarrfikëse, ku 50 prej tyre do të pozicionohen në vendin e quajtur “Laku i thive” dhe 50 të tjera në Qafën e Kumbullës.

Në Jug të vendit, Parku Kombëtar i Llogarasë nuk është më i rrezikuar.

Forca të shumta të ushtrisë janë ngjitur në malin e Karaburunit i cili po digjet tashmë prej më shumë se 2 javësh.
Prej orëve të para të mëngjesit të së hënës ka rinisur operacioni edhe nga ajri.

Ndërkohë zjarret janë rishfaqur në Parkun Kombëtar të Tomorrit me një vatër në lartësinë 1500 metra mbi nivelin e detit.

Prej ditës së djeshme po punohet për shuarjen e zjarrit në masivin me pisha në fshatin Krushovë të Voskopojës në Korçë.

Sipas të dhënave paraprake janë rreth 110 hektarë që janë prekur nga flakët, ndërsa më shumë se 20 të tilla janë shkrumbuar tërësisht.

Edhe në Vithkuq është shfaqur një vatër e re zjarri mesditën e së hënës, ndërsa forcat zjarrfikëse kanë mbërritur në fshatin e thellë.

Pasditen e së dielës një vatër u shfaq në Gorisht të Selenicës e cila u vu nën kontroll gjatë natës, duke shmangur rrezikun për puset e naftës në zonë.

Në fshatin Thirrë në Fan të Mirditës zjarri nuk paraqet më rrezik për banesat, ndërsa po vijon puna për shuarjen e tij.

Zjarri në fshatin Munellë-Domgjon është izoluar në njërin krah, por po vijon puna në krahun tjetër, ku ende ka prani flakësh.

Situatë e vështirë prej së dielës paraqitet në fshatin Patalej të Mirditës, ku sot janë shtuar forcat operacionale.

Në Çorrush të Mallakastrës janë izoluar dy vatra, por puna vijon për izolimin e flakëve në tre të tjera aktive, të cilat janë në terren të vështirë.

Tre helikopterë të Ardhur nga Holanda dhe Çekia janë angazhuar për të vënë nën kontroll flakët që po djegin Shqipërinë.