121 afganët e parë u strehuan në hotele të Durrësit

121 shtetasit afganë mbërritën me avion në pistën ushtarake të aeroportit të Rinasit

Knid Ndrenika

Afganëve të larguar pas rikthimit të talebanëve iu garantua strehim 1-vjeçar, shërbim mjekësor, psikologjik dhe mbrojtje policore.

121 shtetas afganë u pritën në Qendrën e Përkohshme ngritur në Zonën Ushtarake falë bashkëpunimit të ushtrisë dhe Policisë në aeroportin e Rinasit.

Pas mbërritjes ata u kontrolluan dhe iu dha ndihma e parë për shërbimin mjekësor.

Të 121 afganët më pas u strehuan në rrjetin hotelerik të Durrësit dhe mbrohen nga policia.

Gjithashtu për ta janë vendosur edhe psikologë.

Avioni i nisur nga Kabuli me afganët përfshi gra dhe fëmijë, u ul në pistën ushtarake të aeroportit të Rinasit, në orën 3 e 20 të mëngjesit.

Qendra e Pritjes së Përkohshme u inspektua nga Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila kryeson Task-Forcën e krijuar me vendim të qeverisë për strehimin e afganëve të ikur pas rikthimit talebanëve në pushtet.

“Ditë shumë shumë intensive, me shumë punë, të vështira, shqetësim për fatin e qytetarëve afganë. Jam lehtësuar që më në fund avioni i parë arriti të ulet duke sjellë burra, gra dhe fëmijë. Kemi bërë gjithçka, që t’u ofrojmë kushte sa më të mira jetese gjatë qëndrimit të tyre këtu. Kemi marrë masa për gjithçka, përpunimin e dokumentacionit, regjistrimin, kontrollet dhe kujdesin shëndetësor, paketat higjienike, për ushqimin, për transportin, për sigurinë”-tha ministrja.

Dhënia e mbrojtjes së përkohshme ka afat 1-vjeçar.