19 anëtarë të Kongresit bëjnë thirrje për rritjen e angazhimit amerikan në Ballkanin Perëndimor

Uashington, 5 mars 2022 – 19 anëtarë të Kongresit amerikan thonë se tani, në kushtet e krijuara nga agresioni rus në Ukrainë, është më e rëndësishme se kurrë që administrata e Presidentit Joe Biden të rrisë angazhimin diplomatik në Ballkanin Perëndimor.

Ligjvënësit amerikanë nga të dyja partitë, në një letër dërguar Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken, thonë se Shtetet e Bashkuara duhet të dyfishojnë përpjekjet për konsolidimin e demokracisë dhe për nxitjen e integrimit euro-atlantik të rajonit.

“Integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në komunitetin transatlantik duhet të jetë përparësi për Shtetet e Bashkuara ndërsa ne përpiqemi të konsolidojnë aleancat tona në gjithë Evropën dhe i kundërvihemi përhapjes dhe ndikimit të regjimeve autokratike, përfshirë atyre të Rusisë dhe Kinës”, thuhet në letër.

Në letër anëtarët e Kongresit thonë se përpjekjet amerikane duhet të përqendrohen tek rritja e investimeve dhe integrimi i rajonit, angazhimi për integrim të shpejtë në BE, nxitja a dialogut Kosovë-Serbi, zbutja e tensioneve në Bosnje dhe ndihma për demokracinë.

Ndërkohë një nga nënshkruesit e letrës, ligjvënësi nga Nju Jorku Ritchie Torres, ka kërkuar që NATO-ja të anëtarësojë Kosovën në aleancës. Në një postim në Twitter ai shkruan se “Shtetet e Bashkuara “nuk kanë aleat më të madh se Kosovën në Evropën Juglindore “.

(Zëri i Amerikës)