20 vitet e një shoqate shkrimtarësh

Adnan Mehmeti, Presidenti i Shoqatës

Nju Jork, 12 dhjetor 2021

(Fjala e plotë në Nju Jork, në 20 vjetorin e themelimit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë)

Ceremonia e kësaj dite jubilare të 20-vjetorit të Shoqatës tonë, më bën që të jem në udhëkryqin më të bukur të jetës sime në tërë këto vite në drejtimin e saj. Ditëlindjet e shteteve, të shoqatave, të njerzve janë përherë të bukura në emocionin që përcjellin dhe në atë që presin në të ardhmen. Mund ta quaja këtë takim me një emërtim mjaft simbolik “Festa e Fjalës Shqipe në Amerikë”.

Shumë nga ne kujtojnë ditët e para në rrugën e jetës si emigrantë. Bashkë me emocionin, kemi patur dhe pikëpyetjen se si do ta vazhdonim krijimtarinë letrare në Amerikë. 

Përtej lëvizjes së një vendbanimi në një valixhe udhëtimi, kemi marrë kujtime, relike të familjes, mbase një flamur kuq e zi, pengje, fotografi të viteve të kaluara disa libra të botuara në vendin amë. Ishte dëshira që të vazhdonim krijimin dhe në këtë vend të begatë.

Në të gjithë kombet shkrimtarët janë urat më të fuqishme. Janë ata që sjellin mesazhe bashkëjetese dhe emocione që do jetojnë në breza.

Vite më parë një grup shkrimtarësh bënë një akt mjaft të rëndësishëm që edhe sot e meriton falenderimin më të madh. Para 20 viteve, më 9 dhjetor 2001 u mblodhën dhe menduan që të ngrejnë shoqatën. Mund të ishte ajo ditë, një aktivitet për promovimin e një libri me poezi, me tregime, ndonjë roman. Jo, ishte takimi më i bukur që ata po bënin. Sot kujtojmë themeluesin Gjekë Marinaj që do të ketë mirënjohjen e brezave shkrimtarë e të atyre që do të futen në këtë shoqatë. Nëse nuk do të ishte kjo lidhje, secili prej nesh do shkruante, do botonte, në mënyrë vetanake. Me kulturë dhe pasion, secili prej nesh me mjaft dëshirë pranuam të bashkëpunojmë me njëri tjetrin.

Me një traditë të pasur të fjalës shqipe e të botimeve në Amerikë prej Fan Nolit, Faik Konicës, Bilal Xhaferrit, Arshi Pipës, Isuf Luzaj, Peter Prifti,etj., u bë më frymëzuese e më aktive, po deri atëherë nuk kishte një lidhje të tillë. Ja çfarë thotë, profesor Sami Repishti, Anëtar Nderi: “Formimi i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë ka mbushë nji boshllëk të madh që na, të breznisë ma të vjetër e kemi ndije shumë e nuk kemi pasë mundësi me e përmbushë”.

Që në hapat e parë Shoqata duhet të fitonte mbi disa sfida.

Së pari të bëhej njohja e saj e të ftoheshin shkrimtarët që jetonin dhe ata që vinin në këtë vend. E me kënaqësi themi se kjo është bërë mjaft mirë. Çdo krijues që vjen në Amerikë ka gjetur tek kjo Shoqatë strehën e duhur.

Gjeografia mjaft e gjërë e bënte pak të vështirë organizimin, po kjo u kapërcye dhe vazhdon të jetë një sfidë e fituar edhe nga ata që morën drejtimin e saj në vitet që erdhën.

20 vite Shoqatë

Adnan Mehmeti, në 20-vjetorin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë. (Fotografi nga Beqir Sina)

Për një 20-vjeçar jeta është si një këngë. Si një buqetë me tinguj. Një portë ku njeriu sheh të ardhmen me mjaft optimizëm. E Shoqatën tonë e gjen ky përvjetor me më shumë se 100 anëtarë, me botime të shumta që shtohen nga dita në ditë.

E gjen me revistën “Pena” që është bërë mjaft e dashur për lexuesit dhe është profesionale në përzgjedhjen e materialeve.

E gjen me Shtëpinë Botuese “Adriatic Press” ku ata mund të botojnë veprat e tyre, që mjaft prej tyre janë përkthyer dhe botuar edhe në anglisht, e kjo ka bërë që të bëhet më e fortë ura e bashkëpunimit kulturor mes dy kombeve tanë. Disa libra të anëtarëve sot i gjen në Librarinë e Kongresit Amerikan.

 Në këto 20 vite janë organizuar sa e sa promovime librash, konferenca shkencore, audiencë me shkrimtarë, panaire librash, konkurse letrare, janë dhënë çmime letrare, janë bërë hartime të antologjive, botime dhe promovime të revistës PENA. Janë bërë herë pas here pranime të reja. Mes këtyre veprimtarive do të shtonim edhe përpjekjet për një bibliotekë të anëtarëve të saj.

Shoqata ka ecur shumë Me nostalgji kujtohen vështirësitë e atyre viteve. Disa janë thinjur. Disa prej autorëve kanë ndërruar jetë duke na lënë pas, një gjë kaq të vyer. Po misioni i bashkimit të njerëzve në flamurin e shkronjëshqipes ishte dhe mbetet mjaft fisnik.

Sot në këtë përvjetor ne bëjmë homazh për ata shkrimtarë që janë ndarë nga jeta: Luigj Çekaj (2021), Agron Fico (2020), Dedë Elezaj (2018), Betim Muço (2015) Selahedin Velaj (2015), Rozi Theohari (2014), Marash Mali (2014), Valtër Lazëri (2012), Peter Prifti (2010), Andon Kote (2004) dhe Sotir Andoni (2003).

Në këtë festë botohet në dy vëllime, libri monografik “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë” (2001-2011) dhe (2012-2021) si dhe “Autorë dhe vepra”.

Shtëpia botuese Mundus Artium Press pranë Universitetit të Teksasit në Dallas, botoi antologjinë poetike me krijues shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në SHBA, me titull “ROZAFA’S MILK” (Qumështi i Rozafës). Antologjia poetike u përgatit nga profesoresha e letërsisë amerikane, Diane Durant, e cila librin e shoqëron edhe me një parathënie, ku janë përfshirë 19 poetë, anëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë.

Për herë të parë në historinë e letërsisë shqipe që krijohet në SHBA vjen interesimi nga ana e botuesve amerikanë.

Vlerësimi që i bën shaqatës dhe gjuhës shqipe nga shkrimtarja dhe profesoresha Carrie Hooper e tregon qartë këtë respekt. Ajo është Anëtare Nderi dhe flet e shkruan shqip. Ne kemi përgatitur dhe botuar librin e saj shqip-anglisht dhe jemi me fat që e kemi në mesin tonë. Fjalët e saj sikur na ngrohin e na sjellin dhe mirënjohjen e popullit amerikan për detyrën tonë fisnike.

“O gjuha shqipe, muzika e fjalëve të tua e kënaq shpirtin tim! T’i flas fjalët e tua shprehëse gëzon zemrën time. T’i dëgjoj fjalët e tua mbush qenien time me gëzim! Përmes teje jam njohur me një popull të fortë, trim, e guximtar, i cili e ka mbijetuar shtypjen e sunduesve të huaj dhe djallëzinë e diktaturës. Tingullofsh, o gjuhë e dashur në popullin tënd kudo që të ndodhet. Rrofsh përgjithmonë e bukura gjuhë shqipe!

Mes nesh kemi dhe shkrimtarin disident Visar Zhiti. Ky shkrimtar u dënua sepse e donte fjalën e lirë. Është fryma e rezistencës dhe modeli i përkushtimit të fjalës artistike. Shoqata jonë e ka nderuar me titullin Anëtar Nderi.

Sot më shumë se nostalgjia e dy dekadave, sytë tanë janë nga e ardhmja. Është një moment historik dhe i mirëpritur, që të mbledhim rreth nesh edhe krjuesit nga Kanadaja dhe Meksika. Mbase ka ardhur koha që të realizojmë një  bashkim të ri. Përtej organizmit tonë të jetë dhe misioni i përhapjes së shkronjës shqipe.

Ne u lidhëm me të vetmin shkrimtar që jeton në Meksiko City prof Xhevdet Bajra. Na u bashkuan në këtë nisëm edhe shkrimtarët nga Kanadaja, që për fat të mirë janë emra të njohur.

Në një kohë të afërt do ju njohim dhe me hapat organizativë që do të ndjekim për të realizuar këtë bashkim.

Mes nesh, me shumë fat, po na vijnë edhe emra të rinj, ata që do të vazhdojnë këtë traditë. Mirë se vjen Elida Rusta, Astrit Lulushi, Fjorela Forde, Ibadete Humolli-Tetaj, Arjana Fethu-Gaba, Monda Hamitaj, Prend Ndoja, Merita Prenga, Engjell Zerdelia dhe Hamit Alaj.

 Kaluan 20 vite. Shumë herë vitet nuk maten me ato fletë kalendari që ne i heqim sa herë mbyllet muaji apo viti. Rrugëtim të lavdishëm në vitet që vijnë kësaj Shoqate që mban të ndezur pishtarin e shkronjës shqipe duke frymëzuar mjaft breza me veprat e tyre! Përvjetorët e ditëlindjeve kanë përherë urimet, kujtimet nostalgjike e, pa dyshim edhe ambicjen e së nesërmes.

Dua të falenderoj themeluesin dhe ish presidentin e Shoqatës, Gjekë Marinaj, për punën e palodhur për këto 20 vjet, arkitektin, themeluesin dhe pedagogun e sukseshëm, i njohur në të gjitha kontinentet, por gjithmonë me ne.

Dua të falenderoj kryetarin aktual të Shoqatës, mikun tim, Mëhill Velaj, për punën e palodhur për këto 20 vjet. Edhe ky organizim i sotëm ishte me shumë sfida, por, Mëhill Velaj, gjithmonë ishte në ballë. 

-Dua të falenderoj ish-kryetarët e Shoqatës gjatë viteve: Naum Prifti, Ramiz Gjini, Dalan Luzaj dhe Raimonda Moisiu. Në Shoqatën tonë është punuar e punohet me baza vullnetare e të gjithë miqtë e mi të dashur janë ata që e kanë shkruar këtë histori.

-Dua të falenderoj nënkryetarët e Shoqatës Yllka Filipi, Vlashi Fili, Iliriana Sulkuqi, Pal Ndrecaj e Mëhill Velaj, siç dua të falenderoj anëtarët e kryesisë gjatë viteve. Dua të falenderoj secilin anëtarë të Shoqatës, veç e veç.

Me vite kam përgatitur biografitë dhe bibliografitë e anëtarëve. Secilin prej jush ju njoh dhe ju kam studiuar me përkushtim. Secili nga ju është histori e sukseshme në vete. Dëshira ime është të botojmë eksluzivisht kolanën e letërsisë shqipe në Amerikë. Dhe unë besoj se bashkërisht do ta bëjmë.  

Dua të falenderoj me përkulje të gjithë gazetarët, kritikët, përkthyesit, diplomatët, donatorët, shoqatat, organizatat, klubet,  lexuesit dhe ata që na mbështetën gjatë këtyre vite. Unë në emrin tuaj doja të përshëndesja edhe të gjithë ata shkrimtarë që për arsye të ndryshme nuk marrin pjesë sot në këtë festë.

– Dua të falenderoj nga zemra Mark Gjonaj dhe stafin e  mrekullueshëm, me theks të veçantë Vera Mjeku që na mundësuan ta organizojmë këtë takim në qendrën shqiptare ILLYRIA dhe skenografin Andis Gjooni..

 SOT KEMI FESTË, NJË FESTË QË E GËZOFSHIM DHE NË DEKADAT QË VIJNË.

Mirë u takofshin në përvjetorë të tjerë të Shoqatës sonë.

Mbetem gjithmonë në shërbimin Tuaj. 

Comment

*