“21 janari”, SHBA e OSBE kërkojnë drejtësi

HomazheTIRANE- Vetëm tri ditë para përvjetorit të dytë të ngjarjeve të 21 janarit, në rradhë, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth i kanë shprehur ngushëllimet familjarëve të viktimave të 21 janarit, duke bërë thirrje për drejtësi.
Nëpërmjet një deklarate shpërndarë për mediat, ambasada e SHBA-ve nënvizon se tani më shumë se kurrë ka nevojë për shpjegim të plotë të ngjarjeve të 21 janarit, nëpërmjet një procesi të besueshëm gjyqësor, të lirë prej ndërhyrjeve politike.
Ndërkohë, nga Vjen, ku po merr pjesë në mbledhjen vjetore të kryetarëve të misioneve, Eugen Wollfarth përsëriti thirrjen e tij për drejtësi, bazuar në një hetim të lirë, të pandikuar nga politika dhe një proces gjyqësor të besueshëm e të shpejtë

Deklarata e plotë e ambasadës amerikane

Në përvjetorin e dytë të ngjarjeve tragjike të 21 janarit 2011, Ambasada e Shteteve të Bashkuara iu shpreh përsëri ngushëllimet e saj familjarëve të atyre që u vranë dhe lënduan.
Të gjithë ishin viktima të dhunës së pakuptimtë e të pafalshme. Tani më shumë se kurrë, ka nevojë për shpjegim të plotë të ngjarjeve të 21 janarit nëpërmjet një procesi të besueshëm gjyqësor, të lirë prej ndërhyrjeve politike. Në këtë ditë përkujtimi paqësor, iu bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë dhe institucioneve të qeverisë që të punojnë pa pushim për të frymëzuar popullin shqiptar që të besojnë në demokracinë e tyre duke forcuar sundimin e ligjit.