21 vjet pas luftës së vitit 2001: “Albanski terroristi” midis kazerme!

Me dy ish-ministra shqiptarë të Mbrojtjes, me zëvendësministër, me ARM pjesë të NATO-s dhe me një pushtet të ndarë, shqiptarët vazhdojnë të jenë “terroristë” për Njësitet elitare të ushtrisë së Maqedonisë. Midis kazermës “Ilinden” në Shkup ka një gur-përkujtimor në të cilët mund të lexohet “albanski terroristi”. Rrafsh 21 vjet pas luftës së 2001-shit

Vedat MEMEDALIU

SHKUP

Njëzetenjë vjet pas përfundimit të konfliktit të vitit 2001, shqiptarët e Maqedonisë vazhdojnë të quhen “terroristë”. Dhe kjo jo vetëm nga popullata maqedonase, por edhe nga institucionet e shtetit. Së fundmi, një pjesë e Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, edhe brenda në kazermën “Ilinden” në Shkup, shqiptarët i quan “terroristë”. Bëhet fjalë për një gur-përkujtimor që kujton rënien e katër ushtarëve maqedonas në luftimet e vitit 2001 në fshatin Vicë të Tetovës, midis forcave të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcave të armatës dhe policisë së Maqedonisë. Edhe pse Maqedonia tashmë është pjesë e NATO-s dhe UÇK pjesë e historisë së Maqedonisë, mbishkrimet “albanski terroristi” akoma përdoren nga disa Njësite elitare të ushtrisë, shkruan gazeta KOHA.Advertisements

“Qytetarë nga populli. Heronj, të drejtë dhe mbrojtës të ndershëm të Maqedonisë. Të rënë në luftën kundër shqiptarëve terroristë më 28.04.2001 në rajonin e fshatit Vicë”, kështu shkruhet në gurin-përkujtimor në kazermën e Shkupit të vendosur nga Njësiti Special “Ujqit” për katër të rënët maqedonas: Robert Petkovski, Mile Janevski, Bobab Trajkovski dhe Igor Kosteski. Mbishkrimi “albanski terroristi” nuk e ka penguar as ministren aktuale të Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, e cila muaj më parë, u përkul para gurit-përkujtimor në kazermën “Ilinden” për të kujtuar katër të rënët – pjesëtarë të Njësitit “Ujqit”. Para gurit-përkujtimor “albanski terroristi” nderime bëri edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjenerallejtënant Vasko Gjurçinovski, delegacione nga Batalioni i Forcave Speciale, komandat tjera të njësive të Armatës, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Mbishkrimi “albanski terroristi” nuk e ka penguar as ministren aktuale të Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, e cila muaj më parë, u përkul para gurit-përkujtimor në kazermën “Ilinden” për të kujtuar katër të rënët – pjesëtarë të Njësitit “Ujqit”

“Në mes të kazermës ‘Ilinden’ ke mbishkrime në gurë-përkujtimor ku shqiptarët quhen ‘terroristë’! Kemi pas dy ministra shqiptarë të Mbrojtjes, kemi zëvendësministra e gjeneralë madje, por mentaliteti fyes dhe diskriminues i Njësiteve elitare speciale nuk ndryshon kurrsesi. Kjo është edhe arsyeja pse ka interesim të vogël të shqiptarëve për t’iu bashkangjit këtyre Njësive”, thonë për gazetën KOHA ata pak punonjës shqiptarë në Mbrojtje dhe ARM.  Në Njësitin “Ujqit” shqiptarët numërohen me gishtat e një dore madje, ndërsa as që bëhet fjalë për udhëheqës komande. Situatë e ngjashme është edhe në Njësitin “Skorpionët”, ku shqiptarët e kanë të vështirë të zënë vend. As 1 për qind nuk është përfaqësimi i shqiptarëve te “Skorpionët”. Edhe Njësiti tjetër special “Renxherët” është i mbyllur për shqiptarët – dy tre gjithsej nga qindra maqedonas. Madje, edhe të dhënat zyrtare për përfaqësimin mbahen diskrete, raporton gazeta KOHA.

Zyrtarët shqiptarë në Ministrinë e Mbrojtjes në vazhdimësi janë arsyetuar se, përfaqësimi i drejtë në ARM nuk varet nga ata, por nga Gjeneral Shtabi i Armatës, i cili gjithashtu vazhdon të jetë i mbyllur për shqiptarët. Në Ministri, gjërat kanë lëvizur në drejtim të mirë dhe tashmë shqiptarët zënë vendin e merituar në shumë sektorë, por ngecje të madhe ka në ushtri. Veç ARM-së, përfaqësim i dobët i shqiptarëve haset edhe në njësitet elitare të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Përkundër vullnetit të mirë të Ministrisë, megjithatë në Njësitin “Tigrat” shqiptarët numërohen në gishta. Në konkursin e fundit, të këtij viti, ka interesim nga shqiptarët për të qenë pjesë e këtij njësiti, por rezultate konkrete akoma nuk ka. Pak më mirë situata është te Njësiti për Intervenime të Shpejta, megjithëse komandoja udhëheqëse është etnikisht e pastër – që të gjithë maqedonas.

Ndryshe, më 1 mars 1994, në Armatën e Republikës së Maqedonisë u themelua Njësia për qëllime të veçanta (Detashmenti i 6-të) me emrin “Ujqërit”. Në vitin 1998 u krijua formacioni i parë ekipor i kësaj njësie dhe njësia u quajt Njësia për Qëllime Speciale. Në vitin 2001 njësia u bë Detashment, ndërkohë në vitin 2003 njësia u ristrukturua në një Batalion për Qëllime Speciale me po të njëjtin emër “Ujqërit”. Në 1994 u themeluan edhe Njësitet “Skorpionët” dhe “Renxherët”, ndërsa përkundër premtimeve, të tre këto njësi të ARM-së vazhdojnë të jenë të njëetnike. (koha.mk)

Ribotuar fillimisht këtu: https://www.koha.mk/21-vjet-pas-luftes-se-vitit-2001-albanski-terroristi-midis-kazerme-foto

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.