25 vjet pa Shën Nënë Terezën: Seminar në New York kushtuar bijës së madhe të kombit shqiptar

Mes ligjëruesve, i ftuar nga Kosova, Don Lush Gjergji prezanton librin e tij më të fundit kushtuar shenjtores shqiptare, botuar në anglisht me bashkëpunim të revistës “Drita” në Prishtinë dhe gazetës “Illyria”, në New York

Shkrimi nga Ruben Avxhiu

Fotografitë nga Beqir Sina

Gati një çerek-shekulli ka kaluar që kur Shën Nënë Tereza nuk jeton më mes nesh, por kujtimi i saj dhe trashëgimia morale, mbeten më të gjalla se kurrë edhe mes shqiptarëve të Shteteve të Bashkuara.

Një seminar për figurën e saj organizua në 3 maj 2020, nga Federata PanShqiptare, Vatra, gazeta shqipgtaro-amerikane “Illyria” si dhe Qendra “Nënë Tereza” e Kishës Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale, New York.

I ftuari i nderit në këtë seminar ishte kleriku i njohur nga Kosova, studiuesi dhe biografi i Shën Nënë Terezës, Don Lush Gjergji që ndodhet në SHBA për të prezantuar librin e tij më të fundit kushtuar shenjtores shqiptare. Don Lush Gjergji ishte fillimisht në Michigan, që aty udhëtoi për në New York e pastaj në kryeqytetin amerikan në Washington DC.

Seminarin e hapi dhe e drejtoi me profesionalizmin që e karakterizon Dr. Pashko Camaj. Ai ishte edhe njeriu i duhur duke qenë njëkohësisht anëtar i Këshillit të Kishës, i Fedetarës Vatra dhe bashkëpunëtor e kontribues i gazetës “Illyria”, tre forcat motivuese të këtij seminari.

Ai foli për rëndësinë simbolike të Shën Terezës për kombin shqiptar dhe ndonëse kishte shumë për të thënë për shenjtoren shqiptare tha me modesti se do t’ua linte panelistëve të seminarit që ta shpalosnin më mirë figurën e saj.

Përpara se të fillonin ata, Dr. Pashko Camaj ia dha fjalën famullitarit të Kishës Zoja e Shkodrës, që për gati tre dekada udhëheq këtë kishë e komunitet të rëndësishëm të shqiptarëve të Amerikës, Dom Peter Popaj.

Dom Pjetër Popaj

Bashkë me Nënë Terezën, Zoti u kthye në Shqipëri

Dom Popaj theksoi që në fillim se vetë qendra ku po mbahej ky seminar mbantë pikërisht emrin e Shën Nënë Terezës.

“Falenderim bashkorganizatorëve: Federatës Pan-Shqiptare Vatra me në krye Elmi Berishën dhe gazetës shqiptare Illyria me në krye Vehbi Bajramin”, tha famullitari i njohur duke shtuar se ishte “nder e kënaqësi që sonte kemi ligjëruesin e shquar, nga Kosova Dr. Don Lush Gjergji”, dhe vlerësoi lart ligjëruesit e tjerë.

Dom Popaj vuri në dukje se nuk ka shqiptar nga mosha 50 vjeç e lart që nuk i mban mend vizitat e saj.

Me këtë rast solli edhe një kujtim të bukur personal. Kur sapo ishte shuguruar meshtar, në 1985 dhe bashkë me Dom Rrok Mirditën shkojnë për ta intervistuar Nënë Terezën, për programin e radios “Zani Katolik Shqiptar”.

“Dom Rroku i tha, Nënë Terezë, e kemi një meshtar të ri që sapo është shuguruar”. Me ta dëgjuar Shën Nënë Tereza u ul në gjunjë dhe e luti Dom Popajn që t’i jepte bekimin si meshtar i ri. “Mua më dridheshin duart”, tregoi ai duke thënë se më dukej se po më bekonte ajo mua dhe jo unë atë. “M’i ka puthur duart, porn ga ana e shuplakave që ishin me vojin e shugurimit”, tregoi Dom Popaj për modestinë dhe besimin e thellë të kësaj gruaje të madhe.

“E pyetëm a flet shqip –kurrë se harroj. Me e folë jo shumë, tha, por mundem me e shkrue. Se ashtu e ka ruajtur duke komunikuar me nënën e saj dhe motrën Drane. Një uratë e kam që e them gjithmonë shqip dhe në asnjë gjuhë tjetër– puna e pendimit”. Kështu Shën Nënë Tereza u tha uratën ndërsa ata e regjistronin e pastaj e transmetuan në radio.

Ai foli për ndikimin e madh të saj në botë. Ai e lidhi rënien e komunizmit me vizitën e Nënë Terezës në Shqipëri. Si kishte thënë një klerik i njohur, Nënë Tereza çoi kungimin e shenjtë në Shqipëri. Bashkë me të u thye edhe Zoti.

Dom Peter Popaj tha se vdekja e Nënë Terezës e ka botën jetime dhe ajo nuk ka qenë kurrë më njësoj. Sepse e ka jetuar jetën jo si jetën e një njeriu, por si jetë në shërbim të diçkaje shumë më të lartë e më të madhe.

Don Lush Gjergji paraqet librin e tij të 17 kushtuar Shën Nënë Terezës, “E kam në zemër popullin tem shqiptar (Bisedime me Shën Nënë Terezën)”, në gjuhën angleze

“Nuk dua ta mbaj për vete por dua ta ndaj me bashkatdhetarët e mi”

Më tej Dr. Camaj i prezantoi me radhë ligjëruesit përpara se të merrnin fjalën. E nisi nga biografi më  i shquar i Shën Nënë Terezës, shqiptari që e ka takuar më shpesh e që ka folur më gjatë me të, autori i një serie të gjatë librash kushtuar murgeshës së famshme, kleriku i shquar nga Kosova, Don Lush Gjergji.

Përpara se të fillonte kumtesën e tij, Don Lush Gjergji i prezantoi pjesëmarrësit me librin e tij të 17 kushtuar Shën Nënë Terezës, vëllimin në gjuhën angleze me titull: “E kam në zemër popullin tem shqiptar (Bisedime me Shën Nënë Terezën)”.

Don Lush Gjergji tha se libri përfshin shtatë intervista ekskluzive, si dhe përshkruhen pesë vizita të Nënë Terezës në Kosovë dhe Maqedoni. “Gjithshka që kam parë me sytë e mi, që kam dëgjuar me vëshët e mi dhe që kam ndjerë me zemrën time, nuk dua ta mbaj për vete por dua ta ndaj me bashkatdhetarët e mi. Pastaj e kanë botuar italianët katër herë”, tha ai.

Por libri që po mbaj në dorë”, tha Don Lush Gjergji “është i pari që botohet në anglisht. Në anglisht po del nga gazeta Illyria dhe revista Drita. Kjo kopje është nga botimi që ka dalë në Prishtinë, nga Drita”. Ai pastaj ia dhuroi librin “mikut dhe vëllait” Dom Pjetër Popajt, mes duartrokitjeve të shumta.

Dom Pjetri i ftoi të gjithë pjesëmarrësit që ta blejnë atë libër e të mësojnë për lidhjen e jashtëzakonshme të saj me shqiptarët.

Ligjërata e Don Lush Gjergjit i kushtoi një shenjti tjetër të lidhur me historinë tonë. Shën Jeronimi, ilir, përkthyes i biblës dhe figurë e shquar e historisë. Ai ka botuar një libër për Shën Jeronimin me rastin e 1600 vjetorit të vdekjes së tij. Ky përvjetor është kujtuar e nderuar në mbarë botën, por jo në dy shtetet tona shqiptare që nuk bënë asgjë e humbën një rast të mirë.

Shën Jeronimi ia dha botës biblën, sepse ai e përktheu për herë të parë nga gjuha greke dhe hebreje, duke bërë që të përhapet në gjithë botën.

 Ai e paraqiti Shën Jeronimin si paraardhësi i drejtpërdrejtë i Nënë Terezës, ashtu si jemi ne pasardhës të ilirëve. Lashtësia e kombit tonë nderohet duke i kujtuar e mësuar figura të tilla. Don Lush Gjergji edhe për Skënderbeun, statuja e të cilit po vendosej në kompleksin e Kishës Zoja e Shkodrës, se e quante vetën “Mbret të Arbërit” dhe jo të “Shqipërisë”. Ai këshilloi që të mos i injoronin e harronin këto hallka të historisë që na lidhin me rrënjët tona të lashta.

Don Lush Gjergji foli për Shën Jeronimin si një ndër kolosët e mëdhenj fetar, shpirtëror, kulturor, biblik, patristik, që e pranojnë dhe nderojnë jo vetëm të gjithë të krishterët, por mbarë njerëzimi, si  shenjt dhe dijetar të madh,  një ndër doktorët dhe etërit e Kishës më të spikatur të kohës së tij, “egregius doctor Ecclesiae”  – doktor i shkëlqyeshëm i Kishës, së bashku me Shën Ambrozin (330-297) dhe Shën Augustinin (354-430). “Njeri i dijes dhe kulturës, por edhe i studimit, uratës, pendesës, jetës së rreptë asketike, duke luftuar kundër mëkatit, veseve, epsheve, pothuaj gjithnjë në kërkim të përsosmërisë dhe shenjtërisë”.

Ashtu si dikur Shën Nënë Tereza e quajti veten si një lap i vogël në duart e Zotit, edhe Shën Jeronimi e ka quajtur veten si një “vegël të Zotit”, që shërbeu “për t’ia dhënë mbarë njerëzimit Biblën, nëpërmjet ‘Vulgatës;, përthimit të shkëlqyeshëm në gjuhën latine, me shekuj si burim jete dhe frymëzimi për fe, traditë, kulturë dhe qytetërim evropian dhe botëror.”

Botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami

Shqiptarët e Amerikës dhe Shën Nënë Tereza, një koleksion kujtimesh të bukura

Pas tij, Dr. Camaj prezantoi botuesin e gazetës “Illyria”, si një nga njohësit më të mirë të komunitetit shqiptar të Amerikës, ish-shefit të Seksionit Shqip të Zërit të Amerikës dhe autor të librave “Shqiptarët e Amerikës” dhe “Vizita ime në Tokën e Shenjtë”, Vehbi Bajrami.

Ligjërata e tij titullohej “Komuniteti Shqiptaro-Amerikan dhe Shën Tereza” dhe bazohej në një kapitull me të njëjtën temë, apo një lloj pasthënie si u shpreh autori, që Vehbi Bajrami e ka shkruar për librin më të fundit të Don Lush Gjergjit, në gjuhën angleze: “E kam në zemër popullin tem shqiptar (Bisedime me Shën Nënë Terezën)”.

Marrëdhëniet e Shën Nënë Terezës me shqiptarët e Amerikës filluan herët dhe ishin të veçanta se ishin të vetmet takime që bëheshin në kushte lirie e demokracie, sepse mbaheshin në botën e lirë. Kjo lidhje e fortë si tregon Vehbi Bajrami u krijua dhe forcua përpara se shenjtorja shqiptare të bëbhej e famshme në media nga Çmimi Nobel.

“Shqiptarët e pritën me dashuri dhe ajo shprehu vetëm dashuri për ta”, tha Vehbi Bajrami.

Ai tregoi disa episode nga marrëdhëniet e shqiptaro-amerikanëve me Shën Nënë Terezën. Një nga të parët që e kanë takuar në fillim të viteve 1970 ishte aktivisti i njohur i komunitetit tonë, Tonin Mirakaj. Ai e ka përshkruar në gazetën “Illyria” këtë takim të parë dhe do ta përshkruante drejtpërdrejt gjatë seminarit si një nga ligjëruesit e tij.

Botuesi Bajrami tregoi për meshën e paharrueshëm të vitit 1976, në kishën e vjetër të shqiptarëve në Bronx, ku u mblodhën mbi 1,800 vetë dhe hapësira e kishës nuk i mbante dot, kështu që meshën e kryen në sheshin e parkimit. E drejtoi meshën Imzot Zef Oroshi themelues i kishës së parë katolike shqiptare në SHBA. Kishte ardhur nga Bostoni, At Arthur Liolini si dhe një udhëheqës shpirtërir mysliman nga Queens, New York, Sheh Halili.

“Për kuriozitet, një djalë i ri që ndihmoi celebrimin e meshës ishte udhëheqësi i ardhshëm shpirtëror i Kishës Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës në Hartsdale, New York: At Peter Popaj”, tha Vehbi Bajrami.

Ai kujtoi plot ngjarje të tjera që i lidhin shqiptarët e Amerikës me Nënë Terezën, regjistrimet nga gazetarët Gjek Gjonlekaj dhe Sinan Kamberaj, fotografia me gazetën “Illyria”, mesazhet dhe komplimentat e saj për gazetën tonë, takimi me Ambasadorin në OKB, Pëllumb Kulla etj. Ai u ndal veçanërisht në shtatoret e Nënë Terezës që u ngritën në atdhe dhe në SHBA nga vëllezërit Lek dhe Pashk Gojçaj. Një shembull që e ndoqën pastaj biznesmenë e aktivistë të tjerë si Elmi Berisha, Marash Nucullaj, Gjon Lleshaj, Harry Bajraktari, etj. Për të përjetësuar vizitën e saj në Pejë, që përshkruhet në librin e Don Lush Gjergjit, biznesmeni filantropist Mhill Gjuraj e ngriti një statujë në atë qytet.

Botuesi i gazetës “Illyria” u ndal veçanërisht te historia e ngritjës së statujës në Sarajevë dhe rolit të veçantë që luajti në atë rast Ambasadori i Shqipërisë, Flamur Gashi pa ndërhyrjen dhe organizimin e të cilit nuk do të ishte bërë e mundur. Statuja, që u sponsorizua nga  Marash Nucullaj dhe ishte vendosur në kohë, pikërisht kur Papa Françesku kaloi afër saj në vizitën e tij historike në Bosnjen e pasluftës.

Autori i librit “Shqiptarët e Amerikës” tregoi për takimin e tij me Rustem Kupin, djalin e Abaz Kupit, që si ekzekutiv i kompanisë së njohur ajrore, PanAm Air kishte siguruar për Nënë Terezën që të udhëtonte falas sa herë që vizitonte Amerikën Qendrore dhe ishte ftuar prej saj që ta shoqëronte për të parë punën që po kryente.

Këto e shumë histori të tjera, përfshi edhe kontributin prej 100,000 dollarësh nga biznesmeni dhe aktivisti i njohur nga Lugina e Preshevës, Jim Xhema për Katedralen e Shën Nën Terëzës në Prishtinë, janë përfshirë në pjesën “Shqiptaro-amerikanët dhe Shën Tereza”, në librin më të fundit të Don Lush Gjergjit.

Tonin Mirakaj, një njeri me një kontribut të pamatshëm në mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan, tregoi për takimin e tij të parë me Shën Nënë Terezën, 49 vjet më parë, në Bronx, New York.

Si ndodhi takimi i parë i Shën Nënë Terezës me një shqiptar në Amerikë

Më pas në foltore doli Tonin Mirakaj, një njeri me një kontribut të pamatshëm në mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan, anëtar i Vatrës për të paktën gjashtë dekada dhe ish-kryetar për shumë vite i Këshillit të Kishës Zoja e Shkodrës.

Ai tha se me sugjerimin e botuesit të gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami, do të tregonte për takimin e tij të parë me Nënë Terezën në shtator të vitit 1973, “49 vjet më parë, kur Valerie Delacorte, bashkëshortja një prej filantropistëve më të mëdhenj në New York dhe SHBA, më telefoi dhe më pyeti nëse doja të takohesha më Nënë Terezën”.

“Ajo është shqiptare, ashtu si dhe ju”, i kishte thënë ajo. Zoti Mirakaj tregon se në atë kohë nuk dinte shumë për murgeshën katolike. Por ajo kishte hapur një degë të misionit në Bronx, kështu që bashkë me zonjën Delacorte që ishte edhe vetë e përfshirë në filantropi si dhe Eileen Egan, shkrimtaren që kishte kaluar dy vjet pranë Nënë Terezën dhe po shkruante një libër për të u nisën drejt misionit.

Një situatë interesante i parapriu vizitës kur zoti Mirakaj druhej se makina e tij e përdorur mund të ishte e parehatshme për zonjën Delacorte, mirëpo më e madhe kishte qenë droja e kësaj të fundit se çfarë do të mendonte Nënë Tereza po ta shihte duke mbërritur me limuzinën e saj në qendrën ku ajo ndihmonte të skamurit.

U ftuan t’i bashkoheshin murgeshës shqiptare në kapelën e vogël ku po lutej. Në fund të lutjes, kur mori vesh se një prej miqve ishte shqiptar, Nënë Tereza mori dy karrike dhe e ftoi të uleshin në një cep të dhomës. “Nëna Terezë u interesa të dinte për Kishën tonë në Bronx dhe komunitetin shqiptar. Shprehu dëshirën që ta vizitonte në të ardhmen dhe kjo dëshirë iu plotësua tre vjet më pas, në 25 korrik 1976”.

Veprimtari veteran i kishës dhe komunitetit tonë e mbylli me lutjen që Shën Nënë tereza ka shkruar në “librin e miqve të shquar” Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë, në Genazzano të Italisë, aty kur “gjendet figurja e shejtë e Zojës së Shkodrës, që nga data 25 prill 1467, pasi u zhvendosë në mënyrë të mrekullueshme nga 555 vjet më parë, nga Shkodra: “Mery, Mëmë e Jezusit, eja në shtëpi, ktheu në Shqipëri. Të duam! Kemi nevojë për ty! Je mëma jonë. Ktheu në Shqipëri!”

Elmi Berisha, kryetar i Federatës PanShqiptare Vatra, mbajti ligjëratën “Energjia hyjnore e Shën Terezës dhe ndikimi i saj tek shqiptarët”.

“S’mund të jetë i vogël nje popull, që ka dhënë Nënë Terezën kaq të madhe”

Në fjalën e tij, Elmi Berisha, kryetar i Federatës PanShqiptare Vatra, ish-përfaqësues i Presidentit Rugova, në zyrën e Senatorit Bob Dole dhe autor librash për lidërshipin, mbajti ligjëratën “Energjia hyjnore e Shën Terezës dhe ndikimi i saj tek shqiptarët”.

Ai argumentoi se Shën Nënë Tereza është figura e radhës në një numër të madh figurash themelore e madhore që kombi shqiptar i jep qytetërimit botëror. Megjithë historinë tonë të dhimbshme, thotë Elmi Berisha, “i kemi dhënë njerëzimit dijetarë, klerikë mendjendritur, kemi udhëhequr selinë e shenjtë, kemi dhënë prijës, strategë dhe luftëtarë që i kanë dalë zot kombit dhe civilizimit evropian”.

Më tej, ai citoi Kardinalin Paskal që ka thënë: “S’mund të jetë i vogël nje popull, që ka dhënë Nënë Terezën kaq të madhe” si dhe shprehjen e famshme të saj kur morin Çmimin Nobel në 1979: “Me origjinё dhe me gjak jam shqiptare, me shtetёsi hinduse, jam motёr katolike e permes thirrjes time i perkas gjithe botes, por zemra ime i takon vetem Zotit”.

Kryetari i Vatrës foli për trashëgiminë e Nënë Tereza në vlerat më të mira morale e njerëzore që duhet të na udhëheqin sot. Mes tyre radhiti edhe “optimizmin dhe shpresën gjithmonë fitimtare, thjeshtesinë e admirueshme, dashurinë hyjnore për njeriun, forcën, dhembshurinë dhe përkushtimin për të ndihmuar të gjithë të varfërit, të uriturit, të sëmurët, ata që vuanin e që ishin në vështiresi”.

Sa ndikoi ajo vetë në çlirimin e Kosovës, Berisha e nënkupton qartë në fjalët e ish-Presidentit Bill Clinton në 2002: “Nënë Tereza, ishte e para qe më bëri ta dua kombin shqiptar. E tani ndihem shume krenar, që e plotësova një detyrim moral ndaj saj dhe ndaj vlerave te lirisë”.

Duke e mbyllur Elmi Berisha tha: “Kombin shqiptar e gjithë bota do ta nderojë dhe respektojë gjithmonë në nivelet më të larta të kohërave që do të vinë, pasi nga gjaku i këtij populli të lashtë lindi Gonxhe Bojaxhiu të cilën Zoti e thirri dhe me misionin e saj ajo u bë Nënë e mbarë Botës”.

Marash Nucullaj tregoi për udhëtimin e shqiptaro-amerikanëve, në Indi, në 1997, për t’i dhënë lamtumirën e fundit shenjtores shqiptare

“Vëllezërit dhe motrat e Nënë Terezës”

Marash Nucullaj, i cili ligjëroi më pas, kishte udhëtuar nga shteti Michigan, për të shoqëruar gjatë kësaj vizite Don Lush Gjergjin. Mishërues i vlerave më të mira të malësorëve tanë, bujar dhe i palodhur, ai ka sponsorizuar statujat e Shën NënëTerezës në Sarajevë dhe Malësi si dhe qenë i kudondodhur për veprimtari patriotike shqiptare në vite.

Për këtë seminar ai kishte zgjedhur ligjëratën me temë: “Ceremonia e Varrimit të Shën Terezës”.

Si një nga shqiptaro-amerikanët që udhëtuan për në Kalkutë për t’i dhënë lamtumirën e fundit, por edhe për t’ia kujtuar botës së ishte me gjak shqiptari, ai është një dëshmitar i gjallë i lidhjes së ngushtë të shenjtores me komunitetin tonë.

Ai e përshkroi lajmin se Shën Tereza kishte ndërruar jetë si “shumë të hidhur për mua personalisht dhe për kombin shqiptar”.

Marashi menjëherë kishte menduar se duhej të ishte i pranishëm në ceremonë e varrimit. “Mora vendim që të udhëtoj për në Indi, në mënyrë që t’i jepnim lamtumirën e fundit motrës tonë Shen Terezës”. Për këtë vendim ai u përkrah nga bashkëshortja Lule dhe vëllai i tij Dedë.

Mirëpo udhëtimi kishte shumë probleme logjistike, që fillonin që me sigurimin e vizës.

Kur mori vesh se në Kishën e Shën Palt po organizohej një meshë solemne ku do të diskutohej mundësia e udhëtimit për në Kalkutë, ai u gëzua që diaspora mund të përfaqësohej me një grup bashkatdhetarësh dhe filloi të koordinohej gjithshka.

Kontaktoi Dom Prek Ndrevashën për ta njoftuar per planin e për ta pyetur nëse do të mund t’u bashkohej.

“Ai m’u përgjigj: Të pastë Dom Preka, unë nuk kam mundësi të vi me ju, por do t’ju ndihmoj me gjysmën e të hollave ty dhe Dom Antonin, për çka e falenderova shumë dhe i thashë se nuk ishte nevoja dhe se çdo gjë do të jenë në rregull. Të njëjtat fjalë ia përcolla edhe Dom Antonit”.

“Koha nuk premtonte. Pasaportat për procedurë të vizave i dorëzuam tek agjensia e Gergj Dedivanaj. Ishte nje emocjon i jashtëzakonshëm”, thotë ai duke treguar ankthin e fundit se ora e nkisjes po vinte e ambasada indiane në Washington ende nuk kishte dhënë vizat. Në fund, si për mrekulli u zgjidh gjithshka. 18 shqiptarë, burra e gra, u ngjitën në aeroplan për udhëtimin shumë të gjatë për krenar për të marrë pjesë në lamtumirën e fundit të Shën Terezës.

Në Kalkutë, ora e homazheve pranë trupit të Shën Terezës kishte mbaruar, por këmbëngulja e shqiptarëve bëri që te ata të vinte personalisht Motër Nirmala që zëvendësoi shenjtoren shqiptare në krye të Misionit të Bamirësisë. “Ajo u përshëndet me ne, rojet hapën derën dhe ajo na drejtoi pranë arkivolit të Shen Terezës. Na prezantoi si vëllezërit dhe motrat e Nënë Terezës”.

Të nesërmen kishin biseduar sërish me Motrën Nirmala që u kishte thënë se me Shën Tereza lutej gjithmonë me fjalët: “Zot bekoje krejt boten, Zot bekoje popullin tim shqiptar e çliroje prej se keqes. Edhe Kosova nje dite ka me qene e lire. Këto janë fjalët e Motrës Nirmala që m’i tregoj për Nënë Terezën”.

Marash Nucullaj tregoi për ceremoninë e varrimit të mbushur me personalitete nga e gjithë bota si dhe për një ditë më vonë kurshqiptarët të udhëhequr nga Dom Anton Kçira shkuan te varri i saj ku u celebrua mesha e parë në gjuhën shqipe.

Ai theksoi se kanë qenë disa grupe shqiptarësh në atë varrim. Në veçanti përmendi grupin nga New York-u, ku përmendi emra si Lek Gojçaj, Gjeke Gjonlekaj, Marjan Cubi, Simon Simonlacaj, Pashko Gojcaj etj.

“Patem fatin”, tha Marashi, “që na u dha mundësia të jemi prezentë në lamtumirën e fundit të motrës tonë, nanes së mbare botës Shën Terezës. Ai e mbylli duke lexuar emrat e të gjithë atyre që udhëtuan nga shteti Michigan dhe që ngritën lart në Kalkutë flamurin shqiptar dhe atë amerikan: 1. Dom Anton Kqira, 2. Kole Gojcaj, 3. Fran Mirdita, 4. Pashko Camaj, 5. Gjeline Camaj, 6. Mark Thaqi, 7. Gjeto Ivezaj, 8. Nikolle Veshtaj, 9. Martin Camaj, 10. Gjergj Ivezaj, 11. Prenk Gjokaj, 12. Nikolle Nucullaj, 13. Prenk Juncaj, 14. Pashke Ivezaj, 15. Martin Camaj, 16. Marash Nucullaj, 17. Gjeto Berishaj dhe 18. Leke Pecaj.

Ai u tregoi pjesëmarrësve të seminarit një numër fotografish, kujtime krenare nga ai udhëtim në Kalkutë, dokumente që i përkasin historisë.

“Ne shqiptarët jemi shume me fat që patëm një shejtneshë të tillë dhe e kemi shembull të shkelqyer për të ndjekur rrugen e saj të bamirërësisë dhe paqes në jetën tonë”, tha Marash Nucullaj.

Anton Raja, biznesmen e aktivist, organizoi turne vjetore të golfit, për fondet e ndërtimit të Katedrales Katolike Nënë Tereza në Prishtinë

Ligjëruesi i fundit që foli në Seminarin kushtuar Shën Nënë Terezës ishte Anton Raja, biznesmen e aktivist. Për vite me radhë, ai organizoi turne të golfit në New York, për të mbledhur fonde për ndërtimin e Katedrales Katolike Nënë Tereza në Prishtinë.

Mbi gjysëm milion dollarë janë mbledhur nëpërmjet këtyre turneve që u kthyen në ngjarje popullore për komunitetin.

Me modesti fisnike ai e filloi ligjërimin duke falenderuar të tjerët, duke ua lënë meritën për fondet e mbledhura atyre që iu përgjigjën ftesës për të marrë pjesë në turnetë e golfit. Në fakt, fjala e tij ishin një seri falenderimesh plot mirënjohje. Në veçanti falenderoi Don Lush Gjergjin që sa herë që vjen sjell bashkimin mes shqiptarëve. Dom Pjetër Popajn që e ka ndihmuar përsonalisht në jetën e tij. Për Jim Xhemën zemërgjerë që nuk mungonte as atë ditë në sallë për seminarin. Gazetarët e komunitetit, botuesin Vehbi Bajramin me gazetën “Illyria”, gazetarët Halil Mula të RTV21 dhe Beqir Sina, që vazhdimisht u kanë bërë jehonë aktiviteteve të komunitetit.

Bashkëpatrioti Raja bëri edhe mbylljen e seminarit duke i ftuar pjesëmarrësit të bashkohen në koktejlin e përgatitur me këtë rast.

Seminarin e hapi dhe e drejtoi me profesionalizmin që e karakterizon Dr. Pashko Camaj

2 Responses to “25 vjet pa Shën Nënë Terezën: Seminar në New York kushtuar bijës së madhe të kombit shqiptar”

Read below or add a comment...

  1. Dale R. Zygnowicz says:

    Together working for Human Rights and the Preservation of World 🌍 Peace!

    👨‍🎓📚🏈🎻❤️🇺🇸🗞

  2. Dale R. Zygnowicz says:

    Together working for Human Rights and the Preservation of World 🌍 Peace!

    👨‍🎓📚🏈🎻❤️🇺🇸🗞

    Dale