30 ditë paraburgim për tre të dyshuarit për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Prishtinë, 12 dhjetor 2021 – Gjykata Themelore në Pejë njoftoi se tre të dyshuarve për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit, të cilët u arrestuan të shtunën, u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh,

“Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda – aprovoi kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurve H.M, K.M dhe M.M, për shkak të dyshimit se të njëjtit kryen vepër penale vrasje e rëndë, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Në njoftim thuhet se gjykata emori këtë vendim “duke marrë parasysh dënueshmërinë e lartë të veprës penale, faktit se ende nuk janë dëgjuar dëshmitarët dhe të dëmtuarit, faktin se bëhet fjalë për të pandehur që kanë lidhje familjare si dhe duke marrë parasysh peshën e veprës dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra dhe pasojat e mëdha të shkaktuar me këtë rast, rrethana këto që tregojnë rrezikun real se me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri apo nën një masë tjetër të sigurisë, të njëjtit do të arratisen, do të ndikojnë në dëshmitar ose të dëmtuar, të fshehin prova si dhe të bashkërendojnë mbrojtjen e tyre e me këtë të pamundësojnë zbardhjen e plote te rastit”.

Tre të dyshuarit (Halil Mehmetaj dhe djemtë e tij, Malsor e Kreshnik Mehmetaj) të cilët u arrestuan të shtunën, janë nga fshati Gllogjan. Ata janë babai dhe vëllezërit e 20-vjeçares Heroina Mehmetaj, e cila i kishte dhënë fund jetës së saj më 14 qershor të vitit të kaluar.

Sipas medies të Kosovë, dyshohet se rasti i vetëvrasjes lidhej me vozitësin e autobusit të sulmuar më 26 nëntor, icili po bartte nxënës të shkollës së mesme nga Gjakova në Gllogjan. Prandaj, besohet se shënjestër e sulmit me armë ka qenë vozitësi i autobusit.

Në këtë sulm u vranë vozitësi i autobusit, Gani Gjokaj, nga Skivjani i Gjakovës, dhe nxënësit Genta Mustafaj e Ledion Hamzaj, të dy nga Gllogjani.

This image has an empty alt attribute; its file name is Viktimat-e-sulmit-ne-Gllogjan_-Gani-GjokajGenta-Mustafaj-e-Ledion-Hamzaj.jpg

(r.m.)