4 Korriku, ditëlindja e një shteti dhe një epoke të re për njerëzimin

Nga Sadik Elshani

4 Korriku i vitit 1776 hapi horizonte të reja, të papara gjer atëherë

Sot është 4 Korriku, ditëlindja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më 4 korrik të vitit 1776, 245 vite më parë, në Filadelfia u shpall pavarësia e Amerikës me nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë, nga të gjithë përfaqësuesit e 13 kolonive të atëhershme – koloni që nuk donin më të jenë nën sundimin e Kurorës Mbretërore Britanike, por dëshironin të ishin të pavarura, të lira për të vendosur vetë për fatet dhe ardhmërinë e tyre. Në atë 4 korrik të atij viti të largët nuk u themelua vetëm një shtet i ri, por lindi një vizion, një ideal i ri i paparë gjer atëherë në botë – u themelua një shtet bazuar në parimin e lartë të vlerave njerëzore: Të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe me një deklaratë që fillon me fjalët emblematike të gdhendura me shkronja të arta në historinë e ShBA-ve dhe tërë njerëzimit: Ne populli (We the people). Ishte ky një ngadhnjim mbi dhunën, robërinë, tiraninë. 4 Korriku i vitit 1776 u bë burim frymëzimi, gurrë e pashterrshme lirie edhe për vendet dhe popujt tjerë anembanë botës. U bë burim frymëzimi për Revolucionin Francez të vitit 1789, që e hodhi poshtë sundimin mbretëror dhe hodhi themelet e Republikës Franceze bazuar në moton: Barazi, liri, vëllazëri (egalite, liberte, fraternite). Ishin idealet amerikane ato që u prinë edhe shumë lëvizjeve të tjera përparimtare në botë, lëvizjeve për liri e pavarësi. Shteti amerikan nuk u krijua si një shtet i përkryer dhe ende është larg i të qenit i përkryer, por është një vend gjithnjë në ndërtim, vend që kurrë nuk i hiqen skelat, vend që gjithmonë sfidon kufijtë e së pamundurës, vend që i ka krijuar mekanizmat për t’i korrigjuar të metat, padrejtësitë që janë shfaqur e mund të shfaqen herëpashere në shoqerinë amerikane. Shkurt, vend që nuk dorëzohet kurrë.

Amerika, vendi që ecën vetëm përpara

Është kushtetuta amerikane, ky dokument i shenjtë modern që siguron funksionimin e shtetit dhe qeverisë amerikane, edhe kur ballafaqohen me sfida të ndryshme e të ndërlikuara. Wshtë dokument i përpiluar nga njerëz vizionarë, njerëz gjenialë, bazuar në ndarjen e barabartë të pushtetit: ekzekutiv, gjyqesor, legjislativ. Wshtë populli amerikan këmbëngulës dhe i vendosur për të ecur vetëm përpara, për të arritur çdo qëllim, për të përballuar çdo sfidë. Në fillim të viteve të 60-ta të shekullit të kaluar Presidenti Kennedy hodhi një qëllim sfidues: Deri në fund të dhjetëvjeçarit të 60-të, njeriu të shkojë në Hënë dhe të kthehet i padëmtuar (i sigurt) në Tokë. Më 21 korrik të vitit 1969, astronauti Neil Armstrong shkeli në Hënë dhe ekipazhi u kthye në Tokë shëndosh e mirë. Wshtë ky shpirti optimistik që e vë në lëvizje këtë vend vigan. Nuk është vetëm madheshtia tokësore e njerëzore, forca ekonomike e ushtarake që e bëjnë këtë vend të fuqishëm, por janë edhe vlerat e larta morale e njerëzore, të quajtura ideale amerikane. Amerika gjithmonë ka luftuar edhe për lirinë e të tjerëve dhe kurrë për t’i kolonizuar vendet tjera, përt’i roberuar popujt tjerë. Këtu perfshihen edhe shqiptarët, Shqiperia, Kosova. Prandaj, në bisedat, diskutimet me amerikanët shpesh e dëgjon fjalën: freedom (liri), fighting for freedom (lufton, të luftosh për liri).

Amerika dhe shqiptarët

Shqipëria (çdo pëllëmbë e tokës ku ujit i thonë ujë e bukës i thonë bukë) dhe shqiptarët shprehin një simpati e dashuri të veçantë e të pakufishme për Amerikën – engjëllin tonë mbrojtës, shpëtimtar. Miqësia shqiptaro – amerikane i ka rrënjët e thella dhe një histori të gjatë, duke filluar nga përkrahësi i vendosur i çeshtjes shqiptare, Kryetari (Presidenti) Uilson, i cili pas Luftës së Parë Botërore e mbrojti pavarësinë e Shqipërisë dhe e pengoi copëtimin e mëtejmë të saj. Ishte Presidenti Clinton që i shpëtoi shqiptarët e Kosovës nga pastrimi etnik, nga shfarosja e sigurt që i kanosej nga regjimi i egër i Millosheviqit. Ndërsa Presidenti Bush e përkrahu dhe e mundësoi Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008. Fal ndërhyrjes dhe përkrahjes së vazhdueshme të  Amerikës dhe NATO-s, Kosova sot është e lirë dhe shtet i pavarur. Për këto shërbime madhore dhe ndihmat tjera, shqiptarët gjithmonë do t’u jenë mirënjohës Amerikës dhe aleatëve të saj përendimorë. Prandaj, 4 Korriku festohet me dashuri e madhështi edhe në Kosovë e Shqipëri. Edhe në ditët më të errëta të regjimit komunist, i cili orë e çast e baltoste Amerikën, shqiptarët shpresat i kishin drejtuar kah Amerika, shpëtimin e tyre e shihnin te Amerika. Regjimi komunist u përmbys dhe tani Shqipëria dhe Amerika janë aleat, ndajnë vlera të përbashkëta dhe ideale te njejta për lirinë, të drejtat e njeriut, mirëqenjen njerëzore. Gjatë gjithë këtyre viteve Shqipëria ka qëndruar një aleate e fortë e besnike e ShBA-ve dhe sot ushtarët shqiptarë dhe ata amerikanë shërbejnë krah për krah njëri – tjetrit ne Aganistan, si dhe më parë ne Bosnje e Irak. Kohëve të fundit edhe Kosova i ka dërguar ushtarët e saj në misionin paqëruajtës ne Kuvajt.

Amerika dhe bashkësia shqiptaro – amerikane

Tani ka më shumë se një shekull që edhe shqiptarët janë bërë pjesë e mozaikut amerikan, ëndrrës, jetës amerikane, realitetit amerikan. Bashkësia shqiptaro – amerikane ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e popullit tonë, duke filluar me punën dhe veprimtarinë e palodhshme të Nolit, Konicës si dhe shumë atdhetarëve e intelektualëve të tjerë shqiptarë, Federatës Panshqiptare “Vatra”. Sot shqiptaro – amerikanët, sikurse paraardhësit e tyre vite më parë, janë duke dhënë ndihmesën e tyre në të gjitha lëmitë, sferat e jetës amerikane, nga yjet e Holivudit gjer te fituesit e Çmimit Nobel. Shqiptarët kanë ardhur në Amerikë të vendosur për të korrur suksese, për të përparuar, për të përmbushur ëndrrën amerikane. Bashkësia shqiptaro – amerikane është duke punuar me përkushtim që të sherbejë si një urë lidhëse e miqësie në mes së Shqipërisë, Kosovës dhe ShBA-ve, për t’i afruar qytetarët e të dyja shteteve shqiptare me Amerikën. Tani Amerika është bërë atdheu ynë i dytë, atdheu ynë i përvetësuar, i përshtatur (adoptuar). Janë këto lidhje ndër vite me presidentët, kongresistët, senatorët dhe zyrtarët tjerë të lartë amerikanë që e kanë ëerhequr vëmendjen e Amerikës për çeshtjet shqiptare, duke filluar nga takimet e Nolit me Presidentin Uilson.

Falenderojmë Amerikën që na ka përqafuar si qytetarë te lirë e të barabartë, na mundëson që t’i rrisim familjet tona, ta ruajmë gjuhën dhe traditat tona. Prandaj: Gezuar 4 Korrikun! Wshtë një Dite e Madhe për Amerikën, shqiptarët dhe gjithë botën përparimtare e liridashëse.

Filadelfia, më 4 korrik, 2021

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.