4 Korriku për amerikanët


Astrit Lulushi

Astrit Lulushi

Nuk ka dyshim që Deklarata e Pavarësisë u nënshkrua në korrik 1776. Por cila datë ka pretendimin e ligjshëm: 2 apo 4 korriku? Nëse John Adams do të ishte gjallë, do të thoshte 2 korrik. Të tjerë do të thoshin 4 korrik, që njihet aktualisht si festë federale. Por themelues të tjerë do të thoshin, “çfarë Ditë Pavarësie?” pasi ajo nuk u festua gjerësisht gjatë kohës që shumë prej tyre jetonin.
Zyrtarisht, Kongresi e shpalli pavarësinë e 13 kolonive nga Britania më 2 korrik 1776. John Adams mendoi se 2 korriku do të shënohej si festë kombëtare për brezat që do të vinin. Pasi votoi për pavarësinë më 2 korrik, Kongresit iu desh të hartonte një dokument për të qartësuar veprimin e tij para popullit; dhe iu deshën dy ditë për ta miratuar. Pastaj dokumenti, i njohur si Deklarata e Pavarësisë, u dërgua për t’u shtypur në 200 kopje. Sot kanë mbetur 26 prej tyre. Më 8 korrik 1776, Deklarata e Pavarësisë u lexua në publik në atë që tani quhet Sheshi i Pavarësisë në Filadelfia. Një vit më vonë, 1777, 4 korriku u shpall festë zyrtare. Mbi mënyrën e festimit pati debate midis Federalistëve (të John Adams) dhe Republikanëve (të Thomas Jefferson) dhe 4 korriku nuk u festua gjerësisht derisa Federalistët u zbehën nga skena politike pas vitit 1812. Në 2 korrik 1826 në një letër – e fundit që ai shkroi – Thomas Jefferson foli për rëndësinë e Ditës së Pavarësisë: “Le të jetë kjo ditë përgjithmonë në kujtesën tonë si përkushtim ndaj të drejtave…”
Jefferson dhe Adams vdiqën të dy dy ditë më vonë, më 4 korrik, në 50 vjetorin Deklaratës së Pavarësisë.