40 mijë persona presin letërnjoftimet e reja në Maqedoninë Veriore

Lëshimi i letërnjoftimeve me emrin e ri kushtetues shkon ngadalë. Vetëm në repartin e Ministrisë së Brendshme te Radio Televizioni i Maqedonisë janë rreth 500 letërnjoftime të gatshme, disa prej tyre edhe në gjuhën shqipe. Ata janë për qytetarët e Shkupit të cilët janë fotografuar në fillim të korrikut por jo edhe për qytetarët që janë fotografuar më vonë.

“Pas zgjidhjes së gjetur për lëshimin e letërnjoftimeve të reja, kështu duket sporteli në repartin administrativ të MPB-së në Radio Televizionin e Maqedonisë. Letërnjoftimet nuk janë gati as për ata që janë fotografuar pas 10 korrikut.”

Qytetarë të tjerë presin në radhë të gjata edhe për nxjerrjen e pasaportave. Turmë kishte edhe para hyrjes së repartit administrativ.

“Ka turmë me njerëz, mendoj që nuk është pamje e mirë, për pasaporta dhe dokumente s’mund të mbajmë distancë. Duhet të mendojnë të gjithë ata që janë përgjegjës për këtë gjendje”.

“Gjysmë ore pres për marrje të pasaportës. Jeni për pasaportat e reja apo? Po. Para sa kohe jeni fotografuar? Më 6 gusht. Dhe ju thanë që janë gati? Jo. Më thanë që pas 10 ditëve dhe pasi prej atëherë kaluan 15 ditë, pres të jetë gati pasaporta”.

“Thjesht nuk ka terminë të saktë. Ky është problemi më i madh. Tani, gjysma e këtyre njerëzve nuk e dinë nëse i kanë gati dokumentet. Pra, ka turmë…në ueb faqe ka link që mund të shihet nëse është gati, por nuk funksionon dhe ky është problemi më i madh”.

Lidhur me protokollet, nga MPB shprehen se vazhdimisht u kanë apeluar qytetarëve që të mbajnë distancë. Në qytete të ndryshme, në mënyrë të ndryshme zhvillohet ritmi i dhënies së letërnjoftimeve. MPB paralajmëroi se do t’i njoftojë qytetarëve nëpërmjet mesazheve kur dokumentet e tyre do të jenë gati. Dokumentet me emrin e vjetër kushtetues dhe që kanë akoma afat do vlejnë deri më 12 shkurt 2024. Në ndërkohë, Ligji për Letërnjoftime ka ngecur në Kuvend. Për të janë dorëzuar më shumë se 1500 amendamente, kryesisht nga “E Majta” pasi BESA kërkoi që në to të vendoset grafi etnik./Alsat/