40 milion euro nga ndryshimet e paketës, korrigjimi i taksave pritet të shtojë arkëtimet

Rreth 40 milionë euro të ardhura më shumë në vit nga ndryshimet e paketës fiskale. Janë këto pritshmëritë e Financave që synojnë të rrisin arkëtimet përmes korrigjimeve të disa taksave e tatimeve që pritet të hyjnë në fuqi nga viti 2022.

Efektin më të madh pozitiv në buxhet me mbi 2 miliardë lekë apo rreth 16.2 milionë euro pritet ta japin ndryshimet e taksave në bujqësi kryesisht prej përjashtimit të TVSH-së në import për pajisjet e makineritë, heqja e rimbursimit të TVSh-së për fermerët si dhe nga vendosja e tatimit 10% për inputet bujqësore.

Nga rritja e akcizës së duhanit që pritet të shtrenjtojë më tej çmimet e cigareve në vend, janë parashikuar të arkëtohen në total 750 milionë lekë më shumë.

Rreth 350 milionë lekë më shumë çdo vit pritet të mblidhen unifikimi i akcizës së gazit 6 lekë për litër, 500 milionë lekë shtesë nga indeksimi automatik i akcizës, teksa me 800 milionë lekë apo 6.5 milionë euro do të sjellë çdo vit në buxhet edhe heqja e rimbursimit për lëndët djegëse.

Pasi nuk dha efektet e pritshme në rritjen e turizmit, qeveria u tërhoq nga karburanti pa akcizë për mjetet e luksit duke e bërë atë me ndryshimet e reja 65 lekë për litër e përmes kësaj mase synon të arkëtojë 10.5 milionë euro apo 1.3 miliardë lekë më shumë çdo vit.

Ndikim në rritjen e të ardhurave buxhetore pritet të sjellë edhe vendosja e taksës ndaj qumështit pluhur edhe pse në një masë më të vogël që sipas Financave llogaritet në mbi 2 milionë euro, rreth 260.6 milionë lekë.

Ndërsa efekt të kundërt në buxhet pritet të ketë ulja e tatimit mbi pagat me gati 1.37 miliardë lekë apo mbi 11 milionë euro më pak çdo vit, pas ndryshimeve të fundit që ka bërë qeveria duke zeruar tatimin për të ardhura deri në 40 mijë lekë,  e duke rritur pragjet e tatimit për paga mbi këtë nivel.

Ndërsa për vitin 2022, të ardhurat e munguara pritet të jenë më të ulëta në rreth 685 milionë lekë më pak, pasi pritet të hyjnë në fuqi në korrik të vitit të ardhshëm.

Top Channel