40 vjet më parë – një konferencë ndërkombëtare studimore e vuri Kosovën në hartë

Kur politika ende heshtte për Kosovën – shqiptarët e Amerikës mobilizuan botën akademikeLigjëratat e diskutimet akademike i paraprinë hartimit të argumenteve e peticioneve politike që do të përdoreshin në dy dekadat në vijim në lobimin për Kosovën

Nga Ruben Avxhiu

Ngjarjet e vitit 1981 lanë një përshtypje të jashtëzakonshme te disa nga figurat kryesore intelektuale të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, jo vetëm për shkak se protestat e popullit shqiptar u shtypën me dhunë e nuk dhanë asnjë rezultat pozitiv, për sidomos për shkak të lehtësisë me të cilën ato u injoruan nga politika ndërkombëtare e u harruan nga media e botës. Një vit më vonë dukej sikur nuk kishin ndodhur ndonjëherë.

Kosova nuk njihej në Washington e në kryeqytetet kryesore europiane e botërore. Shtypi ishte injorant e i pavëmendshëm. Ndërsa bota akademike kishte vetëm studime e libra të rrallë, shpesh pasqyruese të pikëpamjeve dhe pseudohistorisë serbe.

Shqiptarët e Amerikës ende nuk e kishin zbuluar lobimin modern në të cilin do të angazhoheshin duke filluar nga gjysma e dytë e dekadës. Në këto kushte, një numër shqiptarësh të angazhuar në universitetet amerikane vendosën ta fillonin luftën pikërisht aty. Pas bisedash të gjata, u vendos të organizohej një konference ndërkombëtare për Kosovën, që të ishte serioze dhe akademike.

Dy figura u vendosën në krye të përpjekjes si bashkëdrejtues të nismës: Prof. Sami Repishti dhe Prof. Arshi Pipa. (Përkatësisht djathtas dhe majtas, në fotografinë shoqëruese, në krye të shkrimit.)

Mes shqiptarëve që mund të afroheshin ishte Prof. Peter Prifti, Prof. Nikolla Pano, e të tjerë. Por më e rëndësishme ishte të afroheshin profesorë joshqiptarë, sidomos nga Universiteti i Harvardit dhe shkolla të tjera me emër.

Nismëtarët kishin besim se nëse kauza e Kosovës bëhej e njohur në botën akademike, herët a vonë, ndikimi do të shtrihej edhe në media, institucione strategjike, politikë, e qeveri.

Kjo nismë nuk mund të mbështetej vetëm në fuqinë intelektuale dhe lidhjet në akademi. Nevojitej edhe angazhim i komunitetit me njerëz, materiale, e ndihmë financiare.

Rreth profesorëve Repishti dhe Pipa u mblodh një Komision Organizator që do të bënte të mundur gjithshka. Anëtarë të Komisionit ishin: Dr. Jani Dilo, Fejzi Domni (M.D.), Gjeke Gjonlekaj, Agim Karagjozi, Peter R. Prifti dhe Zef Shllaku. Stephanie Kozmo, studente në Columbia University shërbeu si sekretare e organizimit. Zonjat Diana Repishti dhe Fehime Pipa ishte ndihmëset kryesore vullnetare të përditshme përpara dhe gjatë konferencës.

Nismës iu përgjigjën dhe dhanë kontribut jo vetëm personal por edhe institucional edhe Martin Camaj nga Gjermania, Anton Logoreci nga Londra, Dr. Elez Biberaj dhe Prof. Safete- Juka nga SHBA etj.

“Numri i atyre që kontribuan financiarisht ishte i madh”, tregon vite më vonë Prof. Repishti, “me shuma modeste, por bujare. Kujtoj këtu të ndjerin Abdullah Kaloshi që mori përsipër vullnetarisht mbledhjen e ndihmave të konsiderueshme”.

Një ndihmë të madhe kanë dhënë edhe vëllezërit Bitici, thotë Prof. Repishti, qe shërbyen pije freskuese dhe ushqime të lehta dhe më vonë edhe darkën në restaurantin e njohur “Toscana”.

Konferenca u mbajt në 6 nëntor 1982, në sallën e famshme “Aeolian Hall”, që ishte në atë kohë pjesë e Qendrës së madhe universitare për doktorata dhe grada master të Universitetit publik të Qytetit të New York-ut (Graduate School and University Center of the City University of New York).

Tema e konferencës ishte “Çeshtja e Kosoves: konsiderata historike dhe perspektiva për të ardhmen”.

Suksesi i konferencës paralajmërohej që nga lista e sponsorizuesve të saj: Zyra e Programeve Ndërkombëtare (University of Minnesota), Instituti Albanalogjik i Universit të Mynihut (Gjermani), Instituti i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Universit të Palermos (Itali), Departamenti i Frengjishtes dhe Italishtes (University of Minnesota), Shoqata e Studimeve Shqiptare në SHBA, Federata Panshqiptare e Amerikes VATRA, dhe Qendra Shqiptare e New York-ut.

Për shumicën e të dhënave të këtij shkrimi i jam mirënjohës Prof. Sami Repishtit që e ka përshkruar konferencën në shkrime e kujtime gjatë viteve që vijuan.

Salla e madhe ishte mbushur si rrallë ndonjëherë edhe për shkak të shqiptaro-amerikanëve jo vetëm nga New York-u, por nga mbarë SHBA. Më e rëndësishmja ishte prania e studjuesve të njohur amerikanë, anglezë, gjermanë, francezë etj. Madje ndodhej mes tyre edhe një profesor australian.

Prof. Repishti (Adelphi University) mbajti edhe Fjalën e Hapjes të Konferencës me një përshëndetje e falenderim për pjesëmarrësit, me një përmbledhje të synimeve të saj, dhe me një artikulim të shpresës atdhetare dhe njerëzore, që nga ajo sallë të niste rruga për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Duke nënvizuar natyrën akademike e shkencore të konferencës ai u shpreh me elegancë:

“Në jemi mbledhur këtu, jo për të gjykuar, por për të sqaruar”.

Seanca e Paradites përfshiu ligjërata për aspektet historike dhe kulturore të Kosovës. Ajo u drejtua nga Prof. Albert Lloyd (Harvard University), me famë botërore për studimet e tij për baladat epike të trashëguara gojarisht në shekujt, me vëmendje të veçantë për Eposin Shqiptar.

Seanca e Mbasdites u përqendrua në temat politike, ekonomike, e kushtetuese/ligjore të Kosovës dhe u drejtua nga Prof. Arshi Pipa (University of Minnesota).

Në pushimin ndërmjet dy seancave, publiku pati mundësinë që të vizitonte një ekspozitë botimesh albanologjike në gjuhë të ndryshme si dhe disa libra të natyrës historike dhe letrare, në gjuhën shqipe.

Më poshtë vijon lista e ligjëratave, e ruajtur nga Prof. Repishti:

Prof. Safete Juka (Lafayette College, Pennsylvania) duke u mbështetur në zbulimet e fundit arkeologjike, vuri në dukje vazhdimësinë dardane-shqiptare të Kosovës dhe u përqendrua në marrëdhëniet shqiptaro-sllave. Ajo përfundoi se shqiptarët në Jugosllavi janë viktimizuar nga serbët, por nuk janë përgjigjur me të njëjtën monedhë. Ata kanë respektuar kulturën dhe fenë e serbëve. Për këtë përdori edhe shembullin që përmendet shpesh sot, mbrojtjen e monumenteve fetare serbe nga familje shqiptare gjatë pushtimit otoman

Prof. Alain Ducellier (Université de Toulouse-Le Mirail, Francë) foli mbi origjinën dhe dështimin e shtetit shqiptar mesjetar. Ai mbrojti tezën se që në kohet e vjetra është ruajtur tradita dhe vazhdimësia iliro-shqiptare në një zonë ballkanike që shtrihet nga Kosova e Maqedonia deri në brigjet e bregut të Adriatikut. Arsyeja e mos-formimit të një shteti të fuqishëm shqiptar, sipas tij ka qenë intrigat e përçarjes greke-bizantine, venedikase, raguziane dhe turke. Ata nxitën përçarjen mes shqiptarëve për interesat e tyre.

Prof. Peter Bartl (Ludwig-Maximilians-Universität München,Gjermani) u përqendrua mbi Kosovën në dritën e raporteve kishtare, sidomos mbi lidhjet e popullsisë katolike shqiptare me Arqipeshkëvinë e Shkupit dhe të Tivarit.

Prof. Gerhard Grimm (Ludwig-Maximilians-Universität München, Gjermani) u përqendrua mbi hartat etnografike të Kosovës. Vetëm një hartë e vitit 1739 tregon etninë kosovare në kuadrin e perandorisë turke. Shumica e hartave të mëvonshme janë manipuluar për arsye politike, dhe paraqesin Kosovën si pjese të Malit të Zi ose të Serbisë.

Prof. Nicholas C. Pano (University of Western Illinois) trajtoi tezën politike “Çështja kosovare në politikën dhe diplomacinë shqiptare nga 1912-1939”. Ai theksoi rëndësinë e madhe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si frymëzuese e vendimtare për ngjarjet e mëvonshme dhe vizionin politik të shqiptarëve si dhe analizoi rolin që ka luajtur Kosova në jetën politike të shtetit shqiptar deri në 1939.

Prof. Jens Reuter (Südost-Institut, Muenchen, Gjermani) ligjëroi për problemin e rëndë të anashkalimit të vajzave kosovare nga sistemi i arsimit në Kosovë. Diskriminimi nga qeveria në përgjithësi i studentëve dhe profesorëve kosovarë ka qenë me pasoja të rënda për shoqërinë në Kosovë. Kjo ka acaruar marrëdhëniet ndëretnike por ka përforcuar ndjenjën kombëtare të shqiptarëve.

Prof. Martin Camaj (Ludwig-Maximilians-Universität München, Gjermani) ligjëroi me temën “Topologjia e dialekteve në Kosovë”. Ai mbrojti tezën se gegnishtja e sotme në Kosove ka prirje të thjeshtësojë fonetikën e shqipes, një proçes që po pengohet nga “gjuha e njësuar”, ndërsa morfologjia dhe sintaksa po dëmtohen nga imponimi i serbishtes dhe maqedonishtes. Ky zhvillim rrezikon të zhdukë dialektin kosovar.

Prof. Albert Lloyd (Harvard University) foli mbi koleksionin e këngëve rapsodike të mbledhura në Bosnje dhe Shqipëri. Në Novi Pazar, ai ishte njohur me rapsodë shqiptarë që këndonin këngë shqip dhe serbisht, dhe paraqiti perfundimet e tij, për ndryshimin e formave dhe formulave të epikës gojore kur kalojnë nga një komb në një tjetër.

Prof. Arshi Pipa (University of Minnesota) foli gjithashtu për dallimet e eposit në Ballkan. Tema e tij ishin “këngëtarët shqiptarë në serbo-kroatisht: cikli epik kufitar (krajishnik=kreshnik)”. Ai paraqiti një analizë të tezave të ndryshme mbi origjinën e ciklit të kreshnikëve shqiptarë. Prof. Pipa ishte i mendimit se cikli që përmban elemente mitologjike ështe më i vjetër dhe i paraprin atij të këngëve boshnjake.

Lista e ligjëratave të Seancës së Mbasdites:

Prof. Adi Schnytzer (University of Griffith, Australi) ofroi një krahasim shkencor mes ekonomisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, ku nënvizohej sistemet e ndryshme ekonomike të zhvilluara nga regjimet në të dy anët e kufirit. Ai konkludoi se Shqipëria ndonëse e pavarur nuk është më e zhvilluar ekonomikisht se Kosova.

Prof. Peter R. Prifti (University of California, San Diego) foli për perspektivat dhe problemet e ekonomisë kosovare. Ai hulumtoi shkaqet ekonomike të demonstratave të vitit 1981 në Kosovë. Prifti rreshtoi masat diskriminuese jugosllave që kanë vonuar zhvillimin ekonomik të vendit dhe theksoi dëmin e madh ekonomik që shkakton analfabetizmi i lartë në Kosovë.

Prof. Paul Shoup (University of Virginia) trajtoi sistemin politik të Kosovës. Ekspert për çështjet jugosllave, ai i bëri një vështrim historik gjendjes së Kosovës, dhe percaktoi periudhën 1944-1961 si periudha e kontrollit policor. Ai theksoi se sikur Kosova të ishte deklaruar “republikë federale” në vitin 1946, “terrori i asaj periudhe do të ishte shmangur”. Por, ai tha se kushtetuta e vitit 1974 u ka dhënë shqiptarëve një shkallë të lartë vetëqeverisjeje, ndonëse pa mundur që ta kënaqë ambicjen e tyre që tani kërkon një republikë me të drejta të plota. Ai nuk ishte optimist për për këtë ndryshim federativ.

Dr. Sami Repishti (Adelphi University) foli mbi ndryshimet kushtetuese të Federatës Jugosllave. Ai vuri në dukje diskriminimin që u bëhet shqiptarëve të Jugosllavisë në krahasim me grupet tjera etnike. Ai theksoi gjithashtu edhe natyrën e statusit kushtetues në Kosovë që kishte formë por jo substancë.

Dr. Elez Biberaj (Columbia University) foli mbi shkaqet e krizës në Kosove dhe perpjekjet jugosllave për stabilizimin e gjendjes politike në vend. Ai numëroi masat diskriminuese që kanë zemëruar popullsinë shqiptare. Demonstratat e vitit 1981 janë një rrjedhim i këtij zemrimi, deklaroi ai.

Studjuesi Anton Logoreci (BBC- Londër, MB) përshkroi rrugën e vështirë të shqiptarëve në Jugosllavi që nga viti 1912 e deri në 1982. Vuajtjet dhe abuzimet e grumbulluara që kanë zemëruar popullsinë shqiptare dhe përsëriti se demonstratat e vitit 1981 janë rezultat i shtypjeve të vazhdueshme serbe e jugosllave.

Prof. Robert Sharlet (Union College dhe Columbia University) pranoi se mosmarrëveshjet etnike në Jugosllavi nuk mund të fshihen me kallëpe ekonomike dhe kulturore. “Kriza kosovare është shfaqja e fundit dhe ndoshta më seriozja e përçarjes etnike në Jugosllavi mbas Luftës së Dytë Botërore. Kjo e çon Jugosllavinë drejt një krize te pergjithshme te sistemit te saj”. Fjalë profetike kur kujton se çfarë ndodhi në vitet që vijuan.

Prof. Francis Dessart (Drejtor, Qendra e Studimeve Europiane, Bruksel, Blegjikë) theksoi se izolimi i një grupi etnik krijon varësi, një situatë që përfundon në viktimizim dhe një imperializëm kulturor e politik ndaj grupit. Problemi kosovar është një thirrje që i bëhet vetëdijes së solidaritetit ndërkombëtar për mbrojtjen dhe fitoren e të drejtave të njeriut.

Dr. Patrick F. R. Artesien (University of Bradford, MB) foli mbi problemin e Kosovës dhe të ardhmen e marrëdhënieve jugosllave-shqiptare në perspektivën ballkanike. Ai tha se kriza kosovare dëmton këto marrëdhënie dhe mund të shkaktojë ndërlikime të tjera në Ballkan.

Studjuesja Branka Magash (University of Bradford, MB) paraqiti pikëpamjen jugosllave të problemit kosovar. Ajo deklaroi se trajtimi i kosovarëve nga Jugosllavia e Titos ka për qëllim integrimin e plotë të tyre. Me kohë, tha ajo, Kosova mund të bëhet republikë, por represioni ndaj kosovarëve nuk mund të justifikohet.

Prof. Mihajlo Mihajlov (University of Virginia) trajtoi temën se çfarë do të bëhet me Kosovën në rast se demokratizohet Jugosllavia. Ai tregoi kontaktet me ish të burgosurit politikë shqiptarë në burgun e Beogradit (ku ai kishte kaluar shtatë vjet) dhe theksoi diskriminimin e shqiptarëve nga organet e burgut. Ai u tregua pesimist për zgjidhjen e problemit të Kosovës sa kohë që Jugosllavia mbetet jodemokratike. Në rast demokratizimi, tha ai, kosovarët de të kërkojnë bashkimin me Shqipërinë.

Konferencën e mbyllur koordinatori tjetër i këtij organizimi historik, Prof. Arshi Pipa. Ky antikomunist i vendosur, përpara një salle ku mbizotëronin profesorë e studentë nga akademitë ku majtizmi shpesh ka mbizotëruar, u ofroi atyre një shprehje gati gjeniale: “Kosovarët janë proletarët e Jugosllavisë”.

“Qëllimi i Konferencës ishte që të analizohet gjendja e Kosovës në mënyrë akademike e shkencore dhe pa paragjykime, sepse vetëm në këtë mënyrë i shërbehet mirëkuptimit mes popujve të interesuar dhe paqes në botë”.

Shtypi serbo-kroat i emigracionit dhe gazeta shqiptare “Dielli” e vlerësuan shumë veprimtarinë. Ligjëratat e asaj konference vijuan të përdoreshin në vitet që vijuan, madje në 1994, Shtëpia Botuese e Universitetit të Kolumbias (Columbia University Press) i botoi në një vëllim “Studies of Kosova”, me redaktorë Arshi Pipa dhe Sami Repishti.

Shtypi jugosllav i kohës e denoncoi dhe sulmoi me urrejtje këtë ngjarje të rëndësishme akademike. Kurse shtypi komunist në Shqipëri, ndonëse pretendonte se mbronte kauzën e Kosovës, heshti dhe e injoroi tërësisht këtë konferencë. Mirëpo koha e legjitimoi rëndësinë e saj. Ligjëratat e diskutimet akademike që paraqitën aty i paraprinë hartimit dhe artikulimit të argumenteve e peticioneve politike që do të përdoreshin në dy dekadat në vijim nga shqiptarët në lobimin për Kosovën.

Sot, 40 vjet më pas, kur përpjekjet për seminare të ngjashme përfundojnë në veprimtari të kufizuara vetëmshqiptare, me salla të zbrazura, apo me më shumë folës sesa dëgjues, them se kemi shumë çfarë të mësojmë nga shembulli i Prof Sami Repishtit dhe Arshi Pipës që ditën të mbledhin jo vetëm kolegët e tyre akademikë por të mobilizojnë edhe komunitetin, nga shembulli i qindra shqiptarëve që u përgjigjën thirrjes për ndihmë me aq pak sa kishin, dhe me shembullin e kësaj konference që u parapriu ngjarjeve të mëdha të epokës, duke ndikuar padyshim mbi to.

One Response to “40 vjet më parë – një konferencë ndërkombëtare studimore e vuri Kosovën në hartë”

Read below or add a comment...

  1. sami repishti says:

    I dashtuni Ruben:
    Falenderimet e mia per botimn e ketij shkrimi informues dhe korrekt! Ju pergezoj per nisiativen e botimit 40 vjet mbas Konferences. Per mue kjo Konference ka qene njena nga arritjet ma te randesishme ne veprimtarine time per Kosoven: me njoftimin e botes mbar se ekziston nji problem i pazgjidhun shqiptar ne ish Jugosllavine dhe se zgjidhja e ketij problemi ashte e domosdoshme sepse e drejte, dhe urgente.
    Po ju dergoj edhe nji paragraf te ish Ambasadorit te pare amerikan ne Shqiperi, i nderuemi William E. Ryerson, dhe opinionin e tij per Konferencen:
    ” 5 shtator 2001- Dear Sami:…..(The liberation of Kosova) could not have prevailed had not you and the others spent years patiently educating the American public, and more important our political leaders, of the serious problem posed by Serb repression of the Albanians there. You may be justly proud of what you have accomplished. No, you did not do it single-handedly, but I doubt that without your long efforts American political leaders could have acted as they did. With warm personal regards. Ambasador William E. Ryerson” ( a great friend of the Albanian people, SR)