40 vjetori i vdekjes së magjistër Agron Lucaj: Tubim përkujtimor i Fondit Humanitar Trieshi në New York

Nga Beqir Sina

BRONX NY : Të dielën (17 tetor) Fondi Humanitar TRIESHI me veprimtari në SHBA, organizoi tubim përkujtimor me rastin e 40 vjetorit të vdekjes së magjister Agron Lucaj, në lokalin e njohur “Tesoro D’Italia”, në Pleasentville NY.
Në këtë tubim morën pjesë veprimtar dhe personalitete, aktivistë të komunitetit shqiptare,mysafirë nga  vendlindja.
 Televizioni Kultura Shqiptare, në New York, e cila e filmoi eventin përkujtimor në kujtim të profesorit Agron Lucaj, do të trasmetojë dhe vdieo koronikën në platformën e ALB-TV kanali 26 .
Në 18 Shtator 40-vjetori i ndarjes nga jeta të Agron Lucaj. 
“Ky ishte malësori i parë me emrin Agron në Malësinë tonë. Kështjella e mbretit Ilir Agron dhe mbretëreshës Teuta në Medun që është vetëm 15 kilometra larg nga vendlindja e Agronit.” ka thënë Gjek Gjonlekaj – ish gazetar i Zërit të Amerikës.

ACTV,  thotë se ceremonia përkujtimore filloi në shenjë respekti me mbajtjen e një minute heshtje për të ndjerin Profesor Agron Lucaj.  
Ndërkaq, këtë tubimin përkujtimor e moderoi Kolë Cacaj, kryetar i Fondit TRIESHI, në New York,  i cili ndër të tjera pohoi edhe një here se Dr. Agron Lucaj, ishte një djalë i shkëlqyer i shkolluar në universitete prestigjioze, një djalë i mrekullueshëm që bën krenar çdo malësor e shqiptar. 
Më pas Cacaj – ka lexuar shkrimin e z.Fikret Lulanaj, shkruar për të ndjerin Agron Lucaj ku ndër të tjera ai thotë se Dr. Agroni ishte “Ylli shkencor që shëndrit qiellin e Malësisë. Emër i lartë në fushën e shkencës, emër që lartëson emrin e universiteteve të shquara dhe të çdo shqiptari”.
 Bashkëkohës, dhe bashkëvendas të profesorit të ndjerë, njohës të mirë të jetës dhe veprës së tij, nëpërmjet kujtimeve sollën kujtime të bukura dhe të dhimbshme.
Doktor Palok Camaj, i cili është njëri prej bashkëkohësve të Dr. Agronit në kohën e studimeve të doktoraturës , e kujtojë Agron Lucaj, në përshkrimin e tij,: si një djal me zemër shqiptari të madhe e zemër malësori të fortë. Dr. Camaj, duke folur për kohën studentore me Agronin në Prishtinë, Zagreb, Prizren, e përshkrojë formimin e tij, të peripecitë të jetës së Agronit, dhe dëshirën profesorit të ndjerë për kontribuar në Malësi. 

Zef Gjokaj i ardhur enkas nga Malësia me ftesë të organizatorit të këtij tubimi,  në kumtesën përkujtimore tha se: “Jam këtu për të ndarë me ju kujtime të bukura e të dhimbshme për mikun tim Agron Lucaj”.( Kumetesen e plote mund ta lexoni ne fund te kronikes) 

Ish-gazetari i Zërit të Amerikës, Gjek Gjonlekaj, publicist i njohur,  i cili dy vjet më parë,(https://ulqini-online.com/sajti/?p=23357), ka shkruar një artikull të gjatë për jetën dhe veprën e Dr. Agron Lucaj, rikujtojë atë se armiqtë e shqiptarëve i kishin inat njerëzit e dijes. 
Ndërsa foli për Dr. Agron Lucaj, ai nuk la pa permendur edhe Gjon Gjekën, babain e Dr. Agronit si patriot të madh dhe ndërtimin e identitetit kombëtar tek heroi i kombit Shqiptar Gjergj Kastrioti.    Madje,Gjonlekaj, sygjeroi se edhe Shkolla e Trieshit, duhet ta kujtojë dhe përkujtojë Agron Lucajn si i pari malësor me emrin Agron dhe pë kontributin e tij në shkencë, në shenjë nderimi e respekti për këtë përsonalitet.
Kol Gjelaj referoi në kumtesën e tij profilin e Agronit të ardhur nëpërmjet profesorëve, miqve, kolegëve, studentëve bashkëkohës të Agronit
Dr. Lena Lucaj Kolçaj, vajza e Zefit, mbesa e Agronit, dërgoi një letër që e lexoi Kol Gjelaj. Ajo falenderoi organizatorët dhe pjesëmarrësit dhe u ndal te roli i Dr. Agronit dhe ndikimi në formimin e saj. Ai pati një ndikimin tek të gjithë ne përtej jetës së tij. 
Pjetër Lucaj, nipi i Profesor Agronit shprehu mirënjohje të thellë e respekt në emër të familjes për pjesëmarrësit, kumtuesit dhe organizatorët në këtë tubim përkujtimor. 
Në këtë kujtim përkujtimor ka folur edhe shkrimtari e poeti Mëhill Velaj, i cili është ndalur te roli dhe figura e Agronit si shqiptar dhe si shkencëtar dhe kërkoi që ti propozohet Universitetit të Prishtinës titulli i lartë i nderit Honoris Causa për Agron Lucajn. 
Veprimtari Xheladin Zeneli – shkrimtar e publicist,  i cili përshëndeti fondin Trieshi dhe familjen për këtë organizim madhështor dhe u fokusua te roli i Dr.Agronit si shqiptar i suksesshëm me ndikim kombëtar e ndërkombëtar, postojë në statusin e tij fotografitë nga ky tubim dhe shënoi :
Në tubimin përkujtimor me rastin e 40 vjetorit të vdekjes së magjistrit Agron Lucaj (1949-1981), organizuar nga Fondi Humanitar “Trieshi” në New York. 
Agron Lucaj ishte magjistër i Fizikës Molekulare, ndërsa e humbi jetën gjatë kohës kur ishte duke studiuar për mbrojtjen e tezës së disertacionit në lendën e Fizikës Nukleare në Universitetin e Zagrebit.
I ndjeri Lucaj , një shkencëtar i ri dhe më shumë përspektivë , humbi jetën në mënyrë tragjike në moshën 31 vjeçare dhe në rrethane ende deri më sot të panjohura . Kjo ishte atëherë një humbje tepër e madhe jo vetëm për Malësinë por për gjithë hapësirën shqiptare. (Për më shumë lidhur me jetën e të ndjerit magjistër Agron Lucaj, mund të lexoni shkrimin e z. Gjekë Gjonlekaj e vitit 2019 https://ulqini-online.com/sajti/?p=23357)
Ai në fund të këtij shënimi falenderoj kryetarin e Fondit Humanitar “Trieshi” , z.Kolë Cacaj për ftesën dhe për respektin e treguar, kurse vëllezëzit Lucaj, pronarët e restaurantit “ Tesoro D’Italia”përndryshe nipat e të ndjerit Agron Lucaj, për mikpritjen dhe bujarinë e tyre shqiptare.
 Përfaqësuesi i Shoqatës Malësia e Madhe Shaqir Gjokaj si bashkëvendas I Dr Agron Lucaj falenderoi organizatorët e kësaj përkujtimore jubilare, të gjithë folësit e pjesëmarrësit dhe veçanërisht organizatorët për organizimin. 
Dr. Pashko Camaj përshëndeti në emër të Vatrës dhe foli për rëndësinë e kremtimit të kësaj ngjarjeje dhe arritjet e Dr. Agronit në shkencë si një mision i papërfunduar. 
Vëllezërit Lucaj, Marku, Gjoka dhe Pjetri shprehën mirënjohje për të gjithë të pranishmit dhe shtruan një drekë vëllazërore në përkujtim të axhës së tyre të dashur dhe të paharruar Profesor Agron Lucaj. 

Mysafir special i mbrëmjes i cili dhe bëri hapjen e këtij aktiviteti përkujtimor lexoi kumtesën e tij të cilën na e dërgoi të plotë : 
Fjala  përkujtimore e z. Zef Gjokaj me rastin e përkujtimit të 40-vjetorit të vdekjes së mr. Agron Lucaj
Të nderuar vëllezër  e motra!
Të nderuar bashkëvendës  e bashkëkombës mërgimtarë!
I nderuar kryetar dhe kryesi e Fondit Humanitar “Trieshi”!
Të nderuar familjarë të patriotit dhe veprimtarit  të shquar, Gjon Gjekë Lucaj!
Të  nderuar të pranishëm të tjerë në këtë aktivitet përkujtimor, me rastin e shënimit të dyzet – vjetorit të vdekjes tragjike  të birit të Malësisë, Agron Gjon Gjekë Lucaj, pranoni përshëndetjet e mia nga vendlindja  jonë e përbashkët.  Ndihem i nderuar dhe  privilegjuar që ndodhem para jush, me ftesën e   Kryesisë së Fondit Humanitar “Trieshi”,  të  ndaj me ju  kujtimet e mia,  të bukura, e  të dhimbëshme për bashkëvendësin, shokun e mikun tim të përjetshëm Agron Gjon Gjekën, të cilat edhe pas 40 -viteve, i  mbaj  të freskëta në kujtesën dhe shpirtin tim. 
Fillimisht falënderoj  përzemërsisht Fondin Humanitar “Trieshi”  dhe  donatorët e tij , që tashmë janë zë i fuqishëm i zhvillimit të përgjithshëm të vendlindjes tonë të dashur.
Historia shqiptare e gjysmëshekullit të fundit është e lidhur në mënyrë të ngushtë me emigracionin. Kjo plagë e shoqërisë shqiptare ka përfshirë dukshëm edhe   Treishin dhe krahinat tjera të Malësisë. Shpërnguljet dhe migrimet masive  kanë bërë të vetën. Sot fshatrat kanë mbetur pa banorë. Shtëpitë po rrënohen. Gërmadhat   e shtëpive të dikurshme, të cilat duken se nga viti në vit, po bëhen një me tokën,  tani kanë mbetur  vetëm në kujtimet se në Triesh  jo shumë kaherë ka pasur gjallëri.   E, kjo nuk është mirë.  Por, për ringjalljen e jetës   në këtë vendbanim të lashtë , ku janë ruajtur në periudha të ndryshme  të historisë,  virtytet më të larta  të kombit tonë, po përkujdesen maksimalisht    bijtë dhe bijat e  kësaj trevë  shqiptare  të shpërndarë në shtete të ndryshme të Evropës dhe Botës, të tubuar  në Fondin Humanitar “ Trieshi” . Me investimet   e këtij fondi  në infrastrukturë   ky vendbanim malor  midis maleve e pyjeve, me një bukuri të rrallë natyrore, me një klimë të shëndetshme e ajër të pastër, janë një shembull se si duhet vendlindja. Rruga e asfaltuar, shkolla  nëntëvjeçare e modernizuar,  shtëpia e kulturës,  objektet  e bukura fetare, shitorja, shtëpitë riparuara, përmendoret e figurave të ndritura vendore,  kombëtare dhe fetare,  me të cilët krenohemi me të drejtë ,  janë vetëm  një pjesë të një mozaiku e imazhi të ri   të Trieshit që japin shpresë për një të ardhme më të ndritur  të këtij vendbanimi. 
Për arsye kohe nuk  do të flasë për gjithë atë plejadë  të tërë intelektualësh , burra të besës e trima të lirisë   të  cilët  bënë emër dhe fituan  famë të madhe , madje edhe në qendra të njohura jashtë vendit , në fushën e kulturës, arsimit, shkencës e tjerë. Në mesin e këtyre  njerëzve të  mëdhenj , që u përkundën në  djepin e Trieshit,   gjithësesi është edhe protagonisti kryesor i këtij aktiviteti, Agron  Lucaj.
Të flasësh për jetën dhe veprën e  Agronit pa emocione është   e vështirë, sepse e kisha bashkëvendës. Shokë shkolle  në vendlindje ,  për një kohë  ishim studentë  të afërmë në Kosovë dhe së fundmi   edhe mik të shtëpisë.  Lindi në fshatin Stjepoh – Triesh  në vitin 1949 . Shkollën fillore e kreu në  vendlindje me sukses të shkëlqyer. U dallua  jo vetëm për dije e inteligjencë, por edhe për sjellje të veçantë e maturi , që tejkalonin  moshën e tij. Shkollën e mesme  pesëvjeçare të mësuesisë e përfundon  në Prishtinë.  Në vitin shkollor 1969/70 regjistrohet në Fakultetin e Shkencave Matematikore  – UP në drejtimin e fizikës , ku edhe diplomoi në afat  rekord.
Me dëshirën e tij  dhe mbështetjen e prindërve regjistroi studimet pasuniversitare në Universitetin “ Rugjer Boshkoviq”, në Zagreb – në grupin  Fizika Atomike Molekulare, të cilat i kreu me sukses të lartë, dhe merr titullin shkencor magjistër, në vitin 1979. Ka punuar si asistent  dhe ka ligjëruar disa vite në Institutin e Fizikës dhe të Matematikës panë Univesitetit të Prishtinës.
Agroni edhe  pse kishte një arsimim të lartë ishte njeri  i thjesht e  modest, nuanca cilësore të kundërta me kryelartësinë,  mendjemadhësinë dhe krenarinë. Për shkak të thjeshtësisë dhe modestisë së tij gëzonte autoritet në mesin e  shokëve dhe kolegëve. I ndihmonte studentët në çdo rast kur  kërkonin nga ai. Veçmas i ndihmoi dhe  i përkrahu studentët nga Malësia, por jo vetëm, duke u dhënë këshilla  nga përvoja e tij.
Unë personalisht nuk i jap vetes të drejt  të vlerësoj arritjet shkencore të Agron Lucajt, në fushën  fizikës molekulare,  sepse nuk i takoi kësaj lëmi. Por e di se  tema e magjistraturës dhe punimi i përgatitur i doktoratës në qarqet shkencore  cilësohen si arritje të larta shkencore. Leksionet e tij u vlerësuan shumë nga studentët  e Universitetit të Prishtinës. Përveç cilësive të tij si  profesor universiteti ai karakterizohej nga vlera morale, drejtësinë e tij, virtytet e tij njerëzore dhe etike. Andaj, do të fokusohem  tek ditët e fundit të jetës së tij, si dëshmitar i gjallë  i asaj ditë  shumë të dhimbshme, jo vetëm për familjarët e tij, por edhe për të gjithë ata  që e njihnin, bashkëpunonin apo shoqëroheshin me të. Dua të shpalosë para jush fakte, e  jo insinuata, trillime e deklarime  sensacionale  të dëgjuara deri më sot për vdekjen e Agronit, të cilat,  me ose pa qëllim të keq, kanë shkaktuar paqartësi, huti  dhe kanë prekur në dinjitetin njerëzor të familjes dhe të afërmve të tij.
Lajmi i parë për aksidentin tragjik të Agron Lucajt u kumtua  në një rast vdekjeje në fshatin Luhar të Malësisë.  Njerëzit me pikëllim të lartë e pranuan këtë informacion të trishtë.  Zemra e vëllait të Agronit, Nikollës i cili ishte i pranishëm në këtë ceremoni  mortore, u copëtua nga dhimbja. Iu afrova, u shtrëngova fort, për ta ngushëlluar. 
U nisëm së bashku për në  Titograd ( Podgoricë),  me qëllim që të mbërrijmë sa më parë në Zagreb. Mundësia e vetme për të shkuar atje ishte me  makinë. Po atë ditë, më datë 16.09.1981 u nisëm drejt Zagrebit, në shoqërim të mësuesit Gjon Tomë Berishaj dhe vajzës së tij Leonorës,  të fejuarës së Agronit. Pas  gjashtëmbëdhjetë orë udhëtimi  arritëm në  Spitalin e Zagrebit – në Repartin e Traumatologjisë, ku ishte shtruar për shërim Agroni. 
Punëtorët shëndetësorë të këtij spitali na pritën shumë mirë. Na njoftuan hollësisht me lëndimet   e frakturave të trupit të tij. Plagë më të rënda, siç na njoftuan mjekët,  kishte pësuar në kokë dhe informatat e para nuk ishin aspak shpresëdhënëse. Në ambientet e spitalit  qëndruam tërë ditën. Aty  erdhën numër i madh studentësh nga Zagrebi e Lubjana. Në mbrëmje mbërrini vëllai i  Agronit Zefi nga Gjermania dhe disa kolegë e shokë të tij nga Prishtina. Aty përjetuam  një stres të paparë, ankth të madh i cili na shtrëngonte gjoksin, sikur  donte të na plas. Nuk mund të gjenim qetësi. Ndërkohë që mjekët specialistë dhe infermierët   po e trajtonin  në mënyrë profesionale   dhe nuk kursenin asgjë për t’ia shpëtuar jetën  Agronit , i cili  ishte në luftë të ashpër mes jetës dhe vdekjes.
Me dëshirë të  mësojmë se si ndodhi aksidenti, në të cilin Agroni  përjetoi  lëndime të rënda trupore, shkuam në polici,  e pastaj  edhe në vendngjarje para ndërtesës së Komunës së Zagrebit, ku komunikacioni rregullohej me  sinjalistikë moderne.  Sipas shpjegimeve zyrtare Policisë Rrugore të qytetit të Zagrebit ( Kroaci) ) ngjarja tragjike ndodhi në ora 21:oo, teksa  Agroni po kthehej  nga një kurs i gjuhës angleze, sigurisht i thelluar në mendime,  kalon  rrugën me  dy semaforë me ngjyrë jeshile, ndërsa semafori  i tretë mbyllet për këmbësorët për t’ia mundësuar kalimin tramvait. Agroni,  duke mos e vërejtur  se ishte ndezur  ngjyra e  kuqe e semaforit  kishte  tentuar të kalojë  rrugën me shina, por  në atë  moment   u godit nga tramvaii.  Kjo , është e vërteta e këtij aksidenti  tragjik. Çdo rrëfim tjetër  është i pavërtetë dhe gënjeshtër. 
Agroni, nuk arriti t’i mbijetonte këtij aksidenti tragjik.
Ai ndërroi jetë, në moshën 32 vjeçare, tri ditë pas  ngjarjes tragjike,  ditën e premte me  datë  19.09.1981,  nga plagët e marra në përplasjen e fuqishme  me tramvain. Vëllai i tij Zefi ishte i pranishëm në momentin kur  personeli mjekësor i spitalit të Zagrebit po e përgatiste  trupin e pajetë të Agronit  në arkivolin e blinduar për ta  nisur për në vendlindje. Moment mjaft rrëqethës ishte kur Zefi e përqafoi  për herë të fundit të vëllain e vet para se të mbyllej dera e arkivolit. O Zot, mos e përjetoftë  kush?
Lajmi i hidhur  për ndarjen e parakohshme nga jeta e këtij  intelektuali  në kulmet e arritjeve shkencore na tronditi  të gjithëve  pa masë. Mes dhimbjes dhe lotëve , Agron Lucajt iu dha lamtumira  e fundit në ceremoninë mortore  që u zhvillua në  fshatin Stjepoh.  Atë ditë zie për të gjithë shqiptarët, qindra qytetarë të Malësisë,  Kosovës, trevave tjera shqiptare  dhe të diasporës i dhanë nderimin e fundit, që nuk ishte parë ndonjëherë në Malësi. Nga pikëllimi ushtonte  Suka, Kazheniku e malet përreth. Qante Trieshi, lotonte  Malësia, qanin  mbi arkivol  jo vetëm familjarët dhe të afërmit, por qindra qytetarë të tjerë të cilët kishin ardhur për u dhënë forcë e kurajë më të dashurve  e tij të zemrës, ata uleshin në gjunj, luteshin me duar ndgitur e shiqim lartë në qiell dhe vajtonin pa pushim për njeriun më të dashur. Pas varrimit të Agronit familjen e tij e ngushëlluan kohë pas kohe  kolegë e bashkëveprimtar  nga shume qëndra universitare , të cilët sjellën dhurata në shenjë respekti e nderimi për të . Por dhurata më domethënëse ishte ajo  nga kolegët e Agronit nga Prishtina , të cilët i dorëzuan nënës së tij   një shumë parash për ngritjen e një busti mbi varrezën e Agronit, i cili  do të shërbente si një emblemë e pavdekshmërisë.
Në përfundim, duhet theksuar, se veprimtaria e tij  shkencore, praktika e përvoja e gjallë e  lënë përgjysmë, puna organizative dhe aktivitetet e tij publike i japin Agron Lucajt jetëgjatësinë dhe pavdekësinë, duke na kujtuar “Fjalët e qiririt” të Naimit:
“Kur më shihni se jam tretur, Mos pandehni se kam vdekur”!… Jam i gjallë e jam në jetë. jam në dritët të vërtetë, ”.
I përjetshëm qoftë  kujtimi për magjistër Agron Lucaj.
Zoti e mëshiroftë!\