46 viktima, mes tyre 12 fëmijë nga djegia e autobusit me targa të RVM në Bullgari

Të paktën 46 persona kanë humbur jetën, shumica prej tyre nga Maqedonia e Veriut, pasi  një autobus  ka marrë flakë në një autostradë në Bullgari, në orët e para të ditës së sotme (23 nëntor), tha një zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme bullgare.

Mësohet se mes viktimave 12 janë fëmijë, raporton agjencia bullgare e lajmeve BGNES.

“Të paktën 45 persona kanë vdekur pasi një autobus është përfshirë nga flakët dhe është përplasur, apo është përplasur edhe më pas është përfshirë nga flakët”, ka thënë Nikolov.

Ministria e tij më vonë e ka përditësuar numrin në 46.

Shtatë persona arritën të shpëtonin nga aksidenti, e u  dërguan me urgjencë në departamentin e urgjencës të një spitali të Sofjes, tha për “BTV” Nikolai Nikolov, një zyrtar i Ministrisë së Brendshme bullgar.

Z. Nikolov tha se ende nuk është e qartë nëse zjarri ka shkaktuar aksidentin në të cilin është përfshirë autobusi, ose nëse aksidenti shkaktoi zjarrin.

Tragjedia ndodhi rreth orës 01:00 (me orën e Shqipërisë) në një pjesë të rrjetit rrugor rreth 40 kilometra në jug të Sofjes.

Vendi i aksidentit është rrethuar nga policia.

Shumica e viktimave ishin shtetas të Maqedonisë veriore, tha për BTV një diplomat në ambasadën e vendit në Sofje.

oranews

Comment

*