50 kg. tritol gurore në impiantin e çimentos dhe heshtja për dyshen durrsake L.H dhe A.L

Prona ku ishte vendosur sasia e madhe e tritolit, është në pronësi të dy shtetasve gjermanë dhe një shtetasi Bullgar. Por në fakt toka ku është ngritur ky biznes, është e dy emrave jo të panjohur për policinë
 
Elton Qyno

Vendosja e 50 kg tritol në impiantin e një fabrike çimentoje në Durrës, tregon edhe një herë tjetër se sa seriozisht e ka Krimi i Organizuar, kur dëshiron të të shkatërojë, me një goditje të vetme.
Ajo që ka ndodhur në Durrës tre ditë më parë, nuk mbaj mend të jetë përsëritur ndonjëherë në këto 20 vitet e fundit.
50 kg tritol, e ndarë në 25 kallëpë të veçantë dhe të lidhur me kapsolla e fitila në dy polet plus-minus të një baterie makine, s’mund ta bëjë një njeri dosido, por vetëm një komando xhenierësh të përgatitur dhe me njohuri të posaçme për atë punë.
Tre persona të veshur si ushtarakë, kishin lidhur 25 kallëpë tritoli, duke i shpërndarë në mënyrë të ç’regullt në kollonat mbajtëse të impiantit të prodhimit të çimentos dhe disa automjete.
Tritoli s’ka shpërthyer për shkak të voltazhit të ulët të baterisë së makinës.Ndërsa tashmë policisë dhe prokurorisë së Durrësit i ka mbetur në dorë vetëm kallëpët e tritolit.
Këto kallëpë janë identikë si ata që përdorin kompanintë e guroreve në Fushë-Krujë. Vetëm një copë kallëp tritol kushton diku tek 500 euro. Llogari 25 copë të tillë me këtë çmim, dhe del vetë llogaria.
Vetëm baza materiale shkon diku tek 12 mijë e 500 euro. Shto këto dhe pagesën për këta tre ustallarët dhe makinën e përdorur për tu larguar nga vendgjarja, dhe të del se llogaria e shpenzimit fryhet goxha për këtë sulm me eksploziv.
Prona ku ishte vendosur sasia e madhe e tritolit, është në pronësi të dy shtetasve Gjermanë dhe një shtetasi Bullgar. Por në fakt toka ku është ngritur ky biznes, është e dy emrave jo të panjohur për policinë.
Njëri është L.H nga Durrësi dhe tjetri është A.L, nga Laçi me qëndrim në Durrës. Të dy janë persona me kartela policore dhe kanë një ndikim të jashtëzakonshëm në Durrës. Por ka 4 ditë që ka ndodhur ngjarja dhe askush nuk flet për këta tipat.
Madje as pronarët e biznesit të çimentos nuk flasim, megjithëse kanë hyrë në një marëdhënie tregtare ende të paqartë me këta dy persona.Ata kanë deklaruar se nuk kanë konflikte me askënd.
Por mund të impenjohet dikush që në mes të natës të ngrihet dhe të vendosi 50 kg tritol, tek një person apo një biznes që nuk e lidh asgjë, as interesi, as konflikti apo qofte dhe diçka tjetër?
Vërtiten nga vërtitet Grupi e Hetimit dhe sërisht të gjitha dyshimet e arsyeshme tek kjo dyshe i nxjer. Tani të presim hetimet dhe të shohim se kush do jenë tre Ekspertët e grupit të xhenios që instaluan 25 kallëpë tritoli në impiantin e çimentos.
Ekspertë këta që do i kishin zili dhe ata ushtarakët që përdorte Zyhdi Dajti, (Rahmet Pastë), që prishte me tritol ndërtimet pa lejë.
Sigurisht që do presim hetimet nëse kjo dyshe ka një rol onorifik në këtë ngjarje apo periferik, duke u lakuar krejt rastësisht…