50 vjet të librit poetik “Njeriu vdes i ri” të Sabri Hamitit

This image has an empty alt attribute; its file name is Muhamet-Hamiti-7-640x400.jpg

Muhamet HAMITI

Sabri Hamiti ka botuar librin e vet të parë poetik para 50 vjetësh. Libri “Njeriu vdes i ri” doli nga shtypi, në tirazh prej 1500 kopjesh, në prill të vitit 1972, një muaj para se poeti të mbushte 22 vjet. Poezitë janë në të vërtetë të poetit djaloshar, njëzetvjeçar.

Tridhjetë vjet më vonë, më 2002, ky libër, pa asnjë ndryshim, është ribotuar në kompletin e veprave të Sabri Hamitit në 10 vëllime, botuar në Prishtinë. Poezi të veçanta janë botuar edhe në përzgjedhje poezish.

Atë dekadë, në vitet ’70 të shekullit të kaluar, Hamiti botoi edhe tre libra të tjerë poetikë, “Faqe e fund” (1973), “Thikë harrimi” (1975), dhe “Trungu ilir” (1979). Prej dhjetë librave poetikë, “Trungu ilir” mbetet edhe sot libër kult poetik për lexuesit e poezisë shqipe. Libri ka pasë marrë çmimet kryesore letrare të vitit, nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës dhe Shtëpia Botuese Rilindja.

Botimi i veprës “Njeriu vdes i ri” del të ketë shkaktuar një shok (tronditje) kulturore në skenën letrare të Prishtinës. Ishte poezi e re shqipe, poezi e gjuhës, estetikë e fshehur, në ambientin me letërsi mbizotëruese sociale e socialiste. Lexuesi i paushqyer me këto; i pamësuar me ironinë filozofike, po ashtu.

Kritiku letrar Mensur Raifi, që do të bëhej profesor i njohur i letërsisë frënge në Universitet, e quante “orientim i ri i poezisë shqipe” poezinë e Sabri Hamitit. Në shkrimin me këtë titull, Raifi bënte që në fillim karakterizimin esencial të kësaj poezie:

“Brezi më i ri i poetëve kosovarë sipas të gjitha gjasave dhe veçanërisht duke u mbështetur në përmbledhjen e parë të vjershave të Sabri Hamitit nuk është fare migjenian, po pikërisht lasgushjan: është ky brez që di të nxjerrë mësime largparëse nga tradita poetike në gjuhën shqipe, të ruajë vlerat e saj të përhershme dhe të krijojë një kontinuitet. Impulsi i këtyre përpjekjeve avanson kërkesën që të kuptohet gjuha jo vetëm si një instrument i thjeshtë e i komunikimit elementar, por si çelës imanent i vlerave kreative. Forma substanciale e gjuhës, pasurimi i saj me bukuri tingullore, me ekspresivitet sintaktik, me gjeturi procedimesh të tjera individuale përcaktojnë funksionalitetin e fjalës poetike. Kjo, në mos qoftë “zbulim”, me siguri është një ripohim dhe, për kushtet tona, shumë i domosdoshëm.”

Mensur Raifi veneronte “tërësinë koherente” të librit “Njeriu vdes i ri”, që në një mënyrë donte të thoshte se ky është libër i lidhur poetik më parë sesa përmbledhje vjershash. Libri i lidhur bëhet veçanti e veprës poetike të Hamitit përgjithësisht, siç e dëshmojnë librat e tij, deri te më i riu, “Kukuta e Sokratit”, botuar më 2018.

Në një tekst të vitit 1973, mbasi doli libri i dytë poetik i Hamitit, “Faqe e fund”, Mensur Raifi botoi një shkrim të shkurtër (“Vrasje poetike”), që i bënte lexim analitik (një ‘close reading’) poezisë së shkurtër “Kohë e faqe”, që kishte mbyllur librin e parë dhe hapte të dytin, dhe dëftonte me terma skatologjikë një dezintegrim moral të njeriut, që, me sa shihej, s’ishte kuptuar, ose ishte keqkuptuar prej lexuesit të pamësuar.

Gazeta letrare “Fjala” e Prishtinë, teksa paraqiste librin e sapobotuar, fliste për poezi moderniste të Hamitit, e saktë në kategorizim, por në kuptimin mospëlqyes kjo ‘moderniste’, sepse poeti “po huazonte elemente të poezisë së huaj – asaj perëndimore”, siç shkruante recensuesi pa emër.

Për poezinë e Sabri Hamitit kishin shkruar në vitin 1972 edhe poetët Beqir Musliu, në Prishtinë, dhe Dritëro Agolli, në Tiranë.

Emra pak të njohur ose të panjohur sot kishin shfaqur në shtypin e kohës parehati me shfaqjen e poezisë së re të Sabri Hamitit dhe të brezit të ri të poetëve të Kosovës, të atyre që sot njihen si poetët më përfaqësues të poezisë shqipe.

Ibrahim Rugova u bë studiuesi më sistematik i poezisë së Sabri Hamitit në vitet 70’ dhe 80’. Në vitin 2013 shkrimet e Rugovës u botuan në libër më vete me titull “Sistemi poetik i Sabri Hamitit”, botuar në Tiranë. 

Studiuesi më sistematik i letërsisë së Hamitit në shekullin e ri është Nysret Krasniqi, i cili ka botuar një libër monografik për shkrimtarin në vitin 2011, ndërsa te libri i tij “Letërsia e Kosovës” (2016) e situon Hamitin në qendër të letërsisë moderne shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Poezia e librit të parë, “Njeriu vdes i ri”, si poezia që e shkruan sot, mban shenjat e Poetit të gjuhës shqipe, të freskët, të gjallë, pjesë e traditës që e ruan dhe e krijon edhe vetë Sabri Hamiti.