54,000 dollarë për një kopje libri të firmosur nga Donald Trump

Një libër të cilin ish-presidenti Donald Trump ia kishte dhuruar mikut të tij Rudy Giuliani, sapo është shitur në ankand për 54,143 dollarë.

Libri, me titullin “Amerika që meritojmë” është botuar në vitin 2000 kur Donald Trump mendohej se do të kandidonte për president në emër të Partisë së Reformës, kurse Rudy Giuliani ishte kryetari i Bashkisë së New York-ut. (Sipas anketimeve, përballë republikanit George W Bush dhe demokratit Al Gore, Trump do të merrte 7% të votës. Në fund, Trump vendosi të mos kandidojë.)

Brenda librit është shënimi nga Trump:

“Janar 2000.

Rudy-t.

Kryebashkiakun më të mirë që ka pasur ndonjëherë New York City.

Premtoj se nuk do të kandidoj kurrë kundër teje.

Donald”

Nuk dihet nëse ka qenë vetë Rudy Giuliani që e ka nxjerrë librin me autograf në shitje apo ka qenë dikush tjetër. (r. a.)