79 deputetë votuan Lindita Nikollën kryetare të re të Kuvendit

Socialistja Lindita Nikolla u votua nga 79 deputetë si Kryetare e re e Kuvendit. Socialistët në mandatin e tretë qeverisës thanë se zonja Nikolla nuk ka nxitur kurrë konflikte. Opozita demokratike grisi fletëvotimet dhe kërkoi betejë kundër kryeministrit Edi Rama, që e quajti “armik” të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Knid Ndrenika

79 deputetë e zgjodhën Lindita Nilkollën nga Partia Socialiste, Kryetare të re të Kuvendit të Shqipërisë të konstituuar paraditen e kësaj të enjteje.Seanca e pasdrekes u shoqërua me grisjen e fletëve të votimit nga Partia Demokratike opozitare për kryekuvendaren e re Nikolla.

E ngërthyer nga çarja për përjashtimin nga grupi demokrat të dy herë ish-kryeministrit dhe ish-presidentit Sali Berisha, opozita u përpoq të jepte mesazhin e mospajtimit për zgjedhjen e zonjës Nikolla si dhe ndaj qeverisjes së tretë radhazi që nga 2013 të kryeministrit Edi Rama.

Zoti Rama tha se mesazhi opozitar nuk ishte i duhur dhe theksoi se “Kuvendi ka në krye një grua të të respektuar nga të gjithë dhe patjetër edhe një politikane që asnjëherë nuk i ka fryrë zjarrit të konfliktit”.

“Është një lajm i mirë. Është një moment i mirë. Ky mandat do të jetë një mandat shumë i rëndësishëm në përpjekjet për të pastruar Shqipërisë. Po përgatitemi me një paketë të re që jo vetëm zonat turistike por edhe zonat rurale të kenë një raport tjetër me mjedisin. Ishte një gjest krejtësisht instiktiv. Qesen unë e kërkova aty sepse nuk e kisha aty”-tha kryeministri.

Kryetari demokrat Lulzim Basha vërejti se pikërisht kryeministri është “armiku” i shqiptarëve:

“Kam ndjekur me dhimbje të madhe reagimin e dr.Berishës, konsideratën për të cilin e kam shprehur, dhimbja që ndiej në nivel personal dhe njerëzor për vendimin është dyfishuar sot nga gjuha e zotit Berisha. Shpresoj dhe uroj që koha të jetë ilaçi më i mirë dhe të gjithë të fokusohemi tek armiku i vetëm që është regjimi i Edi Ramës. Shpreh keqardhjen e thellë që tezat e kundërshtarit të vetëm timin, e PD të Edi Ramës sot i kam të dëgjuar të artikuluara nga goja e një njeriu vlerësimin për kontributin e të cilit e kam thënë dje dhe e them edhe sot. Partia Demokratike nuk ka rrugë tjetër veçse e bashkuar për të prirur përpara për shqiptarët dhe Shqipërisë”-tha zoti Basha.

Kjo është Legjislatura e dhjetë e Kuvendit të Shqipërisë që ka 140 ulëse.

Më 25 prill Partia Socialiste fitoi 74 deputetë, opozita demokratike me “Aleancën për Ndryshim” 59, Socialdemokratët 3 dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 4.