8 mijë vëzhgues vendas e të huaj “skanojnë” zgjedhjet në Shqipëri

Drejtuesi i Misionit Vëzhgues Afatshkurtër të OSBE-së Roberto Batelli thotë që në rast se besimi i votuesve në institucionet demokratike dobësohet edhe më tej gjatë fushatës, do te jenë zgjedhësit ata që rrjedhimisht do të humbasin pavarësisht nga rezultati final

 

Dardan Malaj

Zgjedhjet kuvendare të 23 Qershorit në Shqipëri do të ndiqen nga afër prej mbi 8 mijë vëzhgues të huaj dhe të brendshëm. Rëndësia e këtij procesi dhe pritshmëria në raport me realizimin ose jo të standardeve ndërkombëtare ka aktivizuar shoqërinë civile dhe përfaqësuesit të organizmave të huaja që monitorojnë proceset zgjedhore.
Deri në datën 19 qershor rezultonin të regjistruara 24 organizata ndërkombëtare që do të vëzhgojnë procesin zgjedhor. Prej tyre 320 janë pjesë e misionit të OSBE/ODIHR-it ndërsa e njëjta skuadër ka në përbërje edhe 254 përkthyes. Gjithsej numri i monitoruesve ndërkombëtare arrin në 564 dhe do të shpërndahen në të gjithë vendin.
Pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë akredituar edhe 28 organizata vendore të cilat kanë depozituar emrat e 2402 vëzhguesve afatgjatë dhe 5187 vëzhguesve afatshkurtër që do të veprojnë në ditën e votimit të dielën.
Raporti më i rëndësishëm i monitorimit është ai i OSBE/ODIHR-it i cili do të mund të bëhet publik tetë javë pas zgjedhjeve dhe do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në ecurinë e mëtejshme të vendit në proceset integruese në Bashkimin Evropian.
Tre ditë përpara votimeve, drejtuesi i Misionit Vëzhgues Afatshkurtër të OSBE-së për zgjedhjet kuvendare të 2013-ës Roberto Batelli lëshon një mesazh publik për forcat politike dhe për qytetarët shqiptarë.
“Fatkeqësisht, ne kemi parë se disa institucione përgjegjëse për administrimin e zgjedhjeve janë kthyer në qendër të vëmendjes së fushatës elektorale. Në rast se besimi i votuesve në institucionet demokratike dobësohet edhe më tej gjatë fushatës elektorale, do te jetë elektorati shqiptarë ai që rrjedhimisht do të humbasë pavarësisht nga rezultati final”, vlerëson Batelli.
Sipas tij, sa kohë që kontradiktat afatgjata midis forcave kryesore politike kanë ndikuar sërish procesin e zgjedhjeve, është e drejtë të thuhet se politika dhe demokracia do të jenë në qendër të vëmendjes ditën e diel.
“Për të qenë të sigurt se procesi demokratik do të zhvillohet qetësisht, u kërkoj të gjithë anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor të marrin përsipër detyrat e tyre pa vonesë”, tha Batelli çka nënkupton një thirrje publike për tre anëtarët e dorëhequr muaj më parë e që ishin në KQZ si propozime të partive opozitare.
Opozita gjithsesi ka rezerva për rolin e Batellit i cili në jo pak raste është paraqitur si pjesë e manovrës që pretendohet se ka vënë në jetë Kryeministri Sali Berisha për të dubluar misionin e vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it i kryesuar amerikaneje Conny Mçormak.
Batelli ka vizituar Tiranën edhe pas zgjedhjeve kuvendare të vitit 2009 dhe ndërsa opozita kishte bojkotuar kuvendin e kërkonte hapjen e kutive, ai i kërkoi asaj të rikthehej në Kuvend dhe mbështeti qëndrimin e qeverisë.
Skepticizmi i opozitës bazohet edhe në faktin se “shefi” i Batellit në Asamblenë kuvendare të OSBE-së është austriaku ëolfgang Grossruck i cili njihet publikisht si një mik i kryeministrit Sali Berisha.
Batelli garantoi se nuk ka ardhur në Tiranë për të paragjykuar zgjedhjet por për të shpallur angazhimet e përbashkëta për liritë themelore kaq të domosdoshme në komunitetin tonë kolektiv të sigurisë.
“Zgjedhjet janë diçka më shumë se personalitetet në fletëvotim. Zgjedhjet testojnë jo vetëm cila parti është më e fortë por edhe gjithashtu se sa i shëndetshëm është vetë procesi dhe në të njëjtën kohë zgjedhjet janë shansi i një kombi për të afirmuar angazhimin e tij, për një qeverisje demokratike”, këmbënguli Batelli.