8 vende përbëjnë rrezik të lartë jete për shtetasit shqiptarë

Ministria e Jashtme publikon informacionin për udhëtimet dhe qëndrimet jashtë Shqipërisë – Për të qenë në kontakt me cilindo shtetas, ministria thotë se informacioni për vendet e rrezikshme mund të merret jo vetëm nëpërmje internetit, apo burimeve të tjera, por edhe zyrtarisht prej saj.

 

Denion Ndrenika

Ministria e Jashtme e Shqipërisë publikoi listën e tetë vendeve që nuk sugjerohen të jetë të destinuara për udhëtim nga shtetasit shqiptarë për shkak të rrezikshmërisë që përbëjnë për jetën e tyre. Në një njoftim të publikuar të hënën në mesditë, ministria e Jashtme theksoi se shtetet me rrezikshmëri të lartë që nuk u sugjerohen shtetasve të Shqipërisë janë Jemeni, Republika e Kongos, Afganistani, Libia, Mali, Somalia, Algjeria dhe Nigeria.
Në një informacion të përgjithshëm, ministria e Jashtme komunikoi se shpesh herë, njerëzit kanë dëshirë të udhëtojnë jashtë dhe larg vendit të tyre, për të mësuar më shumë rreth botës, për të shtuar njohuritë rreth kulturës, pasurive natyrore, tradicionale, arkeologjike për pjesë të ndryshme të globit. Bukuria e këtij proçesi në tërësi, na sjell kënaqësi, na relakson, na mbush me optimizëm dhe na ndihmon për të vazhduar me më shumë entuziazëm ritmin tonë të jetës. Por, sipas ministrisë, shpesh herë harrohet udhëtimet mund kthehen në ankth dhe disa herë të rrezikojnë edhe jetët. “Kërcënimi global i sulmeve terroriste dhe rrëmbimet vazhdojnë. Këto kërcënime mund të ndodhin në ndërtesa qeveritare dhe administrative, qendra tregëtare, avionë, trena, anije, hotele, vende fetare etj. E parë nga ky këndvështrim, Ministria e Punëve te Jashtme do të dëshironte që qytetarët e Republikës së Shqipërisë, në udhëtimet që ata të zhvillojnë të jenë të sigurt”-thuhet në njoftim.
Për të qenë në kontakt me cilindo shtetas, ministria thotë se informacioni për vendet e rrezikshme mund të merret jo vetëm nëpërmje internetit, apo burimeve të tjera, por edhe zyrtarisht prej saj.
Në faqen e saj online, ministria e Jashtme publikoi informacionin e nevojshëm dhe sugjeroi se, në cilat vende nuk mund të udhëtoni në mënyrë të sigurt, për shkak të situatës së brendshme. “Niveli i kërcënimit terrorist është i ndryshëm nga vendi në vend. Ka vende dhe rajone, ku organizatat terroriste janë aktive dhe terroristët kanë mbështetjen e popullatës lokale, ose për shkak të mungesës së masave të sigurisë efektive, aktet terroriste ose rrëmbimet, mund të kryhet relativisht lehtë. Zyra e Ministrisë së Jashtme ju këshillon që ta merrni këtë informacion ose me telefon, ose e-mail:
Ministria e Punëve të Jashtme
Bulevardi Zhan’Dark
Tel: 003552/2233293/
Tel: 003552/2362090 ext. 79159
e-mail: [email protected]”.
Në njoftim raportohet se ministria fuqimisht rekomandon që qyetarët duhet të informohen me kujdes më përpara, për kushtet e destinacionit. “Informacioni i MPJ-së, përmban: këshilla udhëtimi, informacion mjekësor, etj. Informacionet janë rishikuar dhe përditësuar rregullisht dhe është informacion i besueshëm. MPJ këshillon qytetarët e vet qe të marrin në konsideratë informacionet, paralajmërimet rekomandimet, që gjenden në faqen tonë. Por, sjellim në vëmëndje se vendimi përfundimtar mbi fillimin e një udhëtimi është përgjegjësi e vet udhëtarit”-përfundon njoftimi.

BOX
Vendet me rrezikshmëri të lartë:

Jemeni
Republika e Kongos
Afganistan
Libi
Nigeri
Mali
Somali
Algjeri