93 vjet më parë, Tiranës u shpall kryeqytet

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha tha se “ka ardhur koha që qytetit t’i shërbehet me sakrifica” – Berisha dhe Rama shkëmbejnë akuza ditën e përvjetorit

 

Denion Ndrenika

93-vjetori i themelimit të Tiranës si kryeqytet përveç kremtes së 11 shkurtit të vitit 1920, shënoi në 11 shkurt 2013, mospajtime dhe replika në largësi të udhëheqësve politikë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha tha se “ka ardhur koha që qytetit t’i shërbehet me sakrifica”.
Kryeministri Sali Berisha tha se ish-kryebashkiaku Edi Rama është mosmirënjohës ndaj votës së qytetarëve të Tiranë. Por, zoti Rama reagoi dhe tha se Tirana u pengua nga qeveria në vitet 2009-2011.

Veprimtaria

Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha çmoi rolin historik të familjeve të mëdha të Tiranës që mbeten kurdoherë garanci për kryeqytetin. Ai theksoi se Tirana është zemra e kombit.
Qeveria e kryeministrit Sulejman Delvina u bë e para që nisi zbatimin e vendimit të Kongresit të Lushnjes të janarit 1920 që caktoi Tiranën kryeqytet të Shqipërisë së pavarur. Zoti Basha foli në veprimtarinë përkujtimore për 93-vjetorin e themelimit të Tiranës si kryeqytet. Veprimtaria u zhvillua në sallën e Akademisë së Shkencave: “Para 93 vitesh në këtë godinë ndryshoi fati i qyteti tonë. E ardhmja ishte e paqartë, por banorët e Tiranës e mbrojtën qeverinë e Sulejman Delvinës. Ngrohtësia dhe mbështetja që gjeti qeveria në ditët e ftohta të shkurtit të vitit 1920 në shtëpitë, familjet dhe banorët e Tiranës ishte një inkurajim dhe garanci për të vazhduar përpara. Tani ka ardhur koha që këtij qyteti t’i shërbehet me sakrifica”. Zoti Basha hoqi një paralele mes kohërave të zymta kur Tirana nisi udhën kryeqytetase me ditët e sotme, që sipas tij ngjajnë për shkak të zhvillimeve apo personave që mbeten problematikë dhe bllokues.
Kryebashkiaku iu referua, por nuk përmendi me emër as Partinë Socialiste dhe as kryetarin e saj Edi Rama, ish-kryetar i Bashkisë së Tiranës në vitet 200-2011: “Ne sot jetojmë të lirë, por duhet të tregojmë respekt për familjet e mëdha të Tiranës, pasi i treguan skeptikëve që ky komb kishte te ardhme. Edhe atëherë kishte njerëz që ushtronin forcën e tyre për ta ndaluar Shqipërinë, por mbështetja që gjeti qeveria në vitin 1920 në familjet e Tiranës ishte garanci për të vijuar para. Tirana ishte zemra e kombit. Ne jetojmë sot në kryeqendrën e sipërmarrjes dhe studentëve. Nuk është e rastësishme që Tirana është ëndrra e të rinjve. Për fat të keqka pasur raste kur Tirana është shfrytëzuar për interesa ekonomike, është ndaluar festa dhe stolisja, është trajtuar si komunë e largët etj. Sot Tirana ka simbolet e saj”.
Në fjalën e tij kryeministri Sali Berisha, ndërsa e lidhi Tiranën me zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit, theksoi se kryeqyteti është lokomotiva e kombit: “Tirana sërish do të shndërrohet në një qendrat më të bukura jo vetëm të Shqipërisë, trojeve shqiptare, por edhe të rajonit dhe më gjerë! Me mençurinë e tyre më 23 qershor, qytetarët e Tiranës do të votojnë për qindra vitet e ardhshme si lokomotivë e këtij kombi drejt zhvillimit dhe Europës! Kryeministri shtoi se ish-kryebashkiaku Edi Rama është mosmirënjohës ndaj votës së qytetarëve të Tiranës.
Ndryshe nga zoti Basha, kryeministri ia ngarkoi përgjegjësinë e bllokimit të integrimit socialistit Edi Rama, kur ishte kryebashkiak dhe sot si kryepartiak: “Njeriu që qeverisi Tiranën për 11 vjet si shpërblim për votën e qytetarëve u mbyll derën e integrimit, e lë Tiranën në mënyrën më të paimagjinueshme jashtë listës, familjes të kryeqyteteve të vendeve anëtare të BE. Ai bëri gjithçka për karrigen e tij, por vetëm një karrige për qytetarët e Tiranës nuk e la. E bën këtë jashtë çdo lloj sensi mirënjohjeje për qytetarët, jashtë çdo lloj sensi respekti për vokacionin perëndimor, vokacion që ne shqiptarët, për të cilin janë bërë sakrifica më të jashtëzakonshme, sikundër janë bërë përpjekjet më të jashtëzakonshme për të na rrënuar këtë vokacion”.
Sakaq, për kryeministrin, që “në kohën e Skënderbeut përpjekjet për të pasur një kryeqytet u vështirësuan në shkallë ekstreme dhe fakti që ne sot festojmë 93-vjetorin dëshmon se edhe në ato vite ne mbetëm si një komb me një kryeqytet të vetëm”. “Kjo është një nga ngjarjet më të rëndësishme të kombit shqiptar pasi përveçse është themeluar kryeqyteti i shqiptarëve, por Tirana është shndërruar në kryeqytetin e kombit shqiptar. Në historinë e tyre të vështirë shqiptarët ia kanë dalë të krijojnë qendra të mëdha me rrezatim të fuqishëm në rajon dhe më gjerë”-tha ai.

Reagimi

Udhëheqës i Bashkisë së Tiranës pas tri fitoreve radhazi që nga viti 2000, Edi Rama nuk e la shumë kohë për t’iu përgjigjur kryeministrit. Ndonëse nuk doli në ndonjë foltore, zoti Rama komentoi në profilin e tij në rrjetin shoqëror “twitter” se puna e tij në kryeqytet u bllokua dhe pengua nga Berisha.
Duke përdorur gjithashtu 23 qershorin, por me ironi ndaj kryeministrit, zoti Rama tha: “Qeveria që do dalë nga vota për një Rilindje Shqiptare do bëjë për TR gjithçka u pengua nga pushteti i votave të vjedhura të 2009 e 2011! Jam dakord me Saliun, pas 23 qershorit, Tirana do njohë një hov të ri zhvillimi! Ne do risjellim fuqinë transformuese të fillimviteve 2000”!
Për 93-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet, do të zhvillohen konferenca dhe veprimtari të ndryshme festive.