93 vjet më parë zbriti për herë të parë në fushën e Kastriotit aeroplani për pasagjerë i Shoqërisë Italiane Adria Aereo Lloyd

Nga Pertefe Leka

Në këte udhëtim të parë pati shansin të ishte pasagjer Im Atë, i cili e përshkruan mbërritjen  në Kastriot pa asnjë ceremoni.                                                                                              

Ishte koha  kur gjithë qytetet e mëdha të Shqipërisë kishin fushat e aviacionit ku plotësoheshin  udhëtimet    e brendshme me shpejtësi , p.sh.Itinerari  nga Tirana në Kastriot bëhesh për 27 min.                                      

  Duke shfletuar ditarin e mësuesit Jahja Domnori për aktivitetin e tij në Zonen e Kastriotit 1928-31, mësojmë  konsideratat  e tij për dibranët të cilët në momente  kardinale  flasin me një gjuhë .

Ishin maturantët e parë të Gjimnazit të Shtetit ,Shkodër,dega pedagogjike,që morën bekimin e Drejtorit të kësaj shkollë Prof.Dr. Mirash Ivanaj, I cili I entuziazmuar nga  ky eveniment u shpreh: “Të jetë fatlume  e me fillim të mbarë ky hap me të cilin fillon Indipendenca  edhe në fushën Arsimore të Kombit Shqiptarë “  Pa asnjë hezitim  iu përgjigjen  kësaj thirrje  mësuesit e rinj Jahja Domnori, Refik Shpuza …të cilët u emëruan mësues në Kastriot  në vitin shkollor 1928. Datë kjo që  përkon  me procesin e ndryshimeve  në sistemin shkollor.Profesioni  si mësues të rinj i ngarkonte me përgjegjësi  dhe detyra te rëndesishme për të realizuar  kërkesat e kohës.Qeveria po merrte të gjitha masat e duhura  që të ndërtohej një sistem kombëtar.Për këte duhej të kapërceje  mbi një sërë shkollash  që kishin influencat  dhe qëllimet e veta.Kjo ndërrmarrje e qeverisë së Zogut  nuk qe e lehtë  për të unifikuar programet mësimore.Ndër të tjera,kishte për objektiv futjen e një rrjeti  të tërë shkollash fillore në tërë vendin, mbi bazën e sistemit me konvikt, për të gjithë ata fëmijë që banonin në zonat e largëta dhe nuk mund të përshkonin çdo ditë rrugën për të ndjekur mësimet.Me 8 dhjetor 1922,ministri i arsimit,Rexhep Mitrovica i drejtohej  kryeministrisë nevojën për hapjen e shkollave të reja,  por ndër të tjera theksonte:”Na kishim me qenë të mendjes që të ngrihen  dy internate, nji në Dibër e tjetri në Kosovë.. sepse deputetet  e Dibrës e të Kosovës na luten dita ditës të mirren në kujdes si krahina të harrueme e të qituna mbas shpine…”

Dibranët të njohur si arsimdashës,fillimisht, shkollat i hapen në shtëpitë e atyre, që kishin mundësi t’i përballonin. 

Në procesin e reformimit të sistemit arsimor  1922-1928  Qeveria  pati si prioritet hapjen e shkollave shtetërore dhe me programe të unifikuara.Kështu, Prefektura e Dibrës  me shkresën nr.345 datë 19.11.1925 kërkonte që ndërtesa për zyra komune në Kastriot të vihej në dispozicion të Internatit “Dibra” të Kastriotit.

Drejtori i parë i këtij Internati  ishte Haki Sharofi (mësues i përkushtuar,patriot,publicist,poet, fetar modern,demokrat i flaktë) i cili me 2 dhjetor 1923 emërohet drejtor në internatin e Peshkopisë,  fillimisht i hapur   në shtëpinë e Shehat Shehut.  

Nën drejtimin e Haki Sharofit internati “Dibra” i Kastriotit u bë një nga shkollat më në zë të vendit .Pas shumë  peripecishë ,(sepse H.Sharofi luftoi me armë në dorë  me Elez Isufin,  në ngjarjet e vitit 1924…) ai pati shumë  largime  nga puna dhe transferime.Por rikthehet përsëri në  Internatin Kastrioti në vitin shkollor 1927-1928 vetëm për një vit shkollor  dhe prej andej e transferuan në Internatin “Kosova” të Krumës.

Kështu në vitin shkollor 1928 -1929  drejtor  i  internatit  u emërua  Sali Morina i cili  krijoi nje kolektiv  me mësues nga  Shkodra, Jahja Domnori, Refik Shpuza,Abdulla Çanga dhe nga Normalja e Elbasanit Mustafa Shqerra. etj 

Mësuesi,Jahja Domnori,u emërua  mësues  dhe ekonomat pasi  kishte eksperiencë në këtë drejtim.

Të gjithë së bashku  me drejtorin në krye kIshin një kolektiv të harmonizuar, si në punë dhe në marrëdhëniet shoqërore.

Me 8 dhjetor 1928  zbriti për herë të parë në fushën e Kastriotit aeroplani i shoqërisë italiane Adria aereo Llojd 

Udhëtimi Tiranë-Kastriot bëhej për 27 minuta. Mësuesi Jahja Domnori e kujtonte me shumë emocion udhëtimin me avion që zbriste në fushën  e Kastriotit.Ai udhëtoi me kushuririn e vet Q. Domnori të cilin e mori ta shkollonte dhe  të kujdesej për shendetin e tij.

Ekipi i mësuesve në atë shkollë me konvikt  punonte në harmoni të plotë me njëri tjetrin dhe me familjet dibrane,e sidomos me 8 familjet  e njohura që ishin të përmendura për mikëpritje,dhe arsimdashës.

Një foto,e marrur nga arkivi i familjes  së J.D.  ku janë  djemtë  e Internatit” Dibra “ në shtëpinë e Cen Elezit, (njihej  si burre trim,i urtë,luftëtar i paepur për të drejtat e shqiptarëve,demokrat, pikë për pikë si i jati ,Elez Isufi.)Kjo foto  e dëshmon më së miri këte bashkëveprim të patriotëve  dibranë me shkollën.

Atë vit, mësuesi jahja Domnori përjetoi një ngjarje të ngjashme me ate që kishte kryer vetë në 28 Nëntorin e vitit 1927.

Mesuesi Haki Sharofi, figura e të cilit ishte akoma e pranishme në Internatin e Dibrës, sepse nuk harrohej shpejt kontributi i tij si drejtor dhe mësues në këte shkollë,bëri një xhest të admirueshëm,në festen e flamurit.

Në festën e 28 Nëntorit 1928, kur po bëhej gati ngritja e flamurit shqiptar, disa per t’i bërë qejfin  shoqërive italiane donin të ngrinin në të njëjten kohë edhe flamurin Italian, por mësuesi patriot Haki Sharofi  u shkëput nga turma dhe doli përpara Prefektit duke i thënë: “Na nuk lejojmë që krahas flamurit shqiptar të ngrihet edhe flamuri Italian, Shqipëria ka vetëm një flamur për të cilin është derdhur gjak,flamuri me shkaben dykrenare” 

Të njëjtën gjë kishte bërë edhe mësuesi Jahja Domnori,një  vit  më parë, me 28 Nëntor 1927. Ai së bashku me shokët , Agustin Shestani,(nga Kraja) Jahja Baçen J.Kazazi….kishin vendosor të hiqnin flamurin Italian nga banka e shtetit në Shkodër, sepse ngrihej në të djathtë, ndërsa flamuri shqiptar në të majtë.Kjo qe me pasoja sepse në momentin kur po e tërhiqnin flamurin Italian, policia i arrestoi studentët  e aksionit,me ata edhe J.Domnorin

Këto ishin  mësuesit patriot, që me  guximin dhe qëndrimin e tyre atdhetar, bëheshin shembull  për brezin e ri,në ruajtjen e simboleve kombëtare.

Nga shënimet e mësuesit  Jahja Domnori “Jeta ime”mësojmë  disa të dhëna nga aktiviteti i tij në ate shkollë, ku qëndroi 1928 – 1931, 

“Si ekonomat i kam kursyer shtetit  500 napolona ari, 

Ministria e Arsimit, në kontrollin rutinë, nga inspektori i Arsimit të Elbasanit Baki Sinella, pasi i verifikoi tabelat e përditshme një për një, konstatoi se ushqimi kishte dalë konform me rregulloren e M.Arsimit.” J.D.

“Atëhere që të mos digjej kredija, shkruan mësuesi-ekonomist,kam ble 150 krevate hekuri,ku zëvendësova krevatet prej druri.Me kujdesin e mësuesit të shkollës sonë Mustafa Shqerra,blemë në Elbasan edhe velenxa leshi,rregulluam dritaret etj.” J.D

Sekreti I këtij kursimi,ishte sepse blerjet e ushqimeve bëheshin direkt nga ekonomisti, Jahja Domnori dhe jo me ndërmjetësinë e të tjerëve. Ky qëndrim korrekt ndaj parave të shtetit kishte vlerë, por edhe  një shembull i vyer për sot, ku të korruptuarit shpërdorojnë dhe grabisin paratë e shtetit.

Nga situata e përgjithshme  në Dibër Jahja Domnori shkruan: 

“Sa kam shkuar në Kastriot më ka rënë në sy se populli ishin të gjithë me armë.

Atëhere  në Dibër  kishin influencë 8 shtëpi.

Në Sllovë shtëpia e Elez Isufit.Në Reç e Dardhë Dervish Luzha, në Maqellarë Dine Begu,në Kandër, Murat Kaloshi e me radhë Dine Dema, Dan Cami. Në Muhren e Vjetër Dine Hoxha që ishte mjaft i ditur dhe Sulë Shehu që ishte kryetar bashkije….

Këto familje ishin lidhur me njera tjetrën  me martesa: Murat Kaloshi kishte dhënë e marrë me shtëpinë e Elez Isufit. Për të birin, Dan,kishte marrë vajzën e Sulë Shehut.Pavarësisht  këtyre lidhjeve, kishte mosmarrëveshje  te cilat e shqetësonin qeverinë 

Në fundin e majit 1929, mbreti Zog, ju drejtoi një mesazh me anë të Muharrem Bajraktarit, i cili zbriti me aeroplan dhe erdhi në shkollën tonë. Prej këndej shkoi te Murat Kaloshi i cili e shoqëroi me nja 20 vetë. Të nesërmen të gjithë  majorat  u mblodhën në Peshkopi me njerëzit e vet.

Mbledhja u hap pranë Kazermave, por mungonte Dine Hoxha. Ndër të tjera i deleguari theksoi : Përfaqësuesit e këtyre shtëpive të merren vesh me të deleguemin tonë e të zgjidhin çdo mosmarrëveshje  se për hatër të 8 shtëpive nuk mund të shkatërrojmë një prefekturë e për hatër të një prefekture nuk mund të zhgatërrojme Shqipninë” Zog ……Ja  disa nga pasojat e konflikteve …

Ne ate periudhë Prefekt ishte Fehmi Tepelena, shumë i aftë në detyrë, i cili tue pasë një administratë jo të favorshme  për të kryer detyrat dhe zbatuar ligjet vrau veten. Po ashtu edhe Asim Borshi që ishte kryetar Gjyqi  u hodh ne Dri.Dibranët e shpëtuan dhe e sollën në shkollën tonë, kur mbas do kohe erdhën dhe e morën me aeroplan dhe e dërguan në Tiranë. Ma vonë e emëruan Kryetar Gjyqi në Shkodër.

Mbas vdekjes së Fehmi Tepelenës zv.prefekt u bë Daut Kombi i  cili kishte edhe postin si komandant xhandërmarije.

Sa mori detyrën e re edhe ne arsimtarëve na dha 14  pushkë  të  gjata së bashku me xhandërmarinë që kishim në shkollë.Unë si ekonomat duhej të kujdesesha edhe për 20 irredentistë dibranë që i kishin familjet në Jugosllavi.

Me familjet tona nuk kishim kontakt, vendi ishte i izoluar, por mikëpritja   

 e Murat Kaloshit dhe  e familjeve shumë  bujare dibrane, na e zbuste largësinë që kishim me të afërmit  tonë.

Ndër  figurat e përmendura ishte edhe ajo e Fiqiri Dines,si ushtarak vizionar, nacionalist  i ndershëm,me kulturë përendimore) Për të cilin shkruan  “…Këte emër  e  kisha ndigjue , kur ai ishte qarkkomandant në Shkodër në vitin 1920. Atëhere im atë më dërgoi(një për shtëpi) në Luftën e Koplikut. Isha vetëm 15 vjeç, kur forcat Jugosllave donin të aneksonin krahinat e veriut. Ishte  edhe organizimi ushtarak i këtij biri të Maqellarës që zmbrapste çetnikët serb sa herë që shkelnin kufirin në qarkun e Shkodrës.”J.D.

 Një person shumë i nderuar në kujtimet e  mësuesit Jahja Domnorit ka qenë Z.Ramiz Trepçi, pronar i Hotelit “Durimi”në Peshkopi, tek i cili, sa herë strehohej  kur shkonte me shërbime në Peshkopi  gjente ngrohtësi si në familje.Ai nuk e harroi kurrë këte njeri shpirtmadh, e arsimdashës  për të cilin shkruante: “Sa herë  vononin rrogat e arsimtarëve,kur unë shkoja për t’i tërhequr  në Peshkopi,Ai kurrë nuk  më linte të kthehesha bosh  për në Kastriot,por  m’i jepte lekët  nga fitimet e tij,të cilat  kur ia ktheja,nuk pranonte kamatë  për vonesën  ” J.D. 

Ky qëndrim burrëror me besë dhe atdhetari,  forconte miqësi  afatgjata dhe i shërbente mbarëvajtjes së punëve shtetërore, duke u bërë  kështu  një rregullator i padukshëm  mes njerëzve, por frytdhënës. Kur vinte puna për të kontribue për  shkollimin e fëmijëve  dhe çështje madhore kombëtare  gjithë  dibranët pa përjashtim  ishin të gatshëm  të  bashkoheshin me urtësi në kuvende,  aty s’përfilleshin armët e inatet mes tyre, por në shërbim të të ardhmes së përbashkët.

 Ndër të tjera shkruan:

“Përveç punës si mësues u përpoqa të mbledh edhe proverba dhe legjenda sidomos për Skenderbeun të cilin e quanin Skendëre.Flitej shumë për Pusin e Skenderbeut  në  Kukel apo për Gropën afër Muhrit që e kishte ba kama e Skenderbeut  kur ka kapërcye  Drinin.etj “J.D.

  Për dijeni, të  gjitha botimet  në mbledhjen e folklorit,jo vetem në Dibër,por edhe në vende të tjera ku ka punuarJ.D. ia dërgonte  Institutit të Folklorit, personalisht  Qemal Haxhihasanit në Tiranë.Kështu që  në nuk disponojmë një kopje të këtyre regjistrimeve.    Mësuesi Jahja Domnori pas 17 vjetësh 1945 u emërue mësues në Allejbegi  dhe udhëtimin e bënte me kamiona të rastit dhe nga Maqellara për në Fshat do ta bënte në kembë, kur e zinte nata ishte i detyruar të ndalte diku ,ishin  po beglerët e Maqellarës, që ia hapnin derën  mësuesit  bile  në atë derë bujare  shkonin edhe Ata të këshillit  që ia kishin pushkatue djalin.  ..vazhdon  ditari “Jeta Ime “i Mësuesit Shkodranë J.Domnori…..

Në fotografinë lart, një nga shtëpitë-shkolla ne Diber: në shtepine e Cen Elezit 1930