A do ta përdorë Rusia operacionin “flamur i rremë” për ta pushtuar Ukrainën?

Emin AZEMI

Tani kur Ukraina ndodhet para një agresioni të mundshëm rus, njashtu siç vepronte dikur Beogradi kundrejt Kosovës, gjëja e parë që bie viktimë është e vërteta. Mediat e kontrolluara nga Kremlini do ta kamuflojnë të vërtetën, duke paraqitur lëvozhgën si bërthamë e bërthamën si lëvozhgë. Mjafton të gjendet një alibi, qoftë ajo e rreme… Sepse konstruksionistët e alibive të rreme janë të gatshëm të bëjnë filma me ngjarje të sajuara, qoftë edhe me çmimin e lartë të jetëve njerëzore. “Qëllimi i arsyeton mjetet”, do të thoshte Putini, pardon Makiaveli…

 

Shtypi në Ukrainë dhe raportet e korrespiodentëve të huaj kanë një koncenzus sa i përket shkaqeve dhe alibirave të Rusë për ta sulmuar Ukrainën. Ata tash më janë të bindur se Moska  po punon fort në krijimin e një preteksti për të marshuar ushtarakisht drejt Ukrainës. Gjithashtu edhe televizioni shtetëror rus filloi një shtytje të re propagandistike, duke pretenduar se gjoja nacionalistët ukrainas janë gati të masakrojnë rusët në lindje të vendit në atë që vëzhguesit druajnë se mund të jetë hapi i fundit në justifikimin e një pushtimi. Sipas mediave të huaja, Dmitry Kiselyov, një propagandist i shquar shtetëror i njohur shpesh si ‘zëdhënësi i Putinit’, përdori emisionin e tij të lajmeve të së dielës për të shpërndarë pretendime të pabazuara se Ukraina ka ‘torturuar dhe vrarë egërsisht’ mijëra civilë në rajonin e Donbasit.

Në një segment të titulluar ‘ata po përgatiten të vrasin’, ai paraqiti gjithashtu një intervistë me një luftëtar separatist në rajon, duke paralajmëruar se nacionalistët ukrainas kanë kërcënuar se ‘do t’ju vrasin dhe therin të gjithë, dhe do t’ju varin fëmijët në tela’.

Tani për tani po flitet shumë për të ashtuquajturin operacionin rus ‘flamur i rremë’?

“Flamujt e rremë” zakonisht i referohen keqpërdorimit të flamujve të mirëfilltë për të maskuar identitetin e një force ushtarake.  Në raste të tilla  taktika në përgjithësi i referohet përpjekjeve për të maskuar identitetin ose motivimin.

Sipas Jason Blazakis, profesor në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare në Middlebury dhe një ekspert për kërkimin e operacioneve speciale “Flamujt e rremë janë të rëndësishëm sepse mund të ndihmojnë në destabilizimin e një kundërshtari,” tha ai, duke lejuar shtetet më të dobëta të projektojnë më shumë fuqi sesa kanë në të vërtetë.

Fakti që Rusia është dukshëm më e dobët se Shtetet e Bashkuara dhe ka shumë frikë për cenimin e NATO-s në fqinjësinë e saj, tha Blazakis, “është një arsye tjetër pse një operacion i flamurit të rremë ka shumë kuptim”.

Si do të dukej?

Zyrtarët në Kiev  fillimisht thanë se kishin prova që tregojnë se Rusia po planifikon të zhvillojë një video propagandistike që përshkruan një sulm të sajuar ndaj trupave të saj.

Mediat ruse nga ana e tyre kanë hedhur bazat për një operacion të mundshëm të flamurit të rremë duke “përpjekur të kushtëzojnë publikun e tyre që një lloj sulmi nga ukrainasit është i pashmangshëm”.

Me “flamuj të rremë” edhe Serbia dikur ishte shërbyer në aksionet e veta ushtarake e policore kundër Kosovës.

Çetnikë të veshur me rroba tradicionale të shqiptarëve kishin kryer krime në pjesët e ndryshme të Kosovës dhe kjo mjaftonte si pretekst për fushata të egra paramilitare serbe kundër shqiptarëve.

Sigurisht nuk do ta harrojmë edhe “shishen e Martinioviqit”, për ta kuptuar se si ngritej në kult heroizmi zuza e një fshatari fatkeq serb dhe ajo përdorej si pretekst për të goditur Kosovën. Propaganda serbe edhe  prirjet homoskesuale i përkthente si sakrificë për “Kosovën djep i Serbisë”.

Si “flamuj të rremë” Serbia gjatë viteve tetëdhjetë përdorte edhe thyerjen e varrezave të serbëve  gjoja nga shqipztarët dhe dhunimin e plakave serbe gjoja nga shqiptarët. Propaganda eTanjig-ut atëbotë kishte edhe këto fjali kontradiktore e qesharake mbi fajtorin e supozuar.

“Njerëz të panjohur të kombësisë shqiptare kanë dëmtuar varrezat e serbëve e malezezëve….”

Për Tanjugun ata që kishin dëmtuar varrezat ishin të panjohur, por detyrimisht duhet të ishin shqiptarë(!)

Me etiketën “flamuj të rremë” ishte kamufluar edhe vrasja e 6 të rinjve serbë nga ana e shërbimit sekret serb në kafeterinë “Panda” që ndodhej përballë gjimnazit “Sveti Sava”në Pejë.

Krimin, i cili është kryer më 14 dhjetor të vitit 1998, autoritetet e atëhershme të Beogradit e patën quajtur akt terrorist dhe për të i patën fajësuar shqiptarët dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Por disa vite më vonë, konkretisht në vitin 2014 autoritetet e atëhershme të larta të Serbisë kishin paralajmëruar se lidhur me krimin në Pejë, nuk ka argumente se e kanë bërë shqiptarët dhe se “opinioni në Serbi do të ballafaqohet me lajme të tmerrshme lidhur me këtë rast”.

Natasha Kandiq, e cila për shumë vjet ishte drejtoreshë e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, pati qëndruar në Pejë, pas krimit në kafeterinë “Panda” dhe me këtë rast ajo për  Radion Evropa e Lirë kishte zbardhur prapaskenat e këtij krimi.

“Selia e ‘Beretave të kuqe’, gjegjësisht njësiteve për operacione speciale ka qenë në pushimoren që gjendet afër Manastirit të Deçanit. Ata, me automjetet e tyre ‘hamer’ në vazhdimësi janë vozitur nëpër rrugët e Pejës. Ka qenë njësia lokale ‘Vetëtima’… Kjo ka ngjallur frikë të tmerrshme në qytet. Pas orës 16, asnjë shqiptar nuk ishte nëpër rrugë. Flitej se për këtë vepronte ‘Dora e zezë’ dhe se njerëzit zhdukeshin dhe se automjetet shëtisnin pa tabela regjistrimi”. Ajo shton se që atëherë, në mesin e shqiptarëve në Pejë, flitej se krimin nuk e kishin kryer shqiptarët”.

Lidhur me këtë, më 18 janar 2014, në një intervistë për gazetën “Kurir”, Vuk Drashkoviq ka përmendur emra konkretë të sigurimit serb si organizatorë të vrasjeve të shumta në Kosovë, përfshirë edhe vrasjen në kafenenë “Panda”.

“Vendimin për serinë e krimeve kundër serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve që e mbështetnin Serbinë dhe e dënonin UÇK-në, e solli Slobodan Milosheviqi dhe Shtabi i tij strategjik. Në krye të eskadronit të vdekjes, Njësisë për Operacione Speciale1, u caktua Milorad Ulemek – Legija. Ky i merrte urdhrat nga Radomir Markoviq. U vendos që Shërbimi i Sigurisë Shtetërore të kryente një varg sulmesh terroriste të cilat duhej t’i visheshin UÇK-së. Qëllimi I këtyre sulmeve ishte që UÇK-ja të paraqitej në sytë e bashkësisë ndërkombëtare si organizatë terroriste. Në të njëjtën kohë, përmes këtyre aksioneve do t’u jepej zjarr ndjenjave antishqiptare në Kosovë dhe në tërë Serbinë. Në funksion të kësaj strategjie, Sigurimi Shtetëror i Serbisë, me në krye Radomir Markoviqin, me ndihmën e Legijas, më 14 dhjetor 1998 kreu masakrën kundër gjashtë djelmoshave serbë në kafenenë ‘Panda’ në Pejë”, deklaronte Drashkoviq.

Tani kur Ukraina ndodhet para një agresioni të mundshëm rus, njashtu siç vepronte dikur Beogradi kundrejt Kosovës,  gjëja e parë që bie viktimë është e vërteta. Mediat e kontrolluara nga Kremlini do ta kamuflojnë të vërtetën, duke paraqitur  lëvozhgën si bërthamë e bërthamën si lëvozhgë.

Mjafton të gjendet një alibi, qoftë ajo e rreme… Sepse konstruksionistët e alibive të rreme janë të gatshëm të bëjnë filma me ngjarje të sajuara, qoftë edhe me çmimin e lartë të jetëve njerëzore. “Qëllimi i arsyeton mjetet”, do të thoshte Putini, pardon Makiaveli…