A do të lejojë Amerika “bosnjëzimin” e Kosovës?

Mehmet PRISHTINA

Analistë usharakë dhe diplomatë të Perëndimit tashmë e kanë të qartë se konfliktet në Ballkan dirigjohen direkt nga Moska dhe mbështeten nga Pekini. Të gjitha këto po ndodhin në kufijtë e NATO-s, aty ku siguria kolektive e rajonit do të duhej të garantonte sovranitetin e shteteve anëtare. Shfrytëzues i kësaj sigurie është edhe Kosova, mirëpo ajo ende nuk është anëtare e NATO-s. Në të ardhmen mbetet të shqyrtohet seriozisht kjo mundësi nga politikanët tanë, por edhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë.  Vetëm një Kosovë në NATO garanton stabilitet për vendin tonë, por edhe për gjithë rajonin.

 

Se si do të jetë e ardhmja e Kosovës sipas skenarit serb, mjafton të shikoni çka po ndodh aktualisht në Bosnjë dhe Hercegovinë. Përfaqësuesi i Lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnjë, Christian Schmidt, në fillim të javës që shkoi, paralajmëroi se marrëveshja paqësore e ndërmjetësuar nga SHBA-ja, e njohur si Marrëveshja e Dejtonit,  rrezikon të shembet nëse nuk ndërmerren veprime për të ndaluar separatistët serbë që po shkojnë drejt shkëputjes.

 “Synimet e rrezikshme” të Dodikut kërcënojnë paqen. Kështu i vlerësojnë analistët njoftimet për anulimin e njëanshëm të ligjeve shtetërore të Bosnjës e Hercegovinës në territorin e Republikës Srpska. Milorad Dodik, udhëheqësi serb në presidencën kolektive të Bosnjës e Hercegovinës, po fut legjislacione që do të ndante Republika Srpska nga institucionet e përbashkëta të shtetit, siç janë forcat e armatosura dhe organet gjyqësore.

Javë më parë Serbia filloi të ndërtojë një bazë ajrore jashtë kufijve të saj, në një shtet tjetër, konkretisht një aeroport të madh ndërkombëtar në qytetin e vogël të Trebinjës, që ndodhet në pjesën e të ashtuquajturës “Srpska Republika” në shtetin e Bosnjås e Hercegovinës. Në 30 gusht media e Bosnjës e Hercegovinës “Sarajevo Times”, në një shkrimin “Qeveria kroate po i kërkon shpjegime Bosnjës e ercegovinës për aeroportin e Trebinjes”, njoftonte se “aeroporti i Trebinjës ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve kroate, të cilat po i kërkojnë tani Bosnjës e Hercegovinës të sqarojë se çfarë është planifikuar ekzaktësisht të ndërtohet në atë zonë kufitare me Kroacinë”.

Ky përbindësh serb nuk mbiu si këpërdhë, por ai ishte i ideuar në mënyrë të detajuar nga estabilshimenti politik e ushtarak i Beogradit.  Ana Bernabiq, në një fjalim në Nova Topola në 13 nëntor 2020 e cilësoi aeroportin në Trebinje “projekt i ri dhe i madh strategjik, që ju do ta ndjeni fuqinë e Serbisë këtu në “Srpska Republika”.

Beogradi po synon ta dekompozojë shtetësinë e Bpsnjës e Hercegovinës, duke gllabëruar territore të saj në emër të idesë hegjemoniste për Serbinë e Madhe. Kjo po ndodh ende pa u tharë plagët e masakrave të kryera në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, siç ishte ajo e Srebrenicës me 8 mijë viktima (11 dhe 22 korrikut 1995) dhe ende pa kërkuar falje askush nga krerët serbë për gjithë këta lumej gjaku. Madje, disa prej tyre, siç është Milorad Dodik, janë irrituar së tepërmi nga një urdhër i Komisionerit të Lartë Ndërkombëtar që parasheh dënime me burg për mohuesit e masakrave dhe gjenocidit në Bosnjë e Hercegovinë. Duke e kontestuar këtë urdhëresë, Dodik pat thënë: “Kjo është gozhdë në arkivolin e Bosnjës… Republika Srpska nuk ka zgjidhje tjetër veçse të fillojë… shpërbërjen”.

A mund të përdoren në Kosovë skenarë të njejtë me atë në Bosnjë e Hercegovinë?

Nëse i vërejmë disa zhvillime që kanë ndodhur në Bosnjë e Hercegovinë dhe pretendimet serbe në Kosovë nuk është vështirë të konstatohet se janë të njejtat metoda, por mjete tjera, që po përdoren për të defaktorzuar shtetësinë e Kosovës përmes një projekti i quajtur “Bashkësia e komunave me shumicë serbe”.

Edhe në Bosnjë e Hercegovinë kishte filluar kështu. Së pari ishte formuar Bashkësia e komunave me shumicë serbe, pastaj, si rrjedhojë logjike, kishte ardhur Republika Srspka.

Në Bosnjë e Hercegovinë po kontestohet Marrëveshja e Dejtonit, kurse në Kosovë kontestohet Pakoja  e Ahtisarit. Serbia synon të krijojë në Kosovë një entitet të ri që do të ishte nën kontrollin e Beogradit. Sipas planeve të Serbisë, Bashkësia e komunave me shumicë serbe mund të ndjekë rrugën e Republika Srpskës. Kështu, Kosova do të shndërrohej nga një shtet me sovranitet të plotë në një shtet me  sovranitet të kufizuar në një pjesë të territorit të saj.

Historia e ekspansionizmit serb njeh vetëm pushtime të tokave të huaja, kuptohet, në bashkëveprim me aletatët tjerë ballkanikë. Kështu ka ndodhur edhe me rastin e nënshkrimit të traktati të fshehtë ndërmjet Serbisë dhe Greqisë, ku përveç Kosovës (Serbia e Vjetër), Serbia e kishte kërkuar edhe Shqipërinë veriore. Rritja territoriale e synuar, nuk mund të konsiderohet ndryshe veçse si rritje e shtetit serb. Ky objektiv do të përmbushej pjesërisht me Traktatin e Shën Stefanit, ku nga 37.7 mijë km2 territori i Serbisë u rrit në 52.7 mijë km, në kurriz të vendeve fqinje, sidomos të territoreve shqiptare. Ky traktat, sikundër dihet, erdhi si rezultat i fitores së Rusisë ndaj Perandorisë Osmane, e cila, me kushtet që i imponoi kundërshtarit, kërkoi t’i vinte përpara faktit të kryer Fuqitë e Mëdha, duke e kthyer disfatën tërësisht në interes të politikës së saj në Ballkan. Në këtë periudhë çështjet kombëtare të vendeve ballkanike do të vendosen sërish përballë njëra-tjetrës, ashtu si edhe në të shkuarën, interesat ekspansioniste të Perëndimit dhe Lindjes, duke vënë në pikëpyetje ekuilibrin e forcave.

Me pjesëmarrjen në Traktatin e Shën Stefanit, Serbia orienton vektorët e saj politikë drejt Lindjes, ku identifikonte edhe përkatësinë e saj etnike, me ndikimin e fortë të Kishës Ortodokse. Megjithatë, ky orientim gjeopolitikë drejt Lindjes nuk ishte i plotë. Përkatësia territoriale në Evropë dhe ndikimi i Fuqive të Mëdha në rajon bënë që Serbia të dyzohej në orientimin e saj. Ky dyzim do të vazhdojë deri më sot dhe do të njihet si politika e Beogradit me “një këmbë në Lindje dhe një në Perëndim”. Nga ana tjetër, Perëndimi nuk mund të qëndronte indiferent ndaj kësaj lëkundjeje dhe e thirri Kongresin e Berlinit për të rishikuar Traktatin e  Shën Stefanit, ku synohej rivendosja e ekuilibrit të forcave, duke u mbështetur mbi parimin e legjitimitetit – një synim që nuk u realizua për shkak të qëllimeve ekspansioniste të fuqive kryesore të kohës, të cilat binin në hapësirën e interesit të vendeve të Ballkanit. Traktati i vitit 1881 parashikonte që, “në rast se Serbia do të ishte në gjendje të fitonte territore në drejtim të kufirit jugor, Austro-Hungaria nuk do të kundërshtonte një shtrirje të tillë”, madje “do të përpiqej pranë Fuqive të tjera me qëllim që të merrej një qëndrim i favorshëm”. Edhe një herë, Serbia do të aspirojë drejt territorit shqiptar. Pozicioni gjeografik i Shqipërisë, me një vijë bregdetare të gjatë që siguron tregti dhe kontakt të shpejtë me Perëndimin është lakmuar nga Serbia, fuqia e së cilës kufizohet pikërisht nga gjeografia e saj kontinentale, pa dalje në det. Kongresi i Berlinit u mbajt pas paqes së qëndrueshme 35 vjeçare, por antagonizmat mes fuqive të mëdha nuk u shuan.

Krijimi i një shteti me hapësirë territoriale që i përfshinte “të gjithë serbët” në një njësi politike dhe i përmbushte të gjitha nevojat e kombit serb do të vazhdojë të përvijojë politikën serbe. Rezultat i saj do të jenë krijimi i dy formacioneve politico-shtetërore, ku Serbia do të luajë rol qendror dhe do të synojë dominimin politik, duke e identifikuar veten si lidere të popujve sllavë dhe zemër të shteteve sllave të jugut.

Në rrethanat e sotme, pavarësisht kushtëzimeve të rendit ndërkombëtar, Serbia vazhdon të shfaqë këtë tendencë ekspansioniste në mënyrë më të moderuar, duke kërkuar të ndikojë në shtetet fqinje ku ka popullsi serbe. Rrastet më tipike janë Republika Srpska dhe Kosova, të cilat Serbia i sheh si pjesë të projektit madhor për krijimin e Serbisë së Madhe. Kjo, mbase, është arsyeja që Beogradi po ngutet të fusë në dy binarë paralelë politikën e saj ekspansioniste, duke ushtruar trysni për shkëputjen e Republika Srspskë nga Bosnja e Hercegovina dhe duke kërkuar formimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Nisma rajonale “Open Ballkan”, e promovuar së voni, nuk është asgjë tjetër përveçse një balon provues i Beogradit, i mbushur me gazrat e “botës serbe” të mbetura nga mesjeta.

BE është tepër inerte ndaj zhvillimeve të fundit në Ballkan. Brukseli po e negzhizhon së tepërmi ndikimin e krizës së Bosnjës e Hercegovinë  në hapësirat tjera të Ballkanit. Por, analistë e vëzhgues të ndryshëm janë shprehur të shqetësuar se ky ndikim është i pashmangshëm. Jasmin Mujanoviq, autor i librit “Hunger and Fury: The Crisis of Democracy in the Balkans”, thotë se kjo do të ishte “katastrofë për Bashkimin Evropian dhe për komunitetin Atlantik më gjerësisht, pasi do të ishte një krizë tjetër e sigurisë në një gjendje jashtëzakonisht të paqëndrueshme në juglindje të Evropës”. Ai thekson se “një përkeqësim i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnjës është diçka që BE dhe SHBA vështirë mund ta përballojnë”.

Këto lëkundje tektonike që pritet ta shkundin  edhe më shumë hapësirën ballkanike nuk mund të mbetet pa një ndikim më të madh të Rusisë dhe Kinës.

Diplomatët dhe mediat me ndikim në Evropë kanë shprehur hapur keqardhje për dështimin e Perëndimit, sidomos të BE-së, për të vendosur sanksione ose për të vepruar ndryshe me nxitësit e konflikteve në Bosnjë e Hercegovinë.

Është hera e dytë që Bosnja e Hercegovina, pas masakrës së Srebrenicës,  e pëson rëndë nga neglizhenca e Evropës. Shqetësimi bëhet më i madh nëse kjo neglizhencë vazhdon ta trimërojë Serbinë edhe në rastin e Kosovës.

A thua do të lejojë Amerika të bosnjëzohet Kosova?

Analistë usharakë dhe diplomatë të Perëndimit tashmë e kanë të qartë se konfliktet në Ballkan dirigjohen direkt nga Moska dhe mbështeten nga Pekini. Të gjitha këto po ndodhin në kufijtë e NATO-s, aty ku siguria kolektive e rajonit do të duhej të garantonte sovranitetin e shteteve anëtare. Shfrytëzues i kësaj sigurie është edhe Kosova, mirëpo ajo ende nuk është anëtare e NATO-s. Në të ardhmen mbetet të shqyrtohet seriozisht kjo mundësi nga politikanët tanë, por edhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë.  Vetëm një Kosovë në NATO garanton stabilitet për vendin tonë, por edhe për gjithë rajonin.

Prishtinë, 9 nëntor, 2021

Comment

*