A do të votohet të enjten “paketa e integrimit”?

Klasa politike shqiptare në prag të kapërcimit të “ngërçit” – Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit shtyhet për ditën e enjte por bashkëngjitja e paketës së integrimit me një nismë për amnisti fiskale të qeverisë konsiderohet nga opozita si një vendim që merret për efekte elektorale

 

Nga Tirana, Dardan Malaj

Në mes të fushatës zgjedhore, Kuvendi i Shqipërisë do të tentojë të kalojë për votim më 30 Maj dy ligjet dhe rregulloren e Kuvendit, të cilësuara si kushte për dhënien e statusit kandidat për anëtar të Bashkimit Evropian.
Në një kohë kur ka përfunduar legjislatura e Kuvendit dhe ky institucion është shpërndarë, Kryeministri Sali Berisha ka shfrytëzuar nenin 74 të Kushtetutës për të thërritur një seancë të jashtëzakonshme.
Në kërkesën drejtuar Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli kërkohet që në rendin e ditës së të jetë projektligji “Për nëpunësin Civil”, projektligji “për funksionimin e Gjykatës së Lartë”, ndryshimet në rregulloren e Kuvendit dhe projektligji për dhënien e amnistisë fiskale të miratuar nga qeveria me vendimin e 23 marsit 2011 e të paraqitur në Kuvend.
Nisma e kreut të mazhorancës vjen në një kohë kur tanimë kreu i opozitës Edi Rama dhe ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta i kanë kërkuar ofruar kryeministrit një mundësi kompromisi për votimin e ligjeve me kushtin që ato të hyjnë në fuqi muajin shtator me krijimin e qeverisë së re.
“Besoj se më në fund, pas bllokimit të statusit të vendit kandidat nga opozita në Kuvendin e Shqipërisë, duke mos dhënë konsensusin për propozimet që ndodhen prej kohësh për shqyrtim në Kuvend, ajo do të marrë përgjegjësinë që i takon, duke hequr bllokimin e statusit të vendit kandidat, ndonëse e lanë Shqipërinë pa këtë status për më shumë se një vit”, thuhet në kërkesën e kryeministrit.
Sipas mazhorancës, votimi i ligjeve në Kuvend në seancën e 30 majit, do mund të kursejë gjithashtu përafërsisht 6 milionë euro që konsiderohen kosto financiare e realizimit të referendumit, nismë kjo që parimisht ka marrë votën e të djathtëve në Kuvend dhe pret të mbahet pas zgjedhjeve të qershorit me objekt pikërisht miratimin e këtyre nismave.
Por, seanca e së enjtes nuk ka shumë gjasa që të çojë në miratimin e këtyre ligjeve. Shkak pritet të jetë bashkëngjitja me këtë paketë edhe e nismës për amnistinë fiskale e cila nuk përbën kusht për statusin dhe konsiderohet nga opozita si një vendim që merret për efekte elektorale.
Partia Socialiste deklaron se është e gatshme t’i votojë të tre ligjet vetëm nëse pala tjetër e pranon kompromisin e ofruar nga opozita dhe shpreh dakordësinë që këto tre ligje të hyjnë në fuqi vetëm pas konstituimit të Parlamentit të ri që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit.
“I bëjmë thirrje Sali Berishës për ta mbajtur çështjen e integrimit europian larg fushatës elektorale. Të mos e ngatërrojë votimin e tre ligjeve me premtimet e tjera elektorale. Nëse duam integrimin e Shqipërisë në BE, le të votojmë paketën e kompromisit një orë e më parë, pa i ngatërruar tre ligjet me amnistinë fiskale”, deklaroi deputetja socialiste Vasilika Hysi.
Ligji për amnistinë fiskale u jep mundësinë qytetarëve të legalizojnë paratë e tyre me një taksë prej 3%, ndërsa legalizimi i pasurive të paluajtshme do të bëhet i mundur vetëm kundrejt një takse prej 1 për qind.
Me ligjin e amnistisë falen të gjitha taksat, tatimet, gjobat dhe interesat e qytetarëve të papaguara deri në datën 31 dhjetor 2010, dhe prej këtij ligji do të përfitojnë të gjitha bizneset e vogla të paregjistruara, të cilat do regjistrohen duke paguar tarifën prej 3%.
Që prej 24 majit partitë politike në Shqipëri kanë hyrë zyrtarisht në fushatën zgjedhore ndërsa debati mbi çështjen e miratimit të asaj çka është cilësuar “paketë e integrimit” dhe dështimi për marrjen e statusit kandidat është në qendër të akuzave të mazhorancës në drejtim të opozitës.
Nëse seanca e së enjtes nuk do të përfundojë me miratimin konsensual të ligjeve, gjithçka ka gjasa të shërbejë për ti hedhur më shumë benzinë zjarrit elektoral mes dy kampeve që tanimë shkojnë drejt votimeve të 23 Qershorit ku do të përcaktohet qeverisja e katër viteve të ardhshme për Shqipërinë.

Comment

*