A duhet ta paraqes formularin e kontrollit mjekësor bashkë me aplikimin për green card? 

Çështje të Emigracionit: Nga Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Diçka që shkakton konfuzion mes aplikantëve që përgatiten të paraqesin formularin për green card I-485 – Application for Adjustment of Status (AOS) si dhe dokumentat përkatës, është pyetja se kur duhet të paraqitet formulari shtesë I-693 Report of Medical Examination and Vaccination Record

Formulari I-693, që njihet dhe thjesht si “medical”, mbushet dhe firmoset nga mjekë të pajisur me liçensën përkatëse dhe të caktuar nga Shërbimi i Nënshtetësisë dhe Emigracionit të SHBA-së (USCIS-i) që të kryejnë në SHBA kontrollin mjekësor që ka të bëjë me emigracionin, në mënyrë që të vendosin nëse aplikanti duhet ose jo të pranohet në SHBA për arsye shëndetësore. Me ta mbushur dhe firmosur, mjeku e vulos formularin dhe ia jep aplikantit në mënyrë që ky i fundit t’ia paraqesë USCIS-it së bashku me aplikimin për green card. Gjatë fazës së përgatitjes së aplikimit, ku përfshihet dhe marrja e vendimit se kur duhet caktuar takimi me mjekun e emigracionit për të marrë dokumentin mjekësor, aplikantëve u lind pyetja se kur duhet ta dërgojnë dokumentin, pasi ta kenë marrë. P.sh. duhet paraqitur bashkë me aplikimin për green card? Nëse jo, duhet paraqitur brenda një numri të caktuar ditësh që nga momenti kur ka vënë firmën mjeku?

Dokumenti mjekësor në fjalë i plotësuar siç duhet si dhe i firmosur dhe i vulosur nga mjeku, është zakonisht i vlefshëm për dy vjet duke filluar nga data kur është firmosur nga mjeku i emigracionit. Duhet që brenda periudhës të vlefshmërisë aplikanti të paraqesë dokumentin mjekësor si dhe po gjatë kësaj periudhe aplikimi për green card (AOS) duhet të ketë marrë drejtim, përndryshe nevojitet të paraqitet një dokument i ri mjekësor. Dokumenti mjekësor mund të firmoset nga mjeku i emigracionit përpara, ditën ose pasi të jetë paraqitur aplikimi për green card. Nëse dokumenti mjekësor është firmosur përpara se të paraqitet aplikimi për green card, data e paraqitjes nuk duhet të jetë më vonë se 60 ditë (pra jo 61 apo më shumë ditë) nga dita kur është vënë firma. Nuk ka udhëzime specifike se kur duhet paraqitur formulari mjekësor: bashkë me aplikimin për green card ose pasi është dërguar aplikimi. Gjithsesi, nëse dokumentat mjekësorë paraqiten pasi është dërguar formulari për green card, është mirë që të dërgohen në një nga dy mënyrat në vijim: ose nëpërmjet postës, në përgjigje të një kërkese me shkrim nga USCIS-i për ta paraqitur dokumentin ose merret me vete në ditën e paraqitjes për intervistë, gjithnjë nëse do të ketë intervistë.

Për të kursyer kohë si dhe për të shmangur nevojën e dërgimit të kërkesës për të paraqitur formularin e kontrollit mjekësor pasi është dërguar aplikimi AOS, USCIS-i rekomandon që aplikantët t’i dërgojnë ato së bashku. Por kjo nuk është gjithmonë e mundshme apo e këshillueshme. Takimi me mjekun e emigracionit dhe sigurimi i formularit mjekësor përkatës sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi është dërguar aplikimi AOS bën të mundur që aplikanti ta ketë dokumentin gati për ta dërguar sapo t’ia kërkojë USCIS-i, gjë që mundëson një aprovim më të shpejtë se në rastin kur dokumenti sigurohet pasi ka ardhur njoftimi nga USCIS-i apo është caktuar intervista. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se në rast se dokumenti mjekësor merret pasi është paraqitur aplikimi AOS dhe aplikimi nuk shqyrtohet brenda periudhës dy vjeçare të vlefshmërisë së dokumentit, aplikantit do t’i duhet të nxjerrë një dokument të ri mjekësor, gjë kjo që do të kërkonte kohë, përpjekje dhe shpenzime shtesë.  USCIS-i pranon versionin e formularit I-693 që është në fuqi në datën kur mjeku i emigracionit ka vënë firmën. Kjo do të thotë që çdo përditësim i versionit egzistues që ndodh nga data e firmosjes së dokumentit mjekësor deri në datën kur paraqitet dokumenti nuk e cënon vlefshmërinë e dokumentit. 

Së fundi, kur bëhet fjalë për kohën kur duhen paraqitur dokumentat mjekësorë, duhen patur parasysh faktet, rrethanat dhe preferencat e aplikantit, të cilat përbëjnë faktorë të rëndësishëm në hartimin e një strategjie të përgjithshme lidhur me proçesin e marrjes së rezidencës së përhershme. Nëse paraqisni një AOS, do t’ju këshillonim të konsultoheshit me një avokat në mënyrë që të shmangnit shpenzimet shtesë. Koha që nevojitet përafërsisht për procesimin e AOS-ve varion në varësi të arsyeve për të cilat është aplikuar (bashkim familjar, punësim, strehim politik) si dhe nga filiali i USCIS-it që merret me shqyrtimin e çështjes. Për shembull, një procesimin e një aplikimi për green card që ka për bazë bashkimin familjar, duhen 11 muaj në filialin e Filadelfias, kurse një aplikimi për green card me bazë strehimin politik në filialin e Teksasit, i duhen përafërsisht 40 muaj. Nëse formulari mjekësor është paraqitur me një aplikim që ka për bazë strehimin politik, gjasat janë që aplikantit t’i kërkohet të paraqesë (dhe të paguajë) një dokument të ri mjekësor pasi i pari, deri atëherë,  do të ketë skaduar.

Mos humbisni afatin e fundit për të kthyer përgjigje 

Ju kujtojmë që ka të ngjarë që USCIS-i më 25 korrik, 2022 t’i japë fund shtyrjeve të afateve për të kthyer përgjigje. Siç ju kemi raportuar më parë, përpara se të marrë vendim, USCIS-i do të marrë në konsideratë përgjigjet që i kanë ardhur brenda 60 ditëve pas afatit që kishtë caktuar fillimisht në njoftimet apo kërkesat e caktuara. Shtyrja e afateve vlen për letrat e dërguara gjatë periudhës 1 mars, 2020 deri më 25 korrik, 2022. 

Letrat (kërkesat apo njoftimet) që përfitojnë nga shtyrja e afateve janë: 

Requests for Evidence; Continuations to Request Evidence (N-14); Notices of Intent to Deny; Notices of Intent to Revoke; Notices of Intent to Rescind; Notices of Intent to Terminate regional centers; si dhe Motions to Reopen an N-400.  USCIS gjithashtu do të marrë në konsideratë formularin I-290B, Notice of Appeal or Motion, ose formularin N-336, Request for a Hearing on a Decision in Naturalization Proceedings, nëse:

Formulari në fjalë u dërgua brenda 90 ditëve nga data e lëshimit të vendimit; dhe vendimi u mor në periudhën ndërmjet datave 1 nëntor 2021 dhe 25 korrik, 2022.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]