A ËSHTË E MUNDUR TË KALOHET NGA RRUGA E TRADHËTISË NË RRUGËN E LAVDISË KOMBËTARE?

Nga MSc. AGIM ALIÇKAJ

 Në jetën politike të çdo kombi mund të ndodhin çudira dhe të papritura. Sidomos, në kombin shqiptar historikisht dhe padrejtësisht të coptuar dhe të shpërndarë me forcë në gjashtë shtete. Veprimet e viteve të fundit të Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama paraqesin një çudi të llojit të vet. Si është i mundur përqafimi dhe ledhatimi me një urrejtës të përbetuar, dhe vrasës të kombit tënd?!

 Takimet e tij të fshehta dhe të hapura me kriminelin Vuçiq për ndarjen e Kosovës, cilësimi i gjenocidit serb si rrëmujë apo pastrim etnik, insistimi në faljen e krimeve serbe pa kushte, tentimi i futjes së Shqipërisë, Kosovës dhe kombit shqiptar nën thundrën serbe me projektin anti-shqiptar “Ballkani i hapur”, arsyetimi i përkrahjes serbe për agresorin rus dhe nënçmimi i udhëheqësve të Republikës së Kosovës, e vendosin ate pa pikë dyshimi, në rrugën e sigurt drejt tradhëtisë kombëtare.

 Për çudi, në mbledhjen e Këshillit të Evropës në Strasburg, na doli i veshur me petkun kombëtarë. Përkrahje e UÇK-së dhe luftës së lavdishme çlirimtare, kritikë Evropës për rezolutën e Dick Marty-t dhe shtëpinë e verdhë, kinse të inicuar vetëm nga rusët (jo serbët), kritikë e gjykatës speciale për gjykimin e luftarëve të lirisë dhe kërkesë që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës. Kësaj radhe shkoi “aq larg” dhe u bë “aq patriot” saqë kërkoi që Kosovo të quhet Kosova (punë e madhe) dhe i sygjeroi Serbisë ta njohë pavarësinë e Kosovës, natyrisht pa u trazuar fare, më vonë, kur të jetë gati!

 Në shiqim të parë, pa u thelluar mirë, krijohet përshtypja se Edi Rama kaloi nga rruga e tradhëtisë në ate të lavdisë kombëtare. Përkrahësit e tij qorra, ata që ai i lavdëroi dhe të tjerët që mashtrohen lehtë me fjalë të mira, u ngutën me shpejtësi, kush më parë, ta shpallin fjalimin e tij “historik”. Por, çka tregon ky fjalim në të vërtetë ?!

 I shiquar dhe analizuar realisht në mënyrë të pa anëshme, ky fjalim nuk është gjë tjetër veçse akrobacion dhe mashtrim diplomatik, si vazhdim i marifeteve dhe mashtrimeve të tij politike, nga shkolla serbe. Fjalë të mira për gjëra të parëndësishme apo të pandërrueshme, veprime të kundërta dhe punë të këqija shumë të dëmëshme për çështjet jetike kombëtare.

 Kritikat e ashpra, arrogante, jodiplomatike edhe fyese, edhepse deri diku të merituara, për Evropën nuk e ndihmojnë fare anëtarësimin e Kosovës në Këshillin Evropian, nuk e ndihmojnë as Shqipërinë në proçeset e integrimeve. Përkundrazi, mund t’i dëmtojnë. Këtë ai e di fare mirë, por e bën nga kompleksi i inferioritetit ndaj liderëve demokratik të Perëndimit, sepse e ndjen vetën shumë më mirë në shoqëri të autokratëve të Lindjes, të cilët ia rrahin krahët. Thelbi i të gjithave të këqijave të tij është orientimi i tij pro-serb, pra bashkëpunimi me armikun.

 Raporti i Dick Marty-t duhej kritikuar në kohën e miratimit, sot nuk e ka asnjë vlerë edhe nëse shfuqizohet. Gjykata speciale, e cila nuk është dashur të aprovohet, nuk zhbëhet kurrë pa e kryer detyrën e vet për të cilën është aprovuar. Më e drejt do të ishte të kërkonte kapjen dhe gjykimin e kriminelëve serb që ende shëtiten të lirë në Beograd. Kritikat e tij nuk i ndihmojnë aspak luftarët e lirisë në gjykim në Hagë, në asnjë mënyrë. Ata do të lirohen vetëm kur të shpallen të pafajshëm, jo se i lavdëron dhe pretendon t’i mbrojë njëfarë Edi Rama.

 I preokupuar me qortime për Evropën demokratike e cila, me të gjitha mangësitë, na ka ndihmuar dhe për të cilën kemi nevojë, “harroi” plotësisht ta kritikojë armikun e vërtetë të kombit shqiptarë dhe shkaktarin shekullorë të të gjitha këqijave në Evropë, sidomos në tri dekadat e fundit, Serbinë kriminale, raciste, shoviniste, hegjemoniste, ekspansioniste dhe fashiste.

 Edi Ramës i duhet shumë Serbia. Dëshira dhe qëllimi i tij dhe i Vuçiqit është dobësimi dhe rrëzimi i qeverisë Kurti dhe ndarja e Kosovës. Kjo jua mundëson të bëjnë

“marrëveshje paqësore historike” shqiptaro-serbe, të shpallin fitore për krijimin e “Serbisë së madhe” dhe “Shqipërisë së madhe” (të gjymtuar), dhe të bëhen “lider të mëdhenj” historik. Kjo ëndërr e tmerrshme e dy personaliteteve të errëta negative, kurrë nuk do të realizohet.

 Shanset që Edi Rama ta lëshojë rrugën e tradhëtisë dhe të kalojë në ate të lavdisë kombëtare janë minimale. Ai duhet ta kuptojë se kjo nuk bëhet me fjalë boshe patriotike. E vetmja mundësi do të ishte nëse ai do të arrinte ta bindte “mikun” e tij Vuçiq dhe qeverisjen despotike serbe, që Serbia zyrtarisht të kërkoi falje, të filloi kapjen dhe gjykimin e kriminelëve të luftës, t’i kthejë të zhdukurit me dhunë, t’i paguaj dëmet e luftës dhe ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës. Gjë që sipas Vuçiq, nuk do të ndodhë kurrë.

 Prandaj, edhe kësaj rradhe paraqitja e Kryeministri Rama ishte një huqje e tërësishme dhe e turpëshme. Veçse, ndoshta i mashtroi dy-tre shqiptarë më shumë. Shtrohet pyetja, me të gjitha veprimet e tija pro-serbe dhe pro-ruse, anti-evropiane dhe anti-amerikane pse po e toleron edhe mëtutje Evropa dhe Amerika. Për më keq, duket se e ka përkrahjen e ambasadores amerikane në Shqipëri.

 Për këtë ekzistojnë dy teza. Njëra, është lidhja e tij me pasanikun dallaverxhi Soros i cili, edhepse njihet si anti-konservativ dhe anti-amerikan, ka influence të madhe në qarqet liberale amerikane dhe botërore. Mundësia e dytë është se Edi Rama dhe qeverisja e tij në Shqipëri bëjnë pjesë vetëm në interesat taktike amerikane. Amerika është e interesuar për qetësi dhe stabilitet, nuk dëshiron konflikte brenda shteteve mike. Në momentin kur gjërat i prekin interesat e saj strategjike, Amerika ndërhynë dhe i rregullon ato sipas nevojës dhe mundësisë.

 Meqë supozohet se Edi Rama është i përfshirë me trafikimin e drogës, kjo e invokon ngjashmërinë e tij me ish-diktatorin e Panamasë, Manuel Noriega, i cili ishte njësoj arrogant dhe egocentrik. Ka gjasa se ai do ta përjeton fatin e Noriegës. Por gjasat janë edhe më të mëdha, që goditja përfundimtare do t’i vij nga vetë Serbia pasi që ta shfrytëzoi, e ta shtrydhë mirë dhe nuk i duhet gjë më.

 Në çfarëdo varianti të mundshëm, megjithë atë fjalën dhe përgjegjësinë kryesore për largimin e Edi Ramës nga politika dhe shpëtimin e kombit nga marifetet e tij anti-kombëtare, e ka populli demokratik atdhedashës i Shqipërisë.