A është më mirë të marr një përkthyes në vend të avokatit?

Avokati Kieran Both

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Letër nga lexuesi:

Një mik më këshilloi të merrja një përkthyes në komunitet për të më përgatitur dokumentat e emigracionit. Përkthyesi më jep garanci që do ta fitojë çështjen. Ai më tha që avokatët nuk janë të nevojshëm dhe kushtojnë shumë. A bëj mirë të marr një përkthyes në vend të avokatit? 

Anonim

Nëse punëson një përkthyes mund t’i hapësh vetes probleme. Me mijëra emigrantë kanë rënë pre e disa personave të cilët kanë shfrytëzuar emigrantët pa dokumenta duke iu paraqitur si persona që janë të autorizuar për të përgatitur dokumenta ligjorë. Këta mjeshtra mashtrimi jo vetëm që mund t’ju marrin paratë, por mund edhe t’ju prishin punë me statusin tuaj të emigracionit duke ju garantuar në mënyrë të rreme një status të ligjshëm ose duke ju kërcënuar se do të arrestoheni, se do t’ju vënë gjoba apo do t’ju deportojnë nëse nuk i paguani ose nuk u jepni informacionin tuaj personal.

Egzistojnë ndëshkime penale ndaj atyre që nuk tregojnë që kanë luajtur rol në përgatitjen e dokumentave. Cilido person që me vetëdije dhe vetëdashje nuk tregon, e fsheh ose mbulon faktin që në emër të dikujt dhe kundrejt një tarife apo forme tjetër shpërblimi, ka përgatitur apo ndihmuar në përgatitjen e një aplikimi të bërë në mënyrë të rreme për qëllime përfitimi nga emigracioni do të gjobitet, burgoset për jo më shumë se 5 vjet apo të dy dënimet bashkë si dhe nuk do të lejohet të përgatisë apo të ndihmojë në përgatitjen e një aplikimi të tillë, qoftë me ose pa pagesë apo formë tjetër shpërblimi. 

Green card-a mund t’ju hiqet në rast mashtrimi, edhe në rast se mashtrimi është kryer nga përkthyesi pa dijeninë tuaj. Nëse personi me green card ka gënjyer, ka lënë pa përmendur një informacion të rëndësishëm lidhur me çështjen ose ka kryer mashtrim gjatë proçesit të aplikimit, atij ose asaj mund t’i hiqet green card-a.

Disa nga rastet më të zakonshëm të mashtrimeve nga personat e lartpërmendur:

  • Kur bëjnë premtime të rreme ose kur lënë të kuptohet që i ecën fjala tek Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë (USCIS). E vërteta është që askush nuk mund t’ju garantojë leje për të punuar apo ndonjë të mirë a përfitim tjetër nga emigracioni.  
  • Kur bëjnë kërcënime me arrestim, gjoba apo deportim nëse nuk paguani ose nuk u tregoni informacionin tuaj personal.
  • Kur hiqen si konsulentë apo avokatë emigracioni pavarësisht se nuk kanë kualifikimin e duhur për t’u marrë me atë punë.
  • Kur marrin para dhe nuk e bëjnë punën që kanë marrë përsipër.
  • Kur ju mbushin mendjen të gënjeni në aplikim apo t’i thoni gënjeshtra zyrtarit të USCIS-it.
  • Kur jua mbajnë dokumentat origjinalë dhe ju kërkojnë para që t’i merrni mbrapsht ato dokumenta.
  • Kur çojnë aplikime që dihet që nuk ka asnjë gjasë të aprovohen, siç është rasti i aplikimeve për strehim politik pavarësisht se nuk kualifikohen për diçka të tillë.  
  • Kur ju kërkojnë që në fillim shumën e plotë për të gjithë shërbimet dhe më pas vazhdojnë t’ju kërkojnë para për të vazhduar të merren me çështjen.
  • Kur ju premtojnë t’ju sigurojnë shpejt e shpejt lejen për të punuar, dhe më pas paraqesin një aplikim të rremë për strehim politik që sjell si pasojë një urdhër deportimi.
  • Kur paraqesin peticione për persona të cilëve ligji nuk u lejon të marrin atë që po kërkojnë.

Mashtrimet e sipërpërmendura mund të çojnë në pasoja si më poshtë: 

  • Urdhër për dëbim nga vendi
  • Aplikimi për një përfitim të caktuar mund të konsiderohet si i braktisur
  • Gjasat për t’jua hedhur poshtë kërkesën mund të rriten për shkak se dyshohet që është dhënë informacion i rremë  (p.sh., rasti kur viktima e mashtrimit nuk pa ose firmosi diçka që përkthyesi paraqiti në emër të viktimës)
  • Mijëra dollarë të zhvatura viktimës

Egzistojnë ligje kundër ushtrimit të paautorizuar të aktivitetit ligjor në rastin kur përkthyesi jep këshilla ligjore. Në shtetin e New York-ut konsiderohet shkelje ligji kur dikush ushtron ose paraqitet si avokati i dikujt tjetër ose kur hiqet në publik si dikush që ka të drejtë të ushtrojë aktivitet ligjor. Është e paligjshme që dikush të vërë një tabelë në cilëndo gjuhë qoftë, që lë të kuptojë që bëhet fjalë për një avokat apo ofrohen shërbime ligjore nëse në atë tabelë nuk është shënuar emri dhe mbiemri i avokatit. Askush nuk duhet të kërkojë apo të marrë shpërblim, ngaqë është paraqitur në gjyq si avokati i dikujt tjetër në rast se nuk ka liçencën përkatëse për të ushtruar profesionin e avokatit.

Askush që “ofron shërbime emigracioni” nuk duhet të japë këshilla ligjore apo të ushtrojë aktivitet ligjor, të marrë, të përdorë apo të bëjë reklamë me titullin e avokatit apo ekuivalentin e këtij titulli në anglisht apo në cilëndo gjuhë tjetër, apo të përfaqësojë apo të bëjë reklamë me tituj apo kredenciale ku përfshihen “noter publik”, “përfaqësues i akredituar i BIA-s” (Bordi i Apelit për Emigracionin) apo “konsulent emigracioni”, gjë që mund të bëjë dikë të besojë që personi në fjalë ka aftësi të caktuara profesionale. 

Për të verifikuar nëse një person (që nuk është avokat) apo agjenci është e autorizuar për të ofruar shërbime ligjore emigracioni, kërkoni në faqen e internetit të EOIR-it (zyra ekzekutive brenda Departamentit të Drejtësisë që merret me interpretimin dhe  administrimin e ligjeve të emigracionit) në adresën http://www.usdoj.gov/eoir/statspub/raroster.htm listën më të fundit të agjencive dhe individëve të autorizuar për të ofruar shërbime ligjore. 

Mund të raportoni rastet kur dyshoni për mashtrim, skema mashtruese që kanë të bëjnë me emigracionin apo raste ushtrimi të paautorizuar të aktivitetit ligjor si paraqitje formularësh apo aplikimesh pranë USCIS-it, nëpërmjet formularit të krijuar për këtë qëllim “USCIS Tip Form” të cilin mund ta gjeni në https://www.uscis.gov/report-fraud/uscis-tip-form

Në rastet kur dyshoni për mashtrim, skema mashtruese që kanë të bëjnë konkretisht me proçedurat gjyqësore të ngritura përpara gjykatave të emigracionit, apo BIA-së apo zyrës që mbikqyr dhe administron gjykatat e emigracionit (Office of the Chief Administrative Hearing Officer) mund të raportoni pranë Executive Office for Immigration Review’s Fraud and Abuse Prevention Program (programit të EOIR-it të krijuar për parandalimin e rasteve të abuzimit dhe mashtrimit) ose duke telefonuar në numrin 877-388-3840 ose duke dërguar një e-mail në adresën  eoir.fraud.program@usdoj.gov

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është kieranboth@verizon.net

 
 

Comment

*