A ka rrezik real që Rusia të përdorë armët bërthamore?

Londër / Nju Jork / Bruksel, 27 shkurt 2022 – Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të dielën, e urdhëroi ushtrinë të vë në “gjendje të gatishmërisë së lartë” forcat e parandalimit bërthamor.

A do të thotë kjo se ekziston rrezik real që Rusia të përdorë armët bërthamore?

Në luftë teoria e parandalimit thotë se një forcë, nën kërcënimin e një arme që mund ta shkatërronte plotësisht (për shembull, bombat bërthamore) heq dorë nga qëllimi i saj fillestar – ndërhyrja ushtarake -, d.m.th. heq dorë nga veprimet ushtarake. Kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur gjatë Luftës së Ftohtë. Besohet se ishte rreziku i një sulmi bërthamor që atëherë e parandaloi një luftë të re midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik.

Putin, “mes rreshtash”, e ka përmendur mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore, kur urdhëroi pushtimin e Ukrainës, javën e kaluar. Ai paralajmëroi se “kushdo që përpiqet të pengojë Rusinë” do të përballet me pasoja “çfarë nuk janë parë kurrë në histori”. Kjo deklaratë është interpretuar gjerësisht si  kërcënim me përdorimin e armëve bërthamore, në qoftë se Perëndimi do t’i dilte në rrugë Rusisë.

BBC shkruan se vendosja e forcave të parandalimit bërthamor në gjendje të gatishmërisë së lartë është një mënyrë që Moska të dërgojë një paralajmërim dhe, ndoshta, edhe të lehtësojë përdorimin eventual të armëve bërthamore. Por, kjo nuk do të thotë se ato do të përdoren me të vërtetë. Rusia e ka numrin më të madh të armëve bërthamore në botë, por e di se edhe NATO ka numë të mjaftueshëm për ta shkatërruar Rusinë, në qoftë se do të vendoste të bënte një lëvizje të tillë.

Qëllim i urdhrit të Putinit, me gjasë, është tërheqja e vendeve të NATO-s nga mbështeja e Ukrainës, duke i mbajtur ato vazhdimisht të pasigurta se sa larg është gati të shkojë (Putini) dhe çfarë saktësisht do ta konsiderojë si “një pikë në gotën e stërmbushur”, kur bëhet fjalë për mbështetjen e Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dënuan ashpër këtë akt të Putinit, duke e cilësuar si “përshkallëzim të panevojshëm”.

“Kjo do të thotë se presidenti Putin vazhdon përshkallëzimin e luftës në një mënyrë që është plotësisht e papranueshme dhe ne duhet të vazhdojmë t’i frenojmë lëvizjet e tij, sa më shumë që të jetë e mundur”, tha ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, për televizionin CBS.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e cilësoi si sjelle të papërgjegjshme urdhrin e Putinit për ngritjen e gatishmërisë së forcës bëthamore.

“Kjo është një retorikë e rrezikshme. Kjo është një sjellje e papërgjegjshme”, tha Stoltenberg.

Ai theksoi se SHBA dhe Evropa “duhet të qëndrojnë së bashku” në përgjigje të agresionit ushtarak të Rusisë dhe të “retorikës kërcënuese” të Putinit.

Meghithatë, Stoltenberg theksoi se NATO “nuk dëshiron luftë”.

(Sipas Guardian, BBC dhe Euronews)