A mund të ketë problem Kosova me “marrëveshjen e panënshkruar” ?

Mehmet PRISHTINA

Një marrëveshje ndërkombëtare, sipas Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve ose sipas te drejtës ndërkombëtare zakonore, nëse ka kaluar në procesin e negocimit, nuk është e domosdoshme të nënshkruhet që të quhet e pranuar. Prandaj edhe Kryeminsitri Kurti duhet të ketë kujdes kur deklaron se nuk e ka pranuar marrëveshjen europiane, pasi që nuk e paska nënshkruar. Sipas ekspertëve dhe njohësve të traktatave ndërkombëtare, gjykatat ndërkombëtare në të kaluarën kanë pranuar marrëveshje ndërkombëtare si të obligueshme në rastet kur ato kanë dalë si rezultat i negocimit dhe ajo është regjistruar në një procesverbal zyrtar. Nëse BE të hënën në Bruksel ka mbajtur nje procesverbal zyrtar dhe aty është shënuar pranimi, atëherë kemi një marrëvshje e cila qeveriset nga Konventa e Vjenës për të Drejtën e Traktateve (1969)

 

Serbia ende nuk po e njeh shtetin e Kosovës, por përfaqësuesit e lartë të politikës serbe po ulen me kryeministrin Kurti në një tryezë e cila rregullon marrëdheniet në mes të dy shteteve. Ndonëse e ka pranuar planin franko- gjerman, gjegjësisht europian, në Bruksel, të hënën, Aleksandër Vuçiç pas kthimit në Beograd ka thënë se nuk do ta pranojë as njohjen e Kosovës dhe as anëtarësimin e saj në OKB. Kritikët e Vuçiqt thonë se ai nuk ka nevojë deklarativisht ta njohë Kosovën, pasi që me njohjen e dokumenteve (pasaportat, letërnjoftimet etj. ) de fakto ai i ka pranuar (miratuar) atributet themelore të një shtetësie.

Por, edhe Albin Kurti në anën tjetër, pas kthimit në Prishtinë  ka bërë të ditur se nuk do të nisë zbatimi apo hartimi i statusit të Asocacionit të Komunave Serbe, pa u njohur Kosova ekzaktësisht si entitet shtetëror nga Beogradi.

Ai deklaroi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe ka kaluar në Kuvend, por nuk ka kaluar në Gjykatën Kushtetuese, në popull e as në qeveri, por tek ju ka kaluar, i tha Kurti opozitës.

Gjatë fjalës së tij ditën e enjte në seancën në Kuvend, Kurti u shpreh se Beogradi, që nga vjeshta e vitit të kaluar ka insistuar që marrëveshja të bëhet pasi të zbatohet Asociacioni. Por kjo nuk ka ndodhur dhe sipas tij “kjo është fitore e jona, nuk është e imja, por e Kosovës dhe qëndrueshmërisë së saj.”

Edhe Vuçiqi, edhe Kurti, kanë lënë hapur dy mundësi me konotacione kontradiktore – procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy shteteve, por edhe bllokimin e atyre marrëdhënieve, ndërkohë që SHBAtë thanë se marrëveshja mbi udhërrëfyesin e zbatimit të planit evropian është jetike për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, ndërsa përparimi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, thelbësor për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës. Edhe  Bashkimi Evropian tha se udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan për një marrëveshje të mbështetur nga Perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk pati nënshkrim dokumenti për shkak të mospajtimeve për zbatimin e saj, që do të kërkojë me shumë bisedime.

Marrëveshja evropiane e cila të hënën u gjend në tavolinën e Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel,  përfshin zotimin e Kosovës dhe Serbisë për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Por, partitë opozitare në Kosovë kritikuan të enjten kryeministrin Albin Kurti për mungesë transparence lidhur me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Zëra kritikë ka pasur edhe nga qarqe intelektuale dhe shoqëria civile, ku shprehet droja për një fazë të re të paqartësive për të ardhmen e Kosovës.  Shqetësimi më i madh ka të bëjë me formimin e Asociacionit dhe statusin e posaçëm për Kishën Ortodokse Serbe, krijesa këto  të cilat  mund të prdhojnë kriza të reja me pasoja të rënda për shtetësinë e Kosovës.

Megjithatë deklarimet e deritanishme të diplomatëve të lartë  amerikanë dhe europianë e përjashtojnë mundësinë e krijimit të  një “Republika Srpska” të dytë në Ballkan, duke aluduar tek Asociacioni i komunave  me shumicë serbe. Propozimi i planit gjermano-francez për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi nuk parashikon asnjë “Republikë serbe” në tokën e Kosovës. Kështu tha për Radio Kosovën, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde. Por edhe Miroslav Lajçak, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, në një intervistë për “Atlantic Council”,  ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk duhet të shihet nga Kosova si dobësim i funksionalitetit të saj. Sipas tij, janë 16 modele ekzistuese funksionale që mund të shihen si modele për të drejtat e minoriteteve dhe se të gjitha janë në përputhje me standardet evropiane.

 “Nuk duhet të kemi frikë nga diçka që s’është ende në agjendë, në procesin e dialogut”, ka nënvizuar Lajçak dhe sipas tij Kosova dhe Serbia janë palë të barabarta. Asnjëra palë s’mund të imponojë vullnetin e saj ndaj palës tjetër kundër vullnetit të saj.

Kanë mbetur më pak se dy javë (deri më 18 mars) që Kosova dhe Serbia pritet bëjnë përparim vendimtar, në mënyrë që të sqarohet mekanizimi i implementimit të marrëveshjes. Duke u ndërlidhur me këtë çështje, njëri prej eksponentëve kryesorë të PDK-së dhe ish-Ministër i Jashtëm – Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova në këtë fazë, pas asaj që Kurti ka thënë po në Bruksel, duhet ta ketë vëmendjen kryesore te plani për zbatim. Qeveria, sipas Hoxhajt,  do të duhej ta ketë vëmendjen dhe të  shoh sesi këto nene të kësaj marrëveshje do ta kenë një plan të zbatimit i cili mbron interesat e Republikës së Kosovës.

Analistët në Beograd janë të mendimit se rezultati i takimit të së hënës në Bruksel ka qenë  i pritshëm dhe se në fakt vetëm tani po nis një proces serioz negociues diplomatik. 

Dushan Janjiq në një prononcim për Kosovo-Online, është shprehur se Serbia ka fituar më shumë hapësirë për manovrim në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, sa i përket jurisdiksionit dhe autonomisë rajonale të veri të Kosovës.

 “Neni 7 i marrëveshjes për Asociacionin parashikon që Asociacioni, siç është rënë dakord më 2013 dhe 2015, mund të përmirësohet me autonomi serioze, së bashku me pavarësinë dhe statutin e Asociacionit. Serbia ishte në gjendje të marrë diçka që as nuk e kërkoi, sepse Asociacioni ishte një projekt i ngushtë politik e ideologjik i SNS-së dhe Tomisllav Nikolliqit. Ne kemi një mënyrë për të arritur maksimumin dhe hapësira është e madhe”, ka deklaruar Janjiq.

Fakti që Kryeministri Kurti nuk e ka nënshkruar marrëveshjen europiane, ky është argument i pamjaftueshëm, sipas Konventës se Vjenës për të Drejten e Traktateve,  për mospranimin e saj. Madje pati edhe vërejtje nga ekpertët të cilët i sugjeruan Kryeministrit Kurti që të ketë kujdes me fjalët për “marrëveshjen e panënshkruar”, pasi është një nga tre personat të cilët kanë fuqi për të lidhur shtetin me obligime ndërkombëtare në forma të ndryshme.

Profesori universitar dhe njohës i marrëdhnënieve ndërkombëtare, Besfort Rrecaj, duke iu referuar Kryeminstrit Kurti se “nuk ka marreveshje me Serbine sepse nuk e ka nenshkruar dokumentin, por vetëm është pranuar si i tillë dhe rrjedhimisht, inter alia, nuk ka marrëveshje ndërkombetare”, në një prononcim për mediat ia ka terhequr vëmendjen Kurtit se këtu mund të kemi një marreveshje e konceptuar sipas kuptimit të Konventës se Vjenës për të Drejtën e Traktateve ose sipas te Drejtës ndërkombëtare zakonore.

Sipas Konventës se Vjenës për të Drejtën e Traktateve, një marreveshje kërkohet që të jetë e shkruar, pra e zeza në të bardhë dhe nuk ka rëndësi se në çfarë forme bëhet ajo, është shprehur prof. Rrecaj. Rrjedhimisht, gjykatat ndërkombëtare kanë pranuar marrëveshje ndërkombëtare si të obligueshme në rastet kur ato kanë dalë si rezultat i negocimit dhe ajo është regjistruar në një procesverbal zyrtar. Pra, pyetja është nëse BE ka mbajtur nje procesverbal zyrtar. Nëse ka procesverbal dhe aty eshte shënuar pranimi atëhere kemi një marrevshje e cila qeveriset nga Konventa e Vjenës për të Drejtën e Traktateve (1969), ka saktësuar prof. Rrecaj.

“Nëse kemi një pranim jo të shkruar, pra gojor atëherë edhe kjo është marrëveshje ndërkombetare e cila qeveriset nga a drejta ndërkombëtare zakonore. Një kryeministër duhet të jetë në dijeni për konsekuencat e fjalëve të tij. Gjykata e Përhershme Ndërkombëtare e Drejtësisë e kishte shpallur një deklaratë të Ministrit të Jashtëm të Norvegjisë si të detyrueshme me të cilën Norvegjia ia kishte dhuruar sovranitetin Danimarkës mbi Grenlandën”, ka konstatuar prof. Besfort Rrecaj.

Është tepër herët për të thënë se Kosova ka dështuar me pranimin e dokumentit evropian, por është edhe tepër vonë për të rikthyer pozicionet që do t’i siguronin  ndonjë proces favorizues, pasi që janë konsumuar të gjitha opsionet diploamtike-negocuese dhe tani ndodhemi në fazën finale ku vendi ynë  duhet me mençuri të analizojë planin e zbatimit të kësaj marrëveshje dhe të gjej mënyra si të amortizoj pasojat e shkaktuara nga marrëveshjet e dëmshme paraprake.

Prishtinë, 4 mars 2023