A po përgatitet një brez i ardhshëm luftëtarësh të Shtetit Islamik?

Al-Hol (Siri), 17 maj 2022 – Në kampin al-Hol, në Sirinë veriore, gjenden mijëra familjarë të luftëtarëve të Shtetit Islamik. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Zana Omar vizitoi kampin ku fëmijët mund të rrezikohen nga ideologjia ekstremiste që përhapet nga gratë e radikalizuara.

Zyrtarët e OKB-së thonë se në seksionin e të huajve të kampit al-Hol gjenden rreth 9 mijë gra dhe fëmijë nga rreth 60 vende.

Shumë gra këtu i përgatisin haptazi fëmijët me ideologjinë e Shtetit Islamik.

Zyrtarët e kampit na treguan një video ku ata thonë se duket një djalë që drejton një grup fëmijësh gjatë faljes. Ata thonë se djali e quan veten Amir, një emër që luftëtarët e Shtetit Islamik e përdorin për të identifikuar udhëheqësit e tyre.

Gratë kërkuan të flisnin me gazetarët e Zërit të Amerikës. Ato shpjeguan se i veshin fëmijët me rroba të ISIS-it për t’i përgatitur për rikthimin e grupit terrorist.

“Dashtë Zoti që të bëhen xhihadistë. Ne besojmë se Shteti Islamik do të rikthehet dhe se fëmijët tanë do të bëhen xhihadistë”, thotë njëra nga gratë e ISIS-it.

Një djalë në kamp e quajti të pafe gazetarin e Zërit të Amerikës.

“Do t’ju vrasim. Për Zotin, kur të rikthehet Shteti Islamik, do t’ju vrasim. Ti nuk je i Shtetit Islamik. Ti je i pafe”, tha djali.

Një grua tregonte si kërcënim një thikë.

Një tjetër grua, me emrin Um Abdulla, tha se donte të fliste. Ajo është shtetase kineze që jeton në kamp me dy fëmijët e saj.

Ajo i lëvdon luftëtarët e ISIS-it që u përpoqën të arratisen nga burgu në qytetin Hasaka.

Përpjekja për arratisjen e rreth 3500 luftëtarëve, ndër ta shumë prej drejtuesve të tyre, rezultoi në luftime vdekjeprurëse që zgjatën për disa ditë dhe lanë qindra të vdekur, si nga militantët e ISIS-it, ashtu edhe nga forcat kurde që ruanin kampin.

“Kur vëllezërit sulmuan burgun Sina’a, ne u gëzuam pasi besojmë se Shteti Islamik do të rikthehet. Nuk besojmë që burrat tanë do të qëndrojnë në burg përgjithnjë”, thotë shtetasja kineze.

Civilët e tjerë që jetojnë në kamp thonë se shpesh sulmohen nga familjet e ISIS-it që i shohin si tradhëtarë ata që nuk i mbështesin. Zyrtarët e kampit thanë se iu desh të krijonin një seksion të ndarë për këta civilë, pas shtimit të sulmeve dhe kërcënimeve me vdekje nga gratë e ISIS-it.

Um Ahmed është refugjate nga Iraku, që u transferua në një vend më të sigurt pasi i kërcënohej jeta. Ajo thotë se gratë e ISIS-it ndjehen më të fuqizuara sepse celulat e Shtetit Islamik po bëhen më të fuqishme dhe arrijnë të penetrojnë brenda kampit.

“Gratë e ISIS-it u thonë fëmijëve se ‘Duhet të hakmerreni për baballarët tuaj. Kur të rriteni do të bëheni xhihadistë’. Kështu i mësojnë. Celulat e ISIS-it e kanë kampin 90% nën kontroll. Ata vijnë të armatosur me armë dhe bomba”, thotë zonja Ahmed.

Zyrtarët e sigurisë i dhanë Zërit të Amerikës filmime nga kamerat e sigurisë në kamp. Aty shfaqet një flamur i Shtetit Islamik i ngritur mbi një tendë.

(Zana Omar, Zëri i Amerikës)