A quhet vjedhje, kur hajduti vjedh hajdutin?

Koment nga Rafael Floqi

Një pastruese nxori në shesh të palarat dhe tregoi se reformat në drejtësi janë vetëm një lustër. Ajo është një letër lakmuesi për korrupsionin dominant. Kjo thënie duket shprehja “ fjalë zotëri fjalë”, por ajo skenë krimi, është analiza më e mirë e korrupsionit në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare, pavarësisht partive dhe prirjeve politike. Persona me kollare që nuk tregojnë paratë e vjedhura se mund t’u bjerë hetimi mbi ta. Persona që pranojnë unazat e tyre të vjedhura dhe që nuk i dalin zot 400 mijë eurove të fshehura në tubin e ajrimit të pastrueses spastruese. Këta persona që mbajnë pastruese për të pastruar shtëpitë e tyre heshtin për paratë e dinë që ato para nuk janë të tyret.  

Po duket se “djajtë kanë dalë nga shishet”,  një gamë e zyrtarëve të nivelit të dytë duket se nuk kanë frikë nga asgjë dhe fakti që nuk kanë frikë do të thotë se në mendjen e tyre ata kanë një garanci, e cila është se ligji nuk do veprojë mbi ta, pasi nuk vepron mbi shefat e tyre. Megjithatë “Vjedhësit janë një grup paragjykues, frikacak.” -thotë Batman në film. Kjo zonja vjedh-hajdute në banesat ku e kishin marrë për pastrim, prishi një kontratën tonë kombëtare të heshtjes e pajtimit me krimin në planin moral. Ajo veç aktit që është tjetër gjë, na tregoi se mbreti është lakuriq! Mbreti lakuriq na kujton se edhe ata që duken të plotfuqishëm dhe të pagabueshëm mund të ekspozohen si mashtrues dhe sharlatanë

Faktet flasin vetë, një zyrtare e cila u kap duke transportuar drogë pak ditë para Vitit të ri pastaj vjen ish-zyrtarja e Kryeministrisë Alda Klosi, e pushuar nga Rama 10 ditë më parë.  të cilës iu vodhën mbi 120 mijë euro nga banesa, mund të kenë qenë raste aksidentale apo e inskenuar.  Duket sikur ka një garanci, por cila  është garancia?

Garancia është që ligji nuk do veprojë mbi ta, nëse vazhdon kështu më ngjan që ky vit dhe ata në vazhdim do mbushen me ngjarje të tilla. Këto që kanë dalë kanë qenë raste aksidentale. Nuk mban askush para të pastra 500 mijë euro në shtëpi, në banesë mbahen para për shpenzime të familjes. Kushdo që ka qenë zonja Klosi është normale që tani të thotë, që nuk janë të sajat sepse i ka të humbura gjithsesi.

Të gjithë e supozojnë se ka para që qarkullon ilegalisht ose informalisht nëpër dyshekë, nën dollape, futur në çizme, nëpër bodrume të thella ndërtesash, në hatulla çatish. Prandaj, kanë një rrugë të vetme të paguajnë që t’i legalizojnë!  Të gjithë supozojnë që ka aq shumë të çara normative dhe institucionale në tenderime, dhënie projektesh publike, etj., sa duhet të ketë jo pak nëpunës që marrin mbrapsht nga firmat përfituese, prej dekadash, parà si shpërblim. Mund të bëhet fjalë për male parash!

Në ligj, vjedhja në përgjithësi përkufizohet si marrja me dashje dhe me vetëdije e diçkaje që nuk ju përket pa pëlqimin e pronarit.  Ashtu si në pothuajse çdo qëllim krimi (mens rea) dhe veprimi (actus reus) do të duhet të provohen në mënyrë që të qëndrojnë. Teorikisht, ju mund t’i merrni sendin ligjërisht hajdutit nëse do të kishit pëlqimin e pronarit (hajduti nuk ka asnjë pretendim të drejtë për të, kështu që ju nuk do të vidhnit prej tij dhe me pëlqimin e pronarit nuk ka asnjë krim) por kjo do të krijonte dy probleme: 1) për ta bërë këtë, ka të ngjarë që ju duhet të kryeni një krim (sulm, thyerje dhe hyrje) dhe 2) është një parim i përgjithshëm i ligjit që qytetarët nuk lejohen të marrin ligjin në duart e tyre dhe duhet të apelojnë në qeveri (polici, gjykata) kur të drejtat e tyre janë shkelur. Në juridiksionet ku mbrojtja e pronës është e ligjshme, ardhja në ndihmë e dikujt, prona e të cilit sapo është vjedhur dhe marrja e saj nga hajduti (me kusht që kalimi i kohës të jetë i arsyeshëm) do të justifikohet pasi ligji në përgjithësi nuk bën dallim midis mbrojtjes së vetes ose të të tjerëve, duke përfshirë në lidhje me pronën.

Ky është një gabim logjik i njohur si, “Dy gabime nuk bëjnë një të drejtë”. Pra përgjigja është po! Eshtë akoma vjedhje. Edhe pse siç thotë spastruesja vjedhje për inat  ‘E vodha se nuk e duroja dot Aldën? Këtu nuk ka një veprim Robin Hood. Ky akt i marrjes nga të pasurit dhe dhënies së të varfërve shpesh shihet si mënyra e Robin Hood për të korrigjuar gabimet e një shoqërie ku të pasurit kanë shumë dhe të varfrit shumë pak. Por Rozeta nuk ishte Robin, Rozeta vidhte për punët e veta.

Mos kemi nevojë të vidhte kjo pastruesja për të kuptuar ne si qytetarë që nuk përjashtohet që ka nëpunës dhe fëmijë nëpunësish të lartë që jetojnë krejtësisht jashtë mundësive të rregullta të fuqisë blerëse me rrogat që marrin? Aspak! Por këtu skenari bëhet më i komplikuar

Kryeministri Edi Rama ka reaguar shpejt lidhur me vjedhjen e kryer nga sanitarja Rozeta Dobi dhe djali i saj, Havier Dobi në shtëpinë e ish-shefes së kabinetit të Arben Ahmetajt.  Rreth 500 mijë euro është shifra e parave dhe sende të tjera me vlerë që u grabitën te shtëpia e Alda Klosit. Në një postim në Facebook, Rama ka deklaruar se duhet t’u shkohet deri në fund hetimeve dhe forca e ligjit duhet të mos ndalojë përpara askujt, kur faktet provojnë se është shkelur ligji për përfitime të paligjshme. Kreu i qeverisë ka shtuar se kjo ka qenë edhe arsyeja e Reformës në Drejtësi dhe se mburoja e vjetër politike për të tilla raste ka rënë”.

 Por shtrohet pyetja kush i mbulonte gjer tani? Pa dashje kryeministri bën një mea culpa.  Pasi këta persona që flitet kanë qenë zyrtarë të tij, deri para 10 ditësh, dhe pastaj ligjërata e tij vazhdon me tymnaja shashkë të parullave te propagandës rilindase për të mbuluar atë që peshku qelbet nga koka.  

“Nuk e di kur do ta kuptojnë disa që Reforma në Drejtësi dhe forcimi i institucioneve ligj- zbatuese bëhen pikërisht për të pastruar llumin! Prandaj kur del llumi falë punës së këtyre institucioneve, s’duhet harruar se këto janë provat e vullnetit tonë kundër korrupsionit! E thënë ndryshe, në një kohë tjetër policia apo drejtësia nuk ia nxirrnin kurrë lakrat në shesh njerëzve të veshur me kostum zyrtar, ndërsa sot kohët ndryshojnë përditë për mirë edhe në këtë drejtim! Sepse sot vullneti politik është i plotë dhe mburoja e vjetër politike ka rënë!”, shtoi ai.

Cila mburojë e vjetër? Kush i ka venë në detyrë këta njerëz? Sa vjet kanë ata në detyrë? Pse vidhet kjo ish punonjëse, një javë pas shkarkimit nga Rama? Vërtet, po të mos ishte kjo pastruesja a do t’i thoshte këto fjalë Rama? Pse ky reagim i shpejtë i kryeministrit? Pse hesht opozita, apo ka një pakt të heshtur me qeverinë pasi të gjithë janë njësoj? Por Rama përse kërceu, për vjedhjen e pastrueses apo të zonjës së saj. Pasi ne të gjithë e pamë reagimin që nuk kapërcehet me elokuencë Një fjalë popullore do të thoshte “ç’pati ky tani, pse i dogji”.

Dhe pastaj seria tjetër. Duket si një serial fiksional “ Unlaë, no order”. Arrestimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj është një goditje tjetër në nivelet më të larta të administratës publike për një rast korrupsioni. Së bashku me Drejtorin e Shërbimeve Mbështetëse dhe Çështjeve Ligjore Fatmir Hoxha dhe përmbaruesin Alban Ruli ata akuzohen se i dhanë 1.2 milion euro nga buxheti një person, që i kishte marrë një herë paratë. Nuk dihet se si, por Thana arriti që nëpërmjet zyrës së përmbarimit të marrë përsëri paratë e dëmshpërblimit të së njëjtës magazinë dhe truall. Këtu hynë në lojë të arrestuarit, nëpunësit e shtetit Gjokutaj dhe Hoxha dhe përmbaruesi Ruli. Prokuroria thotë se përmbaruesit e caktuan vlerën e magazinës në kundërshtim me ligjin për 145.000.000 lekë duke e trajtuar si ish pronar Ilir Thanën.

Mor po këta të arrestuarit, kush i vuri në pozitë të tillë. Arlind Gjokutaj simbolizon një nga historitë e suksesit të nëpunësve të administratës civile gjatë qeverisjes së Rilindjes. Arlind Gjokutaj është emëruar sekretar i Përgjithshëm të Ministrisë së Financave rreth një vit më parë. Gjokutaj së fundmi ka drejtuar Njësinë Speciale Antikorrupsionit dhe Antievazion. Më herët ai ka qenë ka pasur disa detyra të rëndësishme e kryesisht në institucionet si Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe drejtor i Përgjithshëm i Doganave. Ai qëndroi në postin e “kryedoganierit” vetëm për 7 muaj.

Përveç karrierës së suksesshme në administratë, Gjokutaj ka një cv për t’u pasur zili. Ai ka kryer studimet për Administrim Biznesi në Universitetin “Bocconi” në Milano, si dhe ka përfunduar studimet master për Financë dhe Menaxhim Risku në Universitetin “Bicocca” në Milano.

Ai është angazhuar si lektor i jashtëm në Universitetin e Tiranës dhe në disa Universitete private. Është çertifikuar si “Trainer of Trainer në fushën e Antikorrupsionit dhe mirëqeverisjes”, nga OSBE. Si duket edhe ky ka thënë me vete “të gjithë po vjedhin pse të mos ndyhem dhe unë.” Por a nuk mendojnë këta njerëz që e venë kryeministrin në siklet.  Duket se janë duke vjedhur te gjithë dhe s’po i mban dot pleshtat në një grusht, siç thoshte Fishta,  dhe tani duket se janë duke vjedhur jo vetëm me miratim por pa leje. Pasi hajdutët janë si barërat e këqija, ata gjithmonë do të gjejnë një mënyrë për t’u rritur.

Dhe ne si qytetar dhe e pse e dimë heshtim, dhe vetëm në Facebook lëshojmë komente si ky. “Rama e ka lëshuar SKAP-in e partisë, të lehë e t’i frikësoje ca, dhe këtë do me e shit si sukses, ndaj arrestimet e fundit, sikur kërkojnë të mbulojnë korrupsionin galopant. Por problemi më i madh është që këta që Rama i ka fut në administratë i kanë sytë te leku dhe janë grykësa. dhe nuk i mbledh dot më as Rama e as SPAK-u. Eshtë çthurrur administrata s’ka burrë nëne ta përmbajë më, dhe këta që kanë hyrë administratë nga kjo frymë që është aty, janë superhajdutë apo janë bërë. Besoj se ajo pastruesja nuk do vidhte po të mos i shihte paret sheshit. Ajo te AKSHI bënte trafik droge, kjo e këshilltarja Ahmetajt i fuste eurot nën dyshek, ky tjetri i jep lek dëmshpërblim me paret e shtetit.  Kanë dalë të gjithë me kosë në dorë e s’të falin as gramin, ah mos harroj atë pastruesen që ka dalë me fshesë me korrent”.

“Ndërkohë me këtë historinë e kësaj pastrueses mund të bëhet best-seller botëror apo një triller. Se mund të fantazosh për të bërë një roman se ajo vidhte, por jo vetëm, ajo edhe shantazhonte ata që grabiste duke u thënë : Shiko, po më denoncuat, do ta hani keq! Madje fantazia mund të shkojë edhe më shumë. Ajo në roman mund të paraqitet si personazh edhe sikur i vidhte, por pastaj, pasi u gjeti vendin ku i fshihnin lekët, u kërkonte punëdhënësve të saj çdo muaj lekë për të mos folur. Kështu që mund të imagjinojmë që në fakt argate nuk ishte ajo, por argatë ishin ata që fillimisht e kishin marrë si pastruese. Argatja u kthye në zonjë dhe zotërinjtë dhe zonat u kthyen në argatë. Sikurse ndodh zakonisht! Këta të fundit mblidhen, në roman gjithmonë, dhe thonë: Si të bëjmë? Ose ta vrasim, ose njëri prej nesh të tregojë se është vjedhur që të shpëtojnë të tjerët!  Por, Sudja e kohëve të reja i kishte kapur fort ish argatët e vet prej koqesh. Madje aq e sigurt saqë dilte me disa vetura luksoze. Pastruesja shkonte me Benz për të pastruar! – Fantazi! shkruante në një opinion profesori im i filozofisë Artan Fuga. apo realitet?  Fatkeqësisht në Shqipëri realiteti i korrupsionit ia kalon fantazisë, ose një variant tjetër është se paratë prej 500 mijë dollarësh janë të Aldës apo të shefit të saj Ahmetaj, ministrit me shkollë Anglishte të shpallur Ministër Ekonomie, apo dhe dikujt tjetër më lart, janë paratë e atyre djegësve                    ( inceneratorëve), dhe se mos Alda bashkëpunoi me pastruesen për të larë disi ato. Fakti që pastruesja pavarësisht aktit ishte e pa rrahur në këso punësh, foli për para të tjera me të birin në dhomën e përgjimit të policisë. Kështu Rozeta mund të jetë vjedhëse, por mund të jetë edhe viktimë.(sic!)

Ky është sistem i pastër kleptokrat pavarësisht ngjyrimeve politike. siç thoshte një miku i im. “Pozita dhe opozita e kanë mendjen tek depozita”.

Një sistem “kleptokratik” i referohet një sistemi qeverisjeje ose organizimi në të cilin ata në pushtet përdorin pozicionin e tyre për të vjedhur dhe për të fituar pasuri dhe burime përmes korrupsionit dhe abuzimit të pushtetit. Është një lloj qeverisje që karakterizohet nga korrupsioni i përhapur dhe vjedhja e burimeve shtetërore nga pushtetarët. Kjo mund të çojë në mungesë transparence, qeverisje të dobët dhe mungesë llogaridhënieje. Në një sistem kleptokratik, sundimi i ligjit shpesh shpërfillet dhe të drejtat e qytetarëve shpesh shkelen. Kjo mund të çojë në mungesë besimi te qeveria dhe institucionet dhe mund të shkaktojë paqëndrueshmëri sociale dhe ekonomike.

A ju ngjan kjo me Shqipërinë, ku e gjithë piramida shtetërore ngrihet mbi vjedhjen dhe blerjen me paratë e vjedhura. Ky është një sistem piramidal, pasi duke dashur të mbajnë dëshpërimisht pushtetin, si garanci për të mos u ndëshkuar, ata kanë nevojë të vazhdueshme të vjedhin. Mirëpo bota është shumë e madhe për t’i kënaqur të gjithë. Këtë e tregoi më së miri çështja e inceneratorëve. Me gjithë dhjetëra milionat e derdhura për t’i mbyllur gojën medias, afera plasi dhe nuk mund të mbyllet. Është fatkeqësi, një nga efektet më të tmerrshme të një diktature është padyshim, shpërfytyrimi i karakterit dhe dinjitetit njerëzor këtë dëshmoi dhe kjo vjedhje.

Logjika normale nuk e rrok, se përse ai që ka vjedhur miliarda me inceneratorë, me leje ndërtimi e me koncesione gjithfarësh, tani ka nevojë edhe për fondet modeste të një rruge atë të dëmshpërblimit sa herë shitur të binasë, dhe kur kjo pronarët e vërtetë nuk marrin as pronat e gjyshit të vet.

Grykësia e të pangopurve nuk e justifikon, as edhe atë pastruesen milionere që jo vetëm na prishi kontratën e heshtjes që ne kemi të gjithë me të keqen, si pozita si opozita si Rama si Saliu  por edhe na nxori të palarat si shoqëri. Kjo shpjegon këmbënguljen e kryeministrit për amnisti fiskale… “Problemi nuk janë vjedhësit dhe mashtruesit, problemi është qëndrimi i shoqërisë ndaj tyre”, shkruante një shekull më parë  Fjodor Dostojevski.

Tani pa fantazi. Ka zëra që vjedh-hajdutja dhe mund të bëhet e penduar e policisë, për të shpëtuar veten dhe djalin. Dhe atëherë do të kuptohet, pse duhet që të gjithë nëpunësit e politikanët ta kalojnë vetingun. “Vetingu është baza për marrjen e vendimeve të informuara dhe shmangien e gabimeve të kushtueshme. Vetingu është një proces i vazhdueshëm që kërkon vëmendje dhe vigjilencë të vazhdueshme për të siguruar saktësinë dhe plotësinë”, përsërisin teoricienët e Reformës në Drejtësi.  Epo kush ja ka ngenë! Çfarë thashë, “veting”, mos o zot na duhet të presim 5 vjet! 

Vetingu më i mirë, tani e ka emrin Rozeta Dobi.