A rrezikojnë ta dëmtojnë trungun kombëtar pykat partiake?

Mehmet PRISHTINA

Shqiptarët nuk kanë nevojë të fusin pyka tek njëri tjetri, por kanë nevojë ta fuqizojnë trungun e  përbashkët kombëtar, me punë e projekte që konsolidojnë mirëqenien ekonomike, sociale, politike e të sigurisë në të dy vendet tona.  Bashkëpunimi brendakombëtar nuk ka alternativë tjetër dhe çdokush që provon që këtë bashkëpunim ta reduktojë në suaza të ngushta partiake, është i destinuar të dështojë, sepse shqiptarët tashmë janë një komb i pjekur politikisht që din ta ndajë interesin partiak nga ai kombëtar.

Të dielën, më 25 prill, Shqipëria i drejtohet kutive të votimit. Zgjedhjet parlamentare të radhës do të konfirmojnë edhe një herë vullnetin politik të qytetarëve për një legjislativ të ri. Forcat politike që po garojnë e kanë forcuar diskursin dhe retorikën elektorale, duke i dhënë asaj trajta të dhunshme. Kjo u dëshmua edhe në incidentin e rëndë të Elbasanit, ku mbeti i vrarë një persoën dhe disa të tjerë u plagosën. Fatkeqësisht, skena politike shqiptare ende vuan pasojat e një mendësie të pareformuar plotësisht, e cila oponentin politik vazhdon ta trajtojë si armik që duhet eliminuar me çdo kusht. Elitat politike në Tiranë nuk arritën ta çrrënjosin këtë mendësi vrastare dhe për pasojë në garën elektorale shohim më shumë retorikë me prirje militantësh se sa programe dhe platforma zhvillimore.

Tani kur jemi në prag të zgjedhjeve të 25 prillit në Shqipëri, shtrohet pyetja cili mund të jetë impakti i këtyre zgjedhjeve në rajon, posaçërisht në Kosovë. Fillimisht duhet thënë se Kosova viteve të fundit është bërë model i zgjedhjeve demokratike, ku po vjen në shprehje kultura qytetare dhe edukimi politik i masave dhe i subjekteve partiake. Institucionet e Kosovës që e mbikëqyrin procesin zgjedhor kaluan disa faza të reformimit dhe tani mund të themi se policia, gjyqësia, komisionet zgjedhore, monitoruesit,  instrumentet e ankimimit etj. janë në përputhje me atmosferën demokratike të çdo shoqërie që organizon zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Zgjedhjet që do të mbahen të dielën në Shqipëri, përveç që do të sjellin një qeveri dhe një parlament të ri, do të hapin edhe një temë të ndjeshme debati mbi atë se duhet apo nuk duhet partitë politike nga Kosova të garojnë në Shqipëri dhe anasjelltas.

Kosova dhe Shqipëria kanë aspiratë të përbashkët integrimin në BE. Përveç kësaj, Shqipëria dhe Kosova kanë edhe aspirata shekullore për të jetuar në një shtet të përbashkët. Këtë aspiratë të shqiptarëve e dinë shumë mirë edhe miqtë, edhe armiqtë e shqiptarëve. Bile, këta të fundit, janë kujdesur që kësaj aspirate t’ia ndajshtojnë edhe sintagmën “Shqipëria e Madhe”, një parullë kjo e huazuar nga kosha e pushtimit fashist të trojeve shqiptare që, në fakt, nuk e shpreh atë që e synojnë shqiptarët. Sepse Kosova nuk ndodhet në kurrfarë harte imagjinare të Shqipërisë së Madhe, por ndodhet aty ku ka qenë gjithmonë, por e kanë shkëputur padrejtësisht nga trungu kombëtar gërshërët e  konferencave ndërkombëtare dhe tendencat grabitçare të fqinjëve shovinistë.

Pra, shqiptarët i kanë të qarta aspiratat e tyre evropiane dhe kombëtare, mirëpo këto nuk guxojmë t’i shesim si kauza politike për fitore partiake. Nëse një subjekt politik me origjinë nga Kosova garon në skenën elektorale të Shqipërisë, kjo do të krijonte keqkuptime të panevojshme në relacionin Prishtinë-Tiranë, sepse në vend që shkalla e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të rritej, ajo do të pësonte rënie si pasojë e garës së pakuptimtë politike-partiake në mes të dy vendeve tona.

Fillimisht, ishte Edi Rama ai që protagonizmit e tij politik në Kosovë i dha trajtat e një mbështetësi të një anshëm vetëm të një krahu politik dhe të gjitha ideve e veprimeve politike që vinin nga ai krah politik. Për shumëkënd ky protagonizëm i kryeministrit shqiptar ishte i pakuptimtë, aq më tepër që në tryezat e ndryshme politike e diplomatike ndodheshin  edhe ide e projekte që cenonin  të ardhmen  e Kosovës, siç ishte ideja për shkëmbim të territoreve apo për “korrigjim kufijsh”, ku Edi Rama mbante pozicion të njëanshëm. Ai është munduar ta sqarojë se nuk është protagonist dhe ideator i këtyre projekteve, por me vetë faktin se ishte shumë i afërt me kreatorët e këtyre ideve, linte hapësirë për dyshime dhe rezerva ndaj rolit të tij.

Në anën tjetër, kryeministri Edi Rama edhe sot beson se ideja e tij për Mini-Shengenin është në rregull, por ende nuk ka arritur ta sqarojë se si mund et të përfshihet Kosova në këtë projekt si subjekt i barabartë, derisa Serbia jo vetëm që nuk e njeh, por edhe e Lufton egërsisht në planin ndërkombëtar. Apo ai dhe bashkëmendimtarët e tij mendojnë që Kosova duhet të shërbejë vetëm si korridor nëpër të cilin do të kalonin lehtësisht mallrat serbe drejt porteve detare të Shqipërisë, ndërkohë që mallrat e Kosovës hasin në mijëra pengesa nga autoritetet serbe dhe, për pasojë, Serbia nuk e trajton Kosovën ashtu siç e trajton Shqipëria Serbinë (!).

Por, kur jemi te zgjedhjet dhe interferimi i tyre politik, gjërat duhet parë me mendje të ftohtë. Shqipëria dhe Kosova nuk janë krijuar për ta mundur njëra-tjetrën politikisht, por për ta mbështetur kombëtarisht. Nëse një parti politike e Kosovës i fiton disa ulëse në Kuvendin e Shqipërisë dhe kjo prodhon ftohje në mes krerëve të të dyja shteteve, atëherë kjo mund të quhet si një  “Fitore e Pirros” ose, thënë në gjuhën e shahut, a ia vlen ta japësh mbretëreshën për një kalë.

Me fjalë të tjera, fitoret tona partiake, nëse nuk i ndihmojnë forcimit të kohezionit tonë brendakombëtar, atëherë nuk kemi nevojë për fitore të tilla.

Nesër mund t’i teket një subjekti politik nga Shqipëria ta shtrijë aktivitetin e saj edhe në Kosovë dhe kjo shtrirje mund të mos jetë në funksion të ideve përbashkuese. Përkundrazi, mund të jenë pyka të dëmshme që plasaritin dhe çajnë trungun tonë të përbashkët kombëtar.

Shqiptarët nuk kanë nevojë të fusin pyka tek njëri-tjetri, por kanë nevojë ta fuqizojnë trungun e  përbashkët kombëtar, me punë e projekte që konsolidojnë mirëqenien ekonomike, sociale, politike e të sigurisë në të dy vendet tona.

Bashkëpunimi brendakombëtar nuk ka alternativë tjetër dhe çdokush që provon që këtë bashkëpunim ta reduktojë në suaza të ngushta partiake, është i destinuar të dështojë, sepse shqiptarët tashmë janë një komb i pjekur politikisht që din ta ndajë interesin partiak nga ai kombëtar.

Prishtinë, 23 prill, 2021

One Response to “A rrezikojnë ta dëmtojnë trungun kombëtar pykat partiake?”

Read below or add a comment...

  1. Sali Bollati-Çam Shqiptaro Amerikan says:

    Prishtina si kryeqytet i DARDANISE ILIRO SHQIPTARE eshte VAZHDIM I LIDHJES SE PRIZRENIT, ku para afro 150 vjetesh U RINGJALL SHQIPTARIA.
    Pa e njohur z.M.Prishtina direkt, i kuptoj problemet qe paraqet si SHQIPTAR.
    Se pari duhet te jemi te bashkuar si SHQIPTARE-SE FEJA E SHQIPTARIT ESHTE SHQIPTARIA -si ne DARDANI ashtu edhe ne SHQIPERINE e 1912 dhe pastaj nen shembullin e VETEVENDOSJES dhe me mbeshtetjen e AMERIKES SE BEKUAR mbas ALBANIAN NEIGBORHOOD; do te arrijme TE BASHKUAR SI NA KRIJUAR ZOTI!

Comment

*