AAK nuk do të marrë pjesë në votimin e Vjosa Osmanit për presidente

Prishtinë, 30 mars 2021 – Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, bëri të ditur se deputetët e kësaj partie nuk do të marrin pjesë në votimin për kandidaturën e Vjosa Osmanit për president të vendit.

Haradinaj, në një konferencë për medie, tha se kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), njëherësh kryeministër i vendit, Albin Kurti, dhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, nuk kanë kërkuar që partia e tij të bëhet pjesë e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri.

“Nuk kemi marrë prej tyre një propozim, një kërkesë, një marrëveshje politike për të votuar ose presidenten ose qeverinë. Ata nuk kanë kërkuar prej nesh një bashkëpunim. Vetvetiu ne nuk jemi pjesë e një marrëveshjeje politike për votimin e kandidates së Vetëvendosjes për presidente”, tha Haradinaj.

Ai tha se vendimi i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës që deputetët e saj të marrin pjesë në votimin për presidentin, tregon se midis kësaj partied he VV-së ka një marrëdhënie të re.

Kundër zgjedhjes së Vjosa Osmanit për president është shprehur edhe Partia Demokratike e Kosovës, kurse Lista Serbe nuk është deklaruar ende lidhur me këtë çështje.

Pro zgjedhjes së zonjës Osmani, përveç VV-së, e cila i ka 58 deputetë, janë shprehur edhe 9 deputetë të komuniteteve joserbe, të cilat janë pjesë e koalicionit qeverisës.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, në dy votimet e para për zgjedhjen e presidentit në Kuvendin e Kosovës nevojiten votat e dy të tretave të deputetëve apo 80 sosh. Ndërkaq, në votimin e tretë, president zgjidhet kandidsati që merr shumicën e thjeshtë të votave, apo 61 sosh, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse zgjedhja e presidentit dështon, Kuvendi i Kosovës shpërbëhet dhe shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

(r.m.)

Comment

*