Abazoviq: Mali i Zi do të bëhet me qeveri të re javën e ardhshme

Podgoricë, 20 prill 2022 – Mandatari për postin e kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se javën e ardhshme, pas kremtimeve të Pashkëve, pritet të votohet qeveria e 43-të e vendit të vogël ballkanik.

Në një konferencë me gazetarë, zoti Abazoviq tha se tashmë ka siguruar mbështetjen e 46 deputetëve të parlamentit 81 vendesh.

“Nuk e arritëm numrin magjik 49, por mund të themi se rrallëherë ka ndodhur që një qeveri të mbështetet nga 46 deputetë. Kjo nuk do të thotë se dera është e mbyllur për askënd, por disa subjekte nuk treguan konstruktivitet”, tha ai.

Zoti Abazoviq tha se qeveria e re që pritet të votohet pas kremtimeve me rastin e Pashkëve, duhet të ketë katër nënkryetarë dhe 20 ministra, nga të cilët, dy do të jenë pa portofol, detyrat e të cilëve do të përcaktohen në seancën e parë të saj.

“Qëllimi është të zhbllokojmë Malin e Zi dhe t’i japim shtetit institucionet funksionale për të fituar qëndrueshmëri. Në vend që të grindemi, le të kemi pajtim dhe të përpiqemi të ndërtojmë një perspektivë evropiane. Ne nuk jemi kundër zgjedhjeve, por jemi kundër zgjedhjeve pa institucione”, tha zoti Abazoviq, duke radhitur në mesin e përparësive të qeverisë së tij dialogun e gjerë politik.

“Ndër përparësitë normative është marrëveshja për bartësit e funksioneve gjyqësore, vazhdimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe përmbushjen e standardeve të përkohshme, krijimin e një mjedisi të favorshëm për investime të reja dhe ndalimin e largimit të investitorëve ekzistues”, tha ai.

Kryetari i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq, mori me 3 mars mandatin për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi, gati një muaj pas rrëzimit të qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiç, ku ai shërbente si zëvendëskryeministër.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, tha se “përfaqësuesit e Lëvizjes Qytetare URA dhe partnerët e tij politikë më kanë bindur pa mëdyshje se e kanë shumicën parlamentare për zgjedhjen e qeverisë së 43-të në parlament dhe se për këtë arsye kam marrë vendim që mandatin për formimin e qeverisë t’ia besojë Abazoviqit”.

Parlamenti i Malit të Zi, votoi më 4 shkurt për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Krivokapiç, e dalë nga zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të vitit 2020. Në favor të mocionit të mosbesimit votuan 43 deputetë, 11 ishin kundër, ndërsa 27 të tjerë nuk votuan fare.

Po në shkurt, parlamenti i Malit të Zi me kërkesën e opozitës, shkarkoi edhe kryetarin e parlamentit, Aleksa Beçiç.

Ndryshimet pasuan krizën disamuajshe në marrëdhëniet mes parlamentit dhe qeverisë si dhe brenda vetë qeverisë.

Në janar të këtij viti, Lëvizja Qytetare “URA” propozoi modelin e një “qeverisjeje të pakicës”.

Sipas zotit Abazoviq, në qeverinë e re nuk do të ketë vend për Frontin Demokratik, që cilësohet si parti pro-serbe dhe pro-ruse por as për Partinë Demokratike të Socialistëve të presidentit aktual Milo Gjukanoviç, e cila ishte më shumë se 3 dekada në pushtet në Malin e Zi.

Forcat politike të pakicave e kanë vlerësuar si shumë të rëndësishme mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për konceptin e qeverisë së pakicës. Ata kanë thënë se kjo mbështetje do të jetë e nevojshme në të ardhmen për zbatimin e reformave dhe përparimin drejt anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.

(Ali Salaj, Zëri i Amerikës)