Abazoviq: Mali i Zi do të zgjerojë sanksionet ndaj Rusisë

Podgoricë, 5 mars 2022 – Mali i Zi është i gatshëm t’i zgjerojë sanksionet kundër Rusisë për të mbështetur deri në fund politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, tha të shtunën zëvendëskryeministri në detyrë dhe mandatar për formimin e qeverisë së re, Dritan Abazoviq, në një bisedë telefonike me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Sipas një deklarate të Qeverisë së Malit të Zi, zoti Abazoviq dhe zoti Escobar kanë shkëmbyer mendime për ngjarjet aktuale në Ukrainë dhe kanë vlerësuar si thelbësore që vendet e Ballkanit Perëndimor të tregojnë vendosmëri në mbrojtjen e vlerave të qytetërimit dhe të qëndrojnë deri në fund së bashku me aleatët e tyre në BE dhe NATO.

“Mali i Zi është i gatshëm të zgjerojë gamën e sanksioneve për të ndjekur deri në fund politikën e jashtme të BE-së. Ne do të monitorojmë situatën me oligarkët rusë dhe do të marrim të gjitha masat në përputhje me ligjin nëse ata vijnë në Mal të Zi. Për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë e përgjithshme të vendit, ne po kryejmë aktivitete që synojnë luftimin e ndikimeve në Mal të Zi, të cilat më parë rezultuan me dëbimin e një diplomati rus nga Ministria e Jashtme”, citohet Abazoviq në deklaratën e qeverisë.

Ai ka thënë se Mali i Zi do të dërgojë ndihmë humanitare dhe financiare shtesë, por edhe ndihmë ushtarake, sapo të përfundojnë proceset e brendshme në vend.

Një ditë më parë Ministria e Jashtme e Malit të Zi njoftoi se e kishte shpallur person të padëshiruar një diplomat të Ambasadës së Federatës Ruse në Podgoricë. Agjencia e Sigurimit të Malit të Zi bëri të ditur se bëhet fjalë për Viktor Antipin, oficer i zbulimit dhe punonjës i Shërbimit Informativ rus.

“Arsyeja e marrjes së këtij vendimi është vlerësimi i organeve përkatëse të sigurisë në Mal të Zi për aktivitetet e diplomatit rus, të cilat janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Malit të Zi.

Vitet e fundit, Serbia dhe Rusia kanë bërë përpjekje të rrëzojnë nga pushteti forcat politike pro-perëndimore dhe të instalojnë në pushtet forcat pro-serbe e pro-ruse. Një përpjekje e këtyre forcave për grusht shteti është parandaluar në vitin 2016. Grusht shteti, siç u dëshmua në gjyqin ndaj disa prej eksponentëve, kishte qëllim pengimin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.

(Ali Salaj, Zëri i Amerikës)