Abdixhiku: Kosovës nuk i duhet ulëse në OKB, nëse bëhet si Bosnja

Prishtinë, 6 maj 2021 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shprehur qëndrimin e kësaj partie lidhur me dialogun Kosovë – Serbi.

Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Abdixhiku ka thënë se LDK i ka të njëjtat qëndrime qëi i ka pasur gjithmonë, si në pozitë ashtu edhe në opozitë.

“Dialogu nuk bëhet për Kosovën, bëhet me Kosovën. Në parimet që i kemi pasur si pozitë dhe tani si opozitë qëndrimi ynë për dialogun është i qartë.

E para, pavarësia e Kosovës është e panegociueshme. Ka një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që e konfirmon këtë. Kjo është çështja jonë e fundit. Ne jemi pale. Nuk jemi pjesë, nuk jemi argument”.

E dyta, është kundër ndryshimit të kufijve, Kosova duhet të jetë kategorike kundër ndryshimit të kufijve. Pra, ndryshimi territorial duhet të jetë i panegociueshëm për Kosovën,sepse e zhbën shtetësinë e Kosovës. Kjo zhbërje është në interes të Serbisë. Për këtë arsye në “non-paper”-in e parë që është prezentuar në fillim, ka një organizim që e zhbën Kosovën si shtet. Prandaj, jemi kundër. Për LDK-në Republika e Kosovës është e përfunduar.

E treta, Kosova duhet ta ruajë karakterin unitar të saj. Pra,duhet të jetë shtet funksional. Nuk i duhet ulësja e OKB-së Kosovës, nëse bëhet jofunksionale. Nëse Kosova bëhet si Bosnja, nuk i duhet një ulëse, sepse nuk mund të funksionojë si shtet, as në zhvillim ekonomik, as në mirëqenie dhe as në prosperitet.

E katërta, duhet të definohet shpërblimi i Kosovës nga ky process. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian e në NATO dhe njohja nga pesë vendet e Bashkimit Evropian”, ka thënë Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së është shprehur edhe kundër krijimit të një grupi apo të një ekipi të “unitetit”, siç është quajtur. Ai ka thënë se Kushtetuta e Kosovës e përcakton qartë se Dialogu është komtetencë dhe përgjegjësi e Kryeministrit dhe e Qeverisë së Kosovës.

Abdixhiku ka kujtuar se ka qenë LDK-ja ajo që e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e udhëheqjes së dialogut me Serbinë, kurse Kushtetuesja e ka thënë pikërisht këtë që është qëndrim i LDK-së për udhëheqjen e dialogut.

(r.m.)