Abdixhiku: Kurti duhet të shkojë në dialog për marrëveshje finale, me njohjen reciproke në thelb

Prishtinë, 30 gusht 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua të martën me Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, për të diskutuar lidhur me ecurinë e dialogut me Serbinë.

Pas takimit, Abdixhiku e ka quajtur të vonuar ftesën e Kurtit për të diskutuar rreth dialogut. Ai ka thënë se partitë opozitare janë informuar për ecurinë e dialogut nga ndërmjetësit ndërkombëtarë. Sipas tij, liderët opozitarë ishin informuar në mënyrë më të detajuar se sa nga Kurti.

“Konsideruam që kjo ftesë është e vonshme, pasi vjen dy javë pas takimit në Bruksel. Në ndërkohë, partitë opozitare janë informuar në detaje nga ndërmjetësi ndërkombëtar në masë më të thellë se sa që nga informoi sot kryeministri Kurti. Ai bëri sot një prezantim të gjashtë pikave, të cilat tashmë janë të njohura për publikun”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka thënë se kryeministri Kurti duhet të tregohet i guximshëm dhe të shkojë në dialog për të kërkuar marrëveshje finale, me njohjen reciproke në thelb të saj, dhe jo për çështje teknike.

“Ne besojmë që dialogimi i copëzuar është në interes vetëm të Serbisë. Prandaj, sa më shumë që Kosova merret me marrëveshje teknike, ushqehen interesat e Serbisë. I kërkojmë kryeministrit që të jetë i guximshëm dhe të shkojë në dialog për të kërkuar marrëveshje finale me njohje reciproke në thelbin e saj, me respektim të Kushtetutës dhe respektim të integritetit territorial, në thelb të saj. Është në dorë të kryeministrit që të bëjë këtë që është obligim i tij”, është shprehur ai.

“Marrëveshjet ndërkombëtare të Kosovës janë obligime kushtetuese për çdo qeveri, qeveritë vinë e shkojnë, marrëveshjet mbesin për vendin, po ashtu besojmë që ka një interpretim të Gjykatës Kushtetuese mbi Asociacionin që duhet respektuar dhe duhet të jetë bazë e organizimeve të ardhshme që, në këtë rast, duhet t’i impelemtojmë në Kosovë. Ky është qëndrimi ynë, nuk është i ndryshëm, por është një platformë e dorëzuar tash e një vit te kryeministri, në zyrën e tij’, ka  shtuar Abdixhiku.

Ai ka theksuar se marrëveshja finale duhet të bazohet në rendin kushtetues, integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës.

Abdixhiku ka thënë se ai dhe Haradinaj i kanë kërkuar kryeministrit Kurtit që të raportojë në Kuvend, para se të shkojë në dialog dhe pasi të kthehet nga dialogu, kërkesë kjo me të cilën, sipas tij, Kurti është pajtuar.

Abdixhiku ka thënë se Kryeministri Kurti dhe anëtarëst e ekipit negociator të Kosovës duhet të bashkëpunojnë ngushshtë me zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Aika theksuar se kosova duhet ta shfrytëzojë momentumin politik dhe të vendosë kontakte të rregullta me administratën e presidentit Joe Biden.

(r.m.)