Abdixhiku: Me draft-statutin e Ekipit Menaxhues Asociacioni është “shtet brenda shtetit”

Prishtinë, 9 maj 2023 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abidxhiku, ka reaguar ashpër pas publikimit të draftit të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të hartuar nga Ekipi Menaxhues.

Abdixhiku ka thënë se sipas këtij drafti, Asociacioni është “shtet brenda shtetit” apo “Republikë brenda Republikës”.

“Dokumenti i draft-statutit, i përpiluar nga Ekipi Menaxhues e i bërë publik në medie, është më tepër se Asociacion dhe është më tepër se Autonomi – është shtet brenda shtetit; Republikë brenda Republikës”, ka thënë Abdixhiku, nw njw deklaratw tw publikuar nw Facdebook.

Ai ka hedhur poshtw kategorikisht krijimin e një Asociacioni me atribute dhe kompetenca të tilla çfarë parashihen në draft-statutin e hartuar nga Ekipi Menaxhues.

“Një trup që nxjerr ligje, menaxhon asete kombëtare, pasuri publike e burime natyrore, një trup që organizon zgjedhje, mban referendume e merr kompetenca nga Kuvendi dhe nga Qeveria e Kosovës – nuk ka vend në rregullimin tonë shtetëror e kushtetues”, ka theksuar Abdixhku.

Drafti i statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i hartuar nga Ekipi Menaxhues, është prezantuar më 2 maj, në takimin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.

Pas takimit, Kurti kishte deklaruar se ky draft është i papranueshëm. Anëtarët e Ekipit Menaxhues që e kanë hatuar këtë draft u liruan nga detyra pak ditë më pas, me arsyetimin se ata e kanë kryer punën e tyre.

Deklarata e plotë e Abdixhikut:

SHTET BRENDA SHTETIT

Dokumenti i draft-statutit, i përpiluar nga Ekipi Menaxhues, e i bërë publik në medie është më tepër se Asociacion dhe është më tepër se Autonomi – është shtet brenda shtetit; Republikë brenda Republikës. Ky draft-statut, në të 67 nenet e në nëntë kapitujt e tij, projekton Federalizimin e Kosovës si koncept të ri organizativ pas shpalljes së pavarësisë.

Një trup që nxjerrë ligje, menaxhon asete kombëtare, pasuri publike e burime natyrore, një trup që organizon zgjedhje, mbanë referendume e merr kompetenca nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës – nuk ka vend në rregullimin tonë shtetëror e kushtetues.

Si i tillë, ai jo vetëm që duhet të refuzohet si bazë negociuese por dhe të refuzohet si ambicie politike. Në Kosovë nuk do të ketë parti, nuk do të ketë qeveri e nuk do të ketë njeri që mund ta pranojë një organizim të tillë.

Qeveria e Kosovës ndërsa, duhet të marrë pronësinë në procesin vijues. Asociacioni bëhet nga institucionet tona dhe atë vetëm brenda rendit tonë kushtetues. Çdo ikje nga përgjegjësia është dorëzim dhe çdo dorëzim sjellë dokumente e koncepte të tilla; siç ka ndodhur dhe me këtë tani.

(r.m.)