Absurditeti i krahasimeve mes Kosovës dhe Afganistanit

Mehmet PRISHTINA

Askush nuk mund ta dijë me saktësi se kur mund të ndodhë tërheqja amerikane nga Kosova. Mirëpo, është e sigurt se ata nuk do të qëndrojnë përgjithmonë në Kosovë dhe kjo i jep të drejtë atyre që besojnë se Kosova do të konsolidohet si shtet dhe do të ruajë partneritetin me NATO-n, SHBA-të dhe BE-në. Por, historitë e Afganistanit dhe Kosovës dallojnë esencialisht. Afganistani u pushtua nga brenda dhe u shkatërrua nga përçarjet krahinore e fisnore. Kosova është tjetër histori. Ajo u çlirua  pas një rezistence të gjatë, ndërsa fiset janë vetëm relikt etnopsikologjik. Në vetëdijen dhe kulturën shtetndërtuese të Kosovës, tradita fisnore nuk ka kurrfarë roli.

 

Opinioni botëror bërë sy e vesh pas ngjarjeve dramatike në Afganistan, ku ndodhi një përmbysje totale.

Për njëzetë vjet Afganistani ishte nën ombrellën e sigurisë amerikane, por kjo nuk mjaftoi që në këtë shtet të vendosen struktura të konsoliduara shtetërore, përfshirë ushtrinë, policinë, gjykatat, etj.

Kaosi që po mbretëron në Afganistan është i përmasave tepër tragjike, pas rrëmujës nëpër aeroporte, ku qindra mijëra njerëz të dëshpëruar po përpiqen sa më parë ta braktisin vendin e tyre për shkak të hakmarrjes që mund të ndodhë mbi ta nga ana e talebanëve. Raporohet se ka pasur ekzekutime publike ndaj përfaqësuesve të ndryshëm që kishin qenë lojal ndaj forcave amerikane dhe ish udhëheqjes afgane. Një vend relativisht i sigurt, përnjëherë u shndërra në një qendër gjikante ‘rekrutimi’ refugjatësh dhe tash më shumë shtete kanë marrë përsipër pranimin e tyre deri në një zgjidhje përfundimtare.

Por, në fakt, çka po ndodhë aktualisht? Pas rikthimit të talebanëve, Afganistanin mund ta drejtojë një Këshill Nacional, ndërkohë që lideri i lëvizjes islamike Haibatulah Ahungjada sigurisht do të mbetet udhëheqësi suprem.

Këtë e ka konfirmuar për Reuters një përfaqësues i lartë i talebanëve. Këta të fundit do të përpiqen gjithashtu që të bëjnë për vete ish pilotët dhe pjesëtarët e armatës afgane. Fillimisht interesimi më i madh është për pilotët e trajnuar nga instruktorë amerikanë.

Por mbetet të shihet se si do të realizohet ky plan pasi që talebanët brenda 20 vjetëve kishin vrarë mijëra ushtarë të forcave afgane.

Struktura drejtuese e shtetit do të jetë gati identike me Afganistanin e udhëhequr për herë të fundit nga talebanët para 20 viteve.

Nga viti 1996 – 2001 udhëheqës suprem ishte Mula Omari, i cili kishte qëndruar në prapavijë, kurse problemet tjera shtetërore i kishte zgjidhur Këshilli taleban.

Udhëheqësit taleban ende nuk kanë zbuluar për mediat perendimore shumë çështje që lidhen me strukturën politike të pushtetit të ri, por janë shumë të sigurtë se Afganistani në të ardhmen nuk do të jetë një shtet demokratik dhe ai do të drejtohet sipas parimeve juridike të Sheriatit.

Afganët njihen si popull mjaft luftarak, kurse Afganistani me të drejtë është quajtur si “varri i perandorëve”. Afganët kanë bërë beteja të mëdha me kolonizatorët britanikë nëjug dhe me sovjetikët në veri, deri sa këta të fundit në vitin 1979 e pushtuan Afganistanin, dhe më pas instaluan nje qeveri komuniste përmes një grusht shteti. Ky invadim sovjetik nxiti rezistencën afgane dhe për një kohë të shkurtër u aktivizuan mijera vullnetarëtë quajtur “të rinjtë islamikë” apo “xhihadistë”, të cilët iu bashkuan luftës anti-sovjetike. Në mesin e tyre ndodhej edhe Osama Bin Laden.

Këto aradha guerile u furnizuan me armë të llojeve të ndryshme nga SHBA. Të njëjtat armë talebanët i mbajnë në duar edhe këtyre ditëve.

Pas një rezistence të fortë, nëvitin 1989 sovjetikët braktisën Afganistanin, ndërkohë që talebanët që udhehoqën luftën, morën pushtetin dhe vendosën regjimin islamik, ndërsa mbi bazën e “rinisë islame” lindi edhe “Al Kaeda”.

Brenda kësaj periudhe 20 vjeçare, shumica e udhëheqësve që kishin drejtuar rezistencën talebane, në mesine të cilëve edhe Osama Bin Ladeni, nuk janë më, siç nuk ekziston më edhe Al Kaeda, por talibanët u rikthyen ne pushtet dhe Afganistani humbi shansin të behet një shtet modern e demokratik. Shoqëria afgane shumë shpejt u akomodua në luksin e pranisë ushtarake amerikane dhe nuk arriti të ndërtojë një shtet të qëndrueshëm që do të prodhonte edhe demokraci, edhe rezistencë ndaj rikthimit të talebanëve. Afganistani fatkeqësishtështërikthyer tek qeverisjet fisnore, në bazë krahinash, një model ky fatal i keqmenaxhimit të shtetit që mbyll të gjitha rrugët e reformave dhe rimëkëmbjes.

Ditëve të fundit po bëhen analiza të shumta mbi shkaqet që sollën në degradimin kaq të shpejtë të strukturave shtetërore e ushtarake afgane. Forcat e sigurisë afgane kishin trajnimin dhe aftësinë për të mbrojtur vendin, por gjithçka i ngeli në dorë “dëshirës dhe lidershipit”, ka thënë Gjenerali amerikan Mark Milley, në një konferencë për shtyp, në Pentagon.

“As mua e askujt tjetër nuk na e merrte mendja që një ushtri e përmasave të tilla të kapitullonte në 11 ditë”, tha ai.

Rënien e forcave të sigurisë afgane e komentoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili e konsideroi këtë si një “tragjedi”.

“Ka shumë mësime të vështira për të nxjerrë nga ngjarjet e fundit në Afganistan”, tha ai për BBC.

Stoltenberg e fajësoi lidershipin e qeverisë afgane dhe jo ushtarët, të cilët i cilësoi trima dhe profesionistë.

Ai tha se NATO shkoi në këtë shtet pas sulmeve terroriste në SHBA dhe një moment që Amerika vendosi fundin e prezencës së saj ushtarake në Afganistan nuk kishte opsion praktik për aleatët europianë për të qëndruar.

“Plani ynë nuk ishte kurrë për të qëndruar përjetë në Afganistan”, tha ai.

Mirëpo të gjitha këto analiza tani nuk u ndihmojnë njerëzve në Afganistan që kanë mbetur nën mëshirën e fatit, sepse jeta e tyre tash e tutje varet nga ligjet e talebanëve.

Për të vërtetuar këtë mjafton lajmi që u shoqërua me fotografi nëpër mediat ndërkombëtare ku njoftohej se luftëtarët talebanë në provincën Takhar e kishin qëlluar për vdekje një grua që nuk kishte bartur burka. Kjo ndodhi të njëjtën ditë që ky grup u zotua se do të respektojë të drejtat e grave.

Në fotografitë e publikuara shihet gruaja e shtrirë e mbuluar në gjak, e rrethuar nga më të dashurit që e vajtonin vdekjen e saj.

Ndodhitë në Afganistan prodhuan edhe shumë analiza dhe vrojtime nga më të ndryshmet. Ajo që i bën të përbashkëta këto vrojtime është konstatimi se imazhi i SHBA-së dhe NATO-s në sytë e opinionit ndërkombëtar ka pësuar një dëshpërim, për arsye se askush nuk e kishte pritur që një prani 20 vjeçare në Afganistan nuk do të mund të krijonte parakushte për një shtet normal, ku të gjithë do të ndjeheshin të sigurtë edhe pas largimit të prezencës ndërkombëtare.

Por, pati edhe vështrime e analiza në të cilat shihen krahasime mes zhvillimeve dramatike në Afganistan dhe situatës në Kosovë. Disa prej autorëve shkuan aq larg sa i dhanë një rol tepër i rëndësishëm edhe Serbisë, në rast se forcat ndërkombëtare të sigurisë do të largoheshin nga Kosova. Për të qenë absurdi më i madh, ky diskurs dashakeq për Kosovën u imponua pasi forcat amerikane u larguan nga Afganistani, duke pretenduar se një këvizje e tillë mund të ndodhë edhe në Kosovë. Pa hyrë shumë në specifikat e dy vendeve, në këtë diskurs dashakeq nënvlerësohen shteti dhe shoqëria e Kosovës në përgjithësi.Institucioneve të Kosovës u atribuohet paaftësia për të qeverisur, pas largimit të amerikanëve.

Askush nuk mund ta dijë me saktësi se kur mund të ndodhë tërheqja amerikane nga Kosova. Mirëpo, është e sigurt se ata nuk do të qëndrojnë përgjithmonë në Kosovë dhe kjo i jep të drejtë atyre që besojnë se Kosova do të konsolidohet si shtet dhe do të ruajë partneritetin me NATO-n, SHBA-të dhe BE-në.

Por, historitë e Afganistanit dhe Kosovës dallojnë esencialisht.

Afganistani u pushtua nga brenda dhe u shkatërrua nga përçarjet krahinore e fisnore. Kurse shteti i pavarur i Kosovës u krijua pas luftërave të pareshtura për liri, me ndihmëën e diplomatike e ushtarake të Perëndimit. Në Kosovë prej vitesh është krijuar një vetëdije e lartë shtetëtore se shteti zhvillohet e forcohet nga institucione të qëndrueshme shtetërore. Kjo vetëdije është garant i demokracisë, zhvillimit e progresit në Kosovë edhe pas largimit të prezencës ndërkombëtare.

Sidoqoftë, Afganistani do të mbetet pikë referuese për mbarë botën. Doktrinat mbi shtetndërtimin do të bazohen në përvojën e Afganistanit. Kush nuk arrin të mësojë nga kjo përvojë mund të pësojë. Tashmë është provuar se historia edhe përsëritet.

Prishtinë, 19 gusht, 2021