Administrata Biden dyfishon furnizimet me ilaçin “Paxlovid” për të luftuar Covid-19

Uashington, 5 janar 2022 – Presidenti Joe Biden ka udhëzuar administratën e tij të blejë 10 milionë doza shtesë të ilaçit Paxlovid të Pfizerit për COVID-19, duke e çuar totalin në të paktën 20 milionë doza, si pjesë e strategjisë së tij për të luftuar variantin Omikron.

Biden iu drejtua publikut amerikan të martën pasi rastet me COVID-19 në SHBA po rriten në nivele rekord pas festave.

“Sot, po udhëzoj ekipin tim që të punojë me Pfizerin për të dyfishuar furnizimin nga 10 milionë në 20 milionë doza trajtimi që do të ofrohen në muajt në vijim”, tha presidenti.

Sipas një raporti nga Universiteti Johns Hopkins për shkak të variantit Omicron, të hënën rastet e koronavirusit në vend arritën një rekord botëror prej një milionë të infektuarish në 24 orë.

Të martën, presidenti Joe Biden parashtroi strategjinë e administratës së tij për t’iu përgjigjur Omicronit. Përveç blerjes së më shumë pilulave nga Pfizeri, ai premtoi se do t’i bënte më gjerësisht të disponueshme dozat përforcuese dhe testimet.

Ndërsa amerikanët duhet të presin në radhë të gjata për t’u testuar, presidenti Biden është fajësuar për vonesat dhe mungesat e testimeve.

Administrata e tij nuk ka dhënë hollësi mbi shpërndarjen e gjysmë miliardi paketash të testimit në shtëpi të premtuara falas. Testimi konsiderohet kyç për të kufizuar përhapjen e Omicronit dhe për të reduktuar shtrimin në spital.

“Ne nuk mund të bëjmë shumë për të penguar përhapjen e këtij virusi jashtëzakonisht ngjitës. Dhe nëse sjell vetëm një sëmundje të lehtë, mund ta tolerojmë ndërsa përpiqemi të vazhdojmë të parandalojmë shtrimet në spital”, thotë Dr. William Schaffner me universitetin Vanderbilt.

Po shfaqen më shumë prova se Omicroni shkakton simptoma më të buta se variantet e mëparshme, që në disa vende po rezultojnë në nivele më të ulëta të vdekjeve pavarësisht rritjes së numrit të rasteve.

“Ne po shohim gjithnjë e më shumë studime që tregojnë se omikroni po infekton pjesën e sipërme të trupit. Ndryshe nga variante e tjera që infektojnë mushkëritë, dhe shkaktonin pneumoni të rëndë. Mund të jetë një lajm i mirë, por vërtet duhen më shumë studime për ta vërtetuar këtë”, thotë Abdi Mahamud me Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Shtetet e Bashkuara kanë dhuruar më shumë se 315 milionë doza vaksinash në mbarë botën, ndërsa kanë premtuar gjithsej 1.2 miliardë doza. Megjithatë, disa ekspertë shëndetësorë thonë se vendet e pasura nuk po bëjnë mjaftueshëm për të vaksinuar botën dhe për të parandaluar shfaqjen e varianteve të reja.

“Derisa të dyfishojmë angazhimin tonë për të vaksinuar kontinentin afrikan dhe Azinë Juglindore dhe Amerikën Latine, ne do ta kemi gjithmonë këtë problem dhe kjo është ajo që duhet të ketë përparësi. Deri tani, as qeveria amerikane dhe as vendet e G-7ës nuk e kanë realizuar këtë angazhim”, thotë Dr Peter Hotez me kolegjin Baylor.

Të hënën, autoritetet shëndetësore amerikane miratuan vaksinën përforcuese të Pfizerit për fëmijët deri në moshën 12 vjeç, me një miratim përfundimtar që pritet në ditët në vijim.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*