Administrata e Bidenit: Palët janë të obliguara ta zbatojnë Marrëveshjen e Uashingtonit

Prishtinë, 21 qershor 2021 – Administrata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e cilëson të obligueshëm për palët zbatimin e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë që ishte nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington.

Në një përgjigje për T7, administrata e Bidenit ka thënë se këtë marrëqveshje e ka studjuar me kujdes dhe se kjo marrëveshje është zotim që duhet të respektohet detyrimisht nga palët nënshkruese.

“Ne besojmë se vendet e kanë detyrim të respektojnë marrëveshjet dhe zotimet që janë bërë më herët. Për shembull, administrata e Biden e studioi me kujdes marrëveshjen e Uashingtonit që z. Vuçiq dhe z. Hoti arritën në Shtëpinë e Bardhë dhe erdhën në përfundimin se këto janë gjëra që duam t’i shohim tek palët, të vazhdojnë të ecin përpara – të rrisin tregtinë, të rrihin investimet, të rrisin përpjekjet për të luftuar terrorizmin etj. ”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur rezerva ndaj Marrëveshjes së Uashingtonit. Pak ditë pas nënshkrimit të saj, ai kishte thënë se “e vetmja pikë e vlefshme” e marrëveshjes është njohja e Izraelit dhe vendosja e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Kurti kishte deklaruar se nëse do të zgjidhej kryeministër nuk do të jetë i obliguar ta zbatojë këtë marrëveshje.

Ndërsa zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, pak ditë më parë, ka deklaruar se Marrëveshja e Uashingtonit nuk ka ndonjë “vlerë juridike”, sepse nuk është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Marrëveshja e Uashingtonit, e nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020 nga Kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i përmban 16 pika.

Marrëveshja është nënshkruar në prani të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Nënshkrimi i marrëveshjes për normalizim ekonomik nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në Uashington, 4 shtator.

(r.m.)

Comment

*