Afganistani, test për pro-amerikanizmin

Emin AZEMI

Një gjigant mediatik si “Sputnik” rus nuk bën gjë tjetër pos të “redaktojë” disponimin e publikut, duke i kthyer kundër Amerikës shumë njerëz të lëkundur në orientimet e tyre gjeopolitike. Por, vetëm shqiptarët, mbetën të palëkundur në disponimin e tyre pro-amrikan, sepse ata e kanë të shartuar në kodin e tyre kanunor e civilizues traditën qindravjeçare të mikpritjes dhe mirënjohjes ndaj mikut që u është gjendur pranë në kohët më të vështira.

 

 

Amerikanët nuk kapitulluan në Afganistan, siç po duan ta interptetojnë disa anti-amerikanë, por ata u tërhoqën pas 20 vjetësh, në bazë të një marrëveshje që ishte arritur vitin e kaluar. Pasi harxhuan 2.3 trilionë dollarë, para dy vjetësh, SHBA kishte paralajmëruar se do të tërhiqej nga Afganistani. Madje e kishin caktuar edhe datën kur do të largohej edhe ushtari i fundit – 31 gusht 2021. Pra, asgjë nuk ndodhi befasisht dhe këtë e kanë ditur edhe ata që tani po ikin nga sytë këmbët.

Shtypi serb i është rikthyer retorikës anti-amerikane, duke e ndërlidhur tërheqjen nga Afganistani me rrethanat në Ballkan. Sipas zëdhënësve të kësaj retorike, Amerika po dështon gjithkund dhe kjo, sipas tyre, është një shenjë e mirë për rajonin, duke iu refreruar sidomos çështjes së Kosovës. Sa më e dobët Amerika, aq më e fortë Rusia – është nënteksti i këtij diskursi. Një Kosovë dhe një Ballkan pa Amerikën  nënkupton fuqizimin ndikimit serb në rajon dhe këtë e duan të gjithë ata që besojnë se Kosova nuk ka aftësi shtendërtuese. Këtë e besojnë edhe disa tifozë të Vuçiqit që flasin shqip në Prishtinë.

Mediat ruse, të kontrolluara nga regjimi i Putinit, ka kohë që bëjnë propagandë anti-perëndimore, me theks të posaçëm në nxitjen e disponimit anti-amerikan në disa rajone të botës me demokraci të brishtë. Kjo propagandë merret me përmbysjen e tezave që i konvenojnë Moskës, duke u ndërlidhur edhe me faktin se BE është konfuze pas largimit të Britanisë së Madhe dhe pas përfundimit të epokës së Angela Merkelit. Beteja për primat evropian në mes Gjermanisë dhe Francës do t’i kushtojë Europës kohë dhe nerva, ndërkohë që politika e zgjerimit do të ngadalësohet paksa, si pasojë e kësaj rrëmuje post-merkel.

Në këtë ngushticë veprimesh, propaganda ruse arrin fort mirë të orientohet, aq më tepër kur çdo dështimi të Evropës dhe Amerikës mundohet t’ia atribuojë  planeve gjoja anti-ruse për të zgjeruar demokracinë dhe prezencën e NATO-s në shtetet e Evropës Lindore, kryesisht në disa shtete që dikur ishin republika ish-sovjetike.

Tani, me zhvillimet e fundit në Afganistan, kjo propagandë sikur del e fituar në parshikimet e saj dhe ka jo pak njerëz që i besojnë asaj. Një gjigant mediatik si “Sputnik” rus nuk bën gjë tjetër pos “redakton” disponimin e publikut, duke i kthyer kundër Amerikës shumë njerëz të lëkundur në orientimet e tyre gjeopolitike.

Një inxhiniering i tillë i publikut po ndodh edhe në rajon. Mediat serbe që transmetojnë linjat editoriale të “Sputnik” dhe megafonëve të tjerë të Putinit, duan ta bindin audiencën me argumente të fabrikuara në laboratotorët e disponimit antimamerikan.

Reparte të ndara të kësaj propagande po nxjerrin krye edhe në disa media në gjuhën shqipe, në Kosovë dhe në Shqipëri, emërues i përbashkët e të cilave është krijimi i epërsisë së Serbisë në raport me Kosovën, si në aspektin ushtarak, ashtu edhe në aspektet ekonomike, demografike e gjeografike. Njeriu i lig e mat forcën e tjetrit me shkallën e frikës. Ligësia e njeriut frikacak përpiqet ta veshë nënshtrimin me petkun e pragmatizmit.

Por, lajmi i mirë vjen nga politika shqiptare, e cila për asnjë milimetër nuk është lëkundur nga pozicioni i fuqishëm pro-amerikan. Në Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkup politikanët dhe intelektualët shqiptarë, në koordinim me diplomatët amerikanë,  kanë pranuar strehimin e refugjatëve afganë në të tria vendet. Kjo politikë është në harmoni të plotë me kërkesat dhe nevojat e miqve tanë amerikanë, për të menaxhuar një krizë momentale që është pasojë e hapave të pastudiuar mirë para tërheqjes së forcave amerikane e aleate nga Afganistani.

Kjo është edhe një dëshmi se miqësia me Amerikën nënkupton edhe obligime ndaj Amerikës. Përetj kësaj, shqiptarët e kanë të shartuar në kodin e tyre kanunor e civilizues traditën qindravjeçare të mikpritjes dhe mirënjohjes ndaj mikut që u është gjendur pranë në kohët më të vështira.

Pa Amerikën, tokat shqiptare do të ishin pjesë e banovinave serbe, kurse shqiptarët do të ishin argatë të fermerëve të leckosur serbë nëpër fshatrat e braktisura të Shumadisë.

Në Afganistan nuk kapituloi Amerika, por shoqëria afgane dështoi të ndërtojë shtet stabil. Ushtria dhe policia afgane dështuan të aftësohen për sfidat eventuale, siç ndodhi tani, me rikthimin triumfal të talibanëve, sikur shteti afgan të mos kishte ekzistuar fare. 

Shoqërisë shqiptare nuk i nevojitet ky mësim nga Afganistani, siç po duan të thonë disa, për arsye se ata kishin kaluar më herët nëpër pësime e mësime të tilla. Në muajt mars, prill, maj dhe qershor të vitit 1999, shqiptarët e Kosovës përjetuan një dyndje me përmasa biblike drejt kufinjve të Shqipërisë dhe Maqedonisë, kështu që fatkeqësia e tyre u bë pjesë organike në mbarë hapësirën shqiptare.

Për dallim nga afganët, shqiptarët u dëbuan dhunshëm, ndërkohë që djemt dhe vajzat e tyre po luftonin dhëmbë për dhëmbë me okupatorin serb. Tani nuk po shohim ndonjë afganë të luftojë kundër talibanëve.

Për dallim nga afganët, shqiptarët u organizuan në rezistencë të armatosur kundër serbëve dhe ky ishte momenti vendimtar i ndëryhyrjes ushtarake të NATO-s së udhëhequr nga SHBA. Amerikanët do të vazhdonin të qëndronin edhe më tej në Afganistan, sikur në shoqërinë afgane të krijohej një masë kritike, e cila do të ishte kundër talibanëve. Me që kjo masë kritike nuk u krijua, Washingtioni vendosi të mos sakrifikojë më tutje ushtarët amerikanë për një shoqëri që nuk e kishte ndërmend të konsolidohej si shtet modern. Në të kundërten nuk do të ndodhte që talibanët të merrnin me aq lehtësi kazermat ushtarake, stacionet policore, ministrtitë dhe institucionet qeveritare si edhe institucionet tjera, të cilat janë krijuar nga SHBA.