Agim Aliçkaj: Serbia duhet trajtuar si çdo agresor që e ka humbur luftën

Çfarë i tha Agim Aliçkaj ish-Sekretarit të Shtetit Henry Kissinger, gjatë përplasjes në Kongresin Amerikan për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë?

Roli i diasporës dhe Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane të kongresistit DioGuardi.

Historia e shpëtimit të hebrejve në Kosovë, nga familja e babait, Arif Aliçkaj dhe shqiptarë të tjerë.

Çfarë duhet të bëjnë udhëheqësit e Kosovës sot, për kufirin, taksën ndaj mallrave serbe, negociatat me Serbinë, marrëdhëniet BE-në dhe SHBA-në?

Të gjitha këto e të tjera në një intervistë të jashtëzakonshme të gazetës “Illyria”, në Nju Jork, me Magjistër Agim Aliçkaj, që erdhi në SHBA nga Deçani i Kosovës e u bë shumë shpejt një nga aktivistët më të përkushtuar në komunitetin shqiptaro-amerikan.

20 vjet pas luftës në Kosovë, ai flet për kontributin e madhe të lobit shqiptar, çastet e fillimit të bombardimeve dhe nevojën për t’iu rikthyer punës në Washington.

Intervistoi Ruben Avxhiu, “Illyria”

Zoti Aliçkaj, ky që po jetojmë është një vit i nderimeve të shumë 20-vjetoreve. 20-vjetori i dhimbshëm i Reçakut, 20-vjetori i vendimit të vështirë të marrëveshjes në Rambuje, 20-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, 20-vjetori i çlirimit etj. Janë të gjitha, me të mirat dhe të këqiat edhe një kurorëzim i punës së shqiptarëve në Washington.Ju vetë keni qenë shumë aktiv me Ligën Qytetare si dhe personalisht. Çfarë kujtoni më shumë nga ato vite?

Deshiroj të të falenderoj ty Ruben, dhe gazetën “Illyria” për mundësinë që t’i shpreh mendimet e mia për ngjarjet dhe situatën. Çdonjeri prej nesh ka shumë për të thënë. Njeherit, ju përgëzoj për punën e madhe me dekada në të mirë të çështjes sonë kombëtare.

Është 20 vjetori i ngjarjeve shumë të dhimbshme por edhe te lavdishme dhe historike për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar. Masakra e forcave terroriste serbe mbi popullsine civile shqiptare në Recak e kaloi kufirin e durimit të SHBA-ve dhe vendeve demokratike perëndimore të Evropës. Fjala popullore thotë: “kriminelin e zen gjaku i viktimës së pafajshme”. Ky akt barbar dhe mospranimi i marrëveshjes së Rambujesë, ishin faktorë shumë të rëndësishëm, në mes të shumë faktorëve tjerë, që ndikuan në vendimin e NATO-s për ta bombarduar Serbinë. Duhet cmuar lart sinqeriteti, drejtësia, burrëria dhe trimeria e ambasadorit amerikan William Walker në paraqitjen reale te masakrës së Recakut.

Marrevëshja e Rambujesë ishte e vështirë dhe shumë e pavolitshme për Kosovën. Me të mund të arrihej sigurimi i të drejtave të njeriut dhe një nivel i kufizuar autonomie por kurrësesi pavarësia. Pala Kosovare nuk kishte rrugë tjetër përveç nënshkrimit. Duhet t’i falenderohemi arrogancës, budallëllëkut dhe kalkulimeve të gabuara të diktatorit komunist Millosheviq dhe bandës së tij kriminale për mospranimin e saj. Serbët shumë e perdorin thënjen “Sve ili nishta” ne shqip “Gjithshka ose asgjë” . Ata u munduan të marrin çdo gjë por fituan asgjë, fituan faqen e zezë dhe bombat e NATO-s.

Nga ato ditë të vështira, më kujtohen aktivitetet e panumërta masovike dhe energjia e pashterrshme e veprimit te komunitetit shqiptaro-amerikan, demonstratat madhështore të subjekteve të bashkuara nën udhëheqjen profesionale dhe shume të sukseseshme të ish-kongresistit Joseph DioGuardi, seancat dëgjimore në Kongresin amerikan ku i mundesohej një populli të vogel e të shtypur për t’i paraqitur padrejtësitë, keqetrajtimin, dhe shkeljen e të drejtave të tij kombëtare, politike dhe njerëzore. Me kujtohet edhe madhështia, mençuria dhe vlerat e larta politike dhe njerëzore të shumë përfaqësuesve të Kongresit amerikan, senatorët Dole, McCain, Biden, D’Amato , Schumer, Pressler, Pell, Lieberman, Helms dhe kongresistet Lantos, Gilman, Engel, Hyde, Boehner, Ed Royce, Rohrabacher, Ros-Lehtinen, Traficant e të tjerë, shumë prej të cilëve çështjen tonë e morën me zemër.

Me kongresistin Tom Lantos (qender)

A ju kujtohet se ku ndodheshit në momentin kur filloi ndërhyrja e NATO-s në Kosovë? Si e përjetuat atë moment?

Para televizionit, me familje, në shtëpinë time në Yonkers. Lajmet tregonin se po afrohej momenti i bombardimeve, por gjithmonë ekzistonte mundësia që të ndaleshin, nëse krimineli Millosheviq i telefononte ambasadorit Holbrook se e pranonte marrëveshjen e Rambujesë. Fatbardhësisht, kjo nuk ndodhi dhe kryeministri rus Primakov, që vinte në SHBA për të kërkuar ndaljen e bombardimeve, u kthye mbrapsh në gjysëm të rrugës, i refuzuar nga nënkryetari amerikan Al Gore.

Kur filloi bombardimi, të gjithë u ngritëm në këmbë dhe filluam ta përqafojmë njëri-tjetrin. Babai im Arif Alickaj filloi të qante dhe ne bashkë me të. Ai ishte me karakter shumë të fortë, ishte hera e parë në jetë që unë e pashë të derdhte lotë. Përjetimi vështirë mund të përshkruhet, gëzim, krenari, triumf, shpresë, besim në fitore, por edhe shqetesim. E dija se, që nga ky moment, çlirimi i Kosovës nga thundra shekullore serbe ishte i sigurt. Por, ekzistonte ende një ndjenjë frike dhe shqetësimi se çfarë do të ndodhte në ditët në vijim, sa do t’i kushtonte popullit tonë liria . Dhe, për 78 ditë bombardimi populli shqiptar i Kosovës kaloi nëpër një periudhë të tmerrshme. Shpërngulje masovike me dhunë, vrasje të popullsisë së pafajshme civile, përfshirë gra dhe fëmijë, dhunime, masakra, tortura çnjerezore dhe zhdukje pa gjurmë. Këto krime makabre të kriminelëve serbë, nuk bën të harrohen kurrë.

Sa i rëndësishëm ishte – sipas jush – roli që luajtën shqiptarët e Amerikës në fatin e Kosovës? A do të kishte ndodhur ndërhyrja e NATO-s pa lobimin modern të më shumë se një dekade në Washington?

Shqiptarët e Amerikës luajtën një rol të pazëvendësueshëm në fitoren e Republikës së Kosovës. Është gjë e ditur se fati i Kosovës dhe i mbarë kombit shqiptar vendoset në shtetin më të madh dhe më demokratik të botës, në SHBA. Prandaj, pa lobim profesional dhe efektiv në SHBA vështirë se do të arrihej bombardimi i Serbisë, çlirimi dhe shpallja e pavarësisë. Por, duhet kuptuar se parakusht për këtë ishte rezistenca gjithëpopullore në trojet tona.

Rezistenca e popullit shqiptar ka filluar në momentin kur këto troje u okupuan nga serbo-sllavët, para më shumë se 100 viteve. Në dekadat e fundit, me shtimin e represionit serb me qëllim të shkatërrimit përfundimtar të popullit shqiptar të Kosovës dhe trojeve tjera, rezistenca filloi të bëhet me masovike dhe më e organizuar, së pari me protesta paqësore të udhëhequra nga LDK dhe forcat tjera demokratike e më vonë me luftë të organizuar të prirë nga UÇK. Pra aty, mu në Kosovë, ishte faktori i parë dhe burimi i fitores sone. Faktori i dytë është lobizmi në Amerikë, pa të cilin Kosova nuk do të bëhej shtet. Pastaj radhiten edhe shume faktorë të tjerë që e ndihmuan këtë arritje të madhe, une besoj se vet Zoti i madh i bëri bashkë të gjitha për ta shpëtuar kombin tonë nga shkatërrimi.

Si ndodhi që u angazhuat me Ligën Qytetare të Joseph DioGuardit? Si u bashkuat me të? Cilat ishin meritat historike të saj?

Pas marrjes se autonomisë dhe okupimit klasik të Kosovës në korrik të vitit 1990, mbeta pa punë si gati të gjithë shqiptarët e Kosovës. Ne gusht të atij viti u nisa për në Amerike me shpresë se ky do të ishte një qendrim i imi i përkohshëm. DioGuardi dhe Liga, me angazhimin e tyre në Washington për Kosovën, ishin bërë të njohur në komunitetin shqiptar, në Amerikë. Unë vura kontakt me DioGuardin nëpërmjet miqve të mi të nderuar vëllezërve Osmani nga Morina e Gjakovës, kontribues të mëdhenj të Ligës dhe të veprimeve lobiste në Washington, për një kohë të gjatë.

DioGuardi planifikonte një vizitë në Evrope, në fund të gushtit të vitit 1990. Unë e bëra organizimin e qendrimit të delegacionit të Ligës te vëllezërit e mi Naimi, Esati dhe Samiu, në Oslo, Norvegji. U mblodhën mjete të rëndësishme financiare dhe u krijua dega e Ligës, në Oslo, nën udhëheqjen e Naimit. Ai për disa vite, derisa unë u forcova materialisht, kontriboi për anëtarsimin tim në Ligë dhe vetë ishte anëtar i Bordit, deri në pavarësimin e Kosovës.

Unë për një kohë e kam kryer detyrën e Sekretarit të Ligës dhe vazhdoj të jem anëtar i Bordit Ekzekutiv edhe sot. Cdo shqiptar e ka detyrë të japë kontriubutin e vet kombëtar në vendin ku gjendet dhe me mundësitë që ka. Shqiptarët në mërgim gjithëmonë janë interesuar e kanë përkrahur dhe kanë lobuar për kombin e vet, prej momentit që kanë zbritur në dhe të huaj. Por, ishte hera e parë që lobizmi u shëndrrua në një veprim të organizuar, modern, masovik dhe shumë efektiv. Mjafton të përmendi vetëm dy deklarata. Presidenti Rugova pat thënë se “Liga ka bërë punë në Washington sa një shtet”, ndërsa krimineli Millosheviq, në Hagë, me dëshpërim deklaroi se “Liga e udhëhequr nga Joseph DioGuardi, i hapi kanalet zyrtare për separatistët kosovarë në Kongresin Amerikan dhe ndikoi në krijimin e disponimit anti-serb dhe shkatërrimin e Jugosllavisë”.

Puna e lobit të parë shqiptaro-amerikan- LQSHA është e dokumentuar dhe duhen libra të tërë për ta përshkruar, gjë që do të bëhet në të ardhmen e afërt. Aktivitete të panumërta për tri dekada në mbrojtje të të drejtave të njeriut të popullit shqiptar të Kosovës dhe trojeve tjera të okupuara nga sllavo-grekët si dhe afirmimit të çështjes gjithëkombëtare: protesta të ndryshme, demonstrata dhe tubime masovike; seanca dëgjimore në Kongres, takime me senatorë, kongresistë, përfaqësues të Departamentit të Shtetit dhe institucioneve tjera amerikane; takime me gazetarë, deklarata publike, artikuj, intervista dhe debate në shtyp, radio dhe televizion (FOX News, CNN, ABC, PBS, CSPAN, NY Times, NY Post, Washington Times e shumë tjera); organizim të vizitave të gati të gjithë liderëve dhe personaliteteve të njohura nga të gjitha trojet tona në SHBA (Rugova, Berisha, Demaci, Arbnori, Buxhovi, Qosja, Ramajli, Bukoshi, Xhaferi, Sulejmani, Haradinaj, Sopi, Gjergji, Rexhepi, Gjini, Stavileci, Mustafa dhe shumë të tjerë), si dhe të delegacioneve të Ligës , shumë herë bashkë me senatorë, kongresistë dhe përfaqësues të rëndësishëm të jetës amerikane, kudo në trojet tona sipas nevojës për përkrahje.

Duhet veçuar takimi i Presidentit Rugova me Presidentin Clinton, i organizuar nga Gilman dhe DioGuardi. Ky takim, edhepse i shkurtër, ia dridhi themelet Sërbisë. Dëshiroj të nënvizoi edhe faktin se Liga ishte e para, që me deklaratë publike i dha përkrahje të parezervë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në SHBA. Pra, meritat historike të Ligës, themeluesit te saj, Joseph J. DioGuardit, këshilltares për çështjë ballkanike Shirley Cloyes DioGuardi, Bordit ekzekutiv dhe të anëtarësisë së gjërë janë të jashtëzakonshme. Aftësia komunikuese dhe depërtuese e Joe’s e përforcuar me aftësitë për analizë, organizim dhe parashtrim të cështjeve të Shirley’t jan të pashembullta.

Do të veçoja dy momente të paharrueshme nga paraqitjet e Joe’s dhe Shirley’t. Në konfrontim me kongresisten serbo-amerikane Helen Delic-Bentley, në dëshminë e mbajtur në prill të vitit 1990, Joe ia mbylli gojën asaj duke i thënë disa herë: “Unë nuk jam lobist i paguar, unë jam shqiptar etnik”. Ndërsa, në dëshminë tjetër të mbajtur në mars të vitit 1998, Shirley e kundërshtoi hapur ambasadorin Gelbard , i cili më parë kishte deklaruar gabimisht se UÇK ishte organizatë terroriste duke i thënë: “ Jo, zoti ambasador, e keni gabim, nuk mund të jenë terroristë ata që i mbrojnë shtëpitë dhe familjet e veta, nëse UÇK është terroriste atëherë edhe unë bashkë me 400 mijë shqiptaro-amerikanë jemi terroristë”. Shto këtu kualitetin e Bordit Ekzekutiv dhe të shumë përkrahësve të Ligës nga gati të gjitha trojet tona, nga gati të gjitha besimet fetare dhe nga shumë lami të jetës.

Është për t’u habitur përpjekja e disa liderëve politikë nga vendet tona dhe përkrahësve të tyre atje dhe në diasporë, disa prej tyre edhe shokë të mi, për ta nënçmuar dhe njollosur personalitetin e Joe DioGuardit dhe punën e tij kolosale në të mirë të çështjes shqiptare. Marrja me të tjerët që në mënyrë të vet i shërbejnë kombit, jo vetëm që është humbje e panevojshme kohe, por është edhe gabim trashanik që i dëmton rëndë interesat tona kombëtare.

DioGuardi, së bashku me kolegun e tij të shquar, nga Kongresi Amerikan, Tom Lantos, ishin të parët që u interesuan për fatin e hebrejve në Shqipëri dhe promovuan aktin e madh të shpëtimit të tyre nga shqiptarët. Familja juaj ka dhënë një kontribut të veçantë në këtë drejtim, duke ndihmuar në mbrojtjen, shpëtimin e hebrejve. A mund të na tregoni se si ndodhi kjo?

Vizita historike e DioGuardit dhe të madhit Tom Lantos, në Kosovë dhe Shqipëri në Maj të vitit 1990, përvec avancimit të çështjes së Kosovës, solli edhe një fitore tjetër të madhe për kombin shqiptar. Ata u takuan me udhëheqësin komunist të Shqipërisë Ramiz Alia për ta bindur atë që ta mundësojë demokratizimin e Shqipërisë në mënyrë paqësore. Gjatë bisedimeve, kur ai e kuptoi se Tom Latos ishte hebre, për ta impresionuar, ai solli dosjen plotë me dokumentacion origjinal që dëshmonte për shpëtimin e të gjithë hebrejve që ndodheshin apo erdhen nga vendet e tjera në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ky akt madhor, nën kujdesin e DioGuardit , u autentifikua nga Yad Vashem në Izrael, u shëndrrue në libër nga Harvey Sarner, mori famë dhe ndihmon edhe sot në afirmimin e vlerave tona kombëtare.

Babai i im, Arif Aliçkaj, i cili, gjatë vitit 1943, kryente detyrën e Sekretarit të komunës se Deçanit, ndihmoi në shpëtimin e familjeve hebreje që iknin nga gjermanët për të shpëtuar jetën. Miku i tij Arsllan Rezniqi (i nderuar zyrtarisht nga Yad Vashem) i cili merrej me tregti dhe kishte shitore në Deçan, i sjellte hebrejtë nga vendet tjera për t’i kaluar në Shqipëri. Babai im siguronte për ta dokumente udhëtimi falso me emra boshnjakë muslimanë, për t’i shpëtuar, në rast kontrolli, nga gjermanët. Ata e organizonin strehimin e tyre të përkohshëm te familjet shqiptare në fshatrat rreth kufirit dhe pikë bashkimi e kishin Sharrën e Roshkodolit. Shumë shqiptarë tjerë nga të gjitha teritoret tona, emrat e të cilëve ndoshta nuk do të dihen kurrë, morën pjesë në shpëtimin e hebrejve. Ishte ky një veprim human dhe madhështor i mbarë kombit shqiptarë, bazuar në besën shqiptare dhe traditen pozitive shekullore për ta mbrojtur mysafirin në rrezik, pa dallim feje, race apo kombi.

Ju keni një histori interesante me Henry Kissinger, në seancën dëgjimore, në Kongres, ku ai ishte ndër dëshmitarët që folën para Kongresit Amerikan. A mund të na e tregoni edhe një herë për lexuesit tanë, çfarë ndodhi mes jush dhe ish-Sekretarit të njohur Amerikan të Shtetit?

Në dëgjimin që u mbajt në Komitetin për Marëdhënje Ndërkombëtare të Kongresit Amerikan, në mars të vitit 1999, përvec senatorit Dole, ambasadores Kirkpatrick dhe Dr. Kissinger foli edhe përfaqësuesja e Ligës, zonja Shirley Cloyes DioGuardi. Ajo e parashtroi me shumë sukses cështjen e Kosovës dhe nevojën për bombardime të NATO-s për ta ndaluar terrorizmin Serb. Vetëm Dr. Kissinger ishte kundër intervenimit.

Duke folur me Dr. Kissinger, gjatë pushimit të seancës në Kongresin Amerikan

Në pushim, në mes të dy seancave, u afrova te ai dhe duke ia dhënë librin për shpëtimin e hebrejve në Shqipëri “Rescue in Albania”, i thashë: “Dr. Kissinger, më lejoni që t’ju jap një libër, që tregon për shpëtimin e hebrejve në Shqipëri, gjatë Holokaustit, tregon për shpirtin e madh të popullit shqiptar. Ky popull sot, është duke përjetuar situatë të ngjajshme dhe ka nevojë për ndihmën tuaj”.

Ai e shikoi titullin me shumë interes, e bashkoi me dokumentet që kishte dhe më premtoi se do ta lexonte. Unë besoj se ky libër ndikoi që ai në paraqitjet e tij të mëvonshme të dalë me qëndrim të ndryshuar. Ky është shembull i një veprimi të thjeshtë, shumë të lehtë, i cili kur bëhet me zemër dhe qëllim të mirë, mund të rezultojë në një vlerë të madhe.

20 vjet pas çlirimit, si e shihni Kosovën sot, për nga aq informacion që keni? Çfarë po ecën nuk po ecën aty?

Për ne mërgimtarët gjëja më e rëndësishme është liria, mundësia për ta vizituar vendlindjen pa frikë dhe pa pengesa. Thuhet se është lehtë ta kritikojsh nga larg tjetrin që është duke punuar. Mirëpo, kritikat parimore me qëllim të mirë janë të nevojshme dhe duhet të jenë të mirëpritura. Ka arritje në planin e brendshëm, ndërtimi i rrugëve dhe infrastrukturës së vendit, aeroportit dhe të arritura në energjetikë, tregëti dhe ekonomi të vogël. Por, është dëshpruese që, edhe pas 20 vjet lirie, nuk arrijtëm ta bëjmë Kosovën shtet të mirëfillëtë, sovran dhe të pavarur.

Shpresuam se pas çlirimit, pas më shumë se 100 vjet robërie, vullneti do të jetë aq i fortë saqë Kosova do të bëhej “Zvicër e vogël”.

Nuk mund të arsyetohet niveli i korrupsionit, interesave personale dhe klanore të klasës politike të Kosovës. Ata merren më shumë me njëri tjetrin se sa me armikun . Nuk kanë qëndrim unik për çështjet vitale të politkës së jashtëme, gjë shumë e dëmëshme për interesat strategjike kombëtare.

Serbia është duke punuar me të madhe dhe pa u ndalur për ta penguar, destabilizuar dhe shkatërruar Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar. Populli shqiptar i Kosovës është bërë indiferent, opozita është e përçarë dhe e dobët, ndërsa diaspora me ndihmat e veta po e mundëson vazhdimin e kësaj amullie të përgjthshme.

Në një shtet ku funksionon demokracia, si në SHBA dhe vendet tjera demokratike, populli me votën e vet bën ndryshime të nevojshme. Nëse nuk ka ndryshime në udhëheqjen politike, nuk ka as progres të vendit. Klasa politike “rehatohet në kolltuqe”, e bind veten se është duke punuar mirë dhe se është “e pazëvendësueshme”. Nuk e sheh realitetin derisa nuk ndodhë ndonjë gjë e madhe.

Ju jeni shprehur me forcë në një shkrim në Illyria, kushtuar pavarësisë, kundër një marrëveshje me Serbinë për shkëmbim territori. Po duket se SHBA e ka inkurajuar këtë zgjidhje, madje po kërkohet me ngulm edhe heqja e taksës së qeverisë Haradinaj për mallrat serbe. Kush është këshilla juaj për udhëheqjen e Kosovës në këtë situatë?

Me forcë të mëndjes, me ndërgjegje të pastër, me gjithë zemër dhe pa kurrëfarë dileme, jam kundër cfarëdo marrëveshje me Serbinë për shkëmbim territori si dhe kundër heqjes së taksës për mallrat serbe. Argumentet dhe këshillat janë të shumta:

– Kosova, me kufijtë ekzistues ishte njësi federale e ish-Jugosllavisë, ka funksionuar si e tillë për një kohë të gjatë, u pranua me marrëveshjen e Kumanovës dhe me planin e Ahtisarit. Çfarëdo ndryshimi i kufijve do të shënonte zhdukjen e Kosovës si shtet dhe humbjen më të madhe të kombit shqiptarë gjatë gjithë historisë së tij.

– Për sa jam i informuar, gjatë gjithë historisë dhe sidomos në 20 vitet e fundit, Kosova nuk fitoi asgjë qenësore nga bisedimet me Serbinë. Gjithmonë kemi humbur dhe na mashtruan keq komunistët serbë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Plani i Ahtisarit përbën në vete maksimumin e lëshimeve të mundshme të popullit shqiptar të Kosovës per të fituar pavarësinë e mangët. Me bisedime të mëtutjeshme, kjo pavarësi u cungua edhe më shumë, pa kurrëfarë nevoje. Pakica serbe në Kosovë nuk është e shtypur dhe e persekutuar. Përkundrazi, ajo ka të drejta, por edhe privilegje më shumë se çdo pakicë tjeter kombëtare në botë. Çështja e të drejtave të serbëve të Kosovës, në çdo rast dhe në çdo takim duhet të ndërlidhet me të drejtat e shqiptarëve që jetojmë në tokat e veta në Kosovën Lindore. Nuk ka kurrëfarë baze që serbët në Kosovë të kenë më shumë të drejta se shqiptarët në Serbi. Për më shumë, kërkesat e minoritetit serb për ndarje nuk kanë kurrëfarë baze humane dhe as ligjore, ndërsa kërkesat e Sërbisë janë ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Republikës së Kosovës. Nga kjo rrjedh qartë se pala kosovare nuk ka nevojë dhe nuk duhet të pranojë të bisedojë me Serbinë për çështje të brendëshme te Kosovës. Për çfarëdo problemi të brëndshëm mundet dhe duhet të bisdohet vetëm me përfaqëusesit e minoritetit serb të Kosovës, natyrisht me ndërmjetësim të SHBA-ve dhe shteteve demokratike të Evropes, kurrsesi të Rusisë dhe shteteve tjera armike.

– Me viktima të shumta, vuajtje dhe sakrifica të mëdha e të pafund, me rezistencë paqësore dhe të armatosur, me angazhim gjithëkombëtarë në të gjitha trojet tona dhe në diasporë, sidomos në Washington, populli shqiptarë i Kosovës e fitoi lirinë, ndërsa mbarë kombi shqiptarë e fitoi luftën përfundimtare kundër agresorit serb. Kjo u bë e mundur me ndihmën e SHBA-ve dhe të shumë vendeve tjera anëtare të NATO-s. Nuk ishte asgjë e re në historinë e fitoreve të lirisë së popujve të vegjël të botës. Të pakta janë ato kombe që e kanë fituar lirinë vetëm me forcat e veta. Edhe mbretëria e Napolit u desh të ndihmohet nga ushtria shqiptare e Skënderbeut në luftë me francezët. Falë ndihmës së Amerikës, kombi shqiptarë shpëtoi disa herë nga shkatërrimi i plotë. Ne e duam dhe duhet ta respektojmë këtë shtet të madh, të drejtë dhe vërtetë demokratik. Por duhet ta kemi të qartë se ne nuk jemi borxh deri në atë masë sa të heqim dorë nga liria, sovraniteti dhe interesat jetike gjithëkombëtare. Në të vërtetë, as Amerika nuk e kërkon dhe nuk e pret këtë gjë nga ne. Me bombardimet e NATO-s të vitit 1999, Kosova dhe mbarë kombi shqiptarë kanë hyrë në interesat strategjike të Amerikës. Me forcimin e elementit shqiptarë Rusisë dhe Sërbisë iu ndalet turri dhe përpjekja për dominim në juglindje të Evropës.

– Këtu duhet të kemi shumë kujdes, Amerika ka shumë probleme më të mëdha në botë se sa çështjen e Kosovës dhe të kombit shqiptarë. Nuk ka kohë të merret me neve në pafundësi. Ne duhet të punojmë shumë dhe ta ndërtojmë vet shtetin tonë.

Edhe përkundër qëndrimeve të paqarta të disa zyrtarëve të përkoshëm amerikanë, nëse ne jemi të organizuar dhe paraqesim argumente të forta, përkrahja e Amerikës nuk do të mungojë.

– Ne jemi pjesë e Evropës dhe është e qartë se problemi midis shqiptarëve dhe serbëve duhet të zgjidhet brenda Evropës. Disa shtete të Evropës morën pjesë në bombardimin e Sërbisë dhe e përkrahën fitoren e Kosovës. Me këtë veprim Evropa e përmirësoi gabimin që e kishte bërë më shumë se 100 vjet më parë, kur e zyrtarizoi copëtimin e tokave shqiptare. Ne duhet të bashkëpunojmë me Evropën por nuk ka arsye për të bërë lëshime në interesat strategjike kombëtare për t’ia bërë qejfin. Të mësuar nga historia e hidhur, nuk mund të kemi besim të plotë në drejtësinë e Evropës. Asgjë nuk mund të bëhet dhe nuk bën të pranohet pa pjesëmarrjen e plotë të Amerikës.

– Serbia ishte dhe vazhdon të jetë e sëmura e Ballkanit. Ende jeton në të kaluarën, me aspirata për dominim dhe plaçkitje të territoreve të fqinjëve, e ngulfatur nga shovinizëmi dhe urrejtja e thellë ndaj shqiptarëve dhe popujve tjerë të ish Jugosllavisë. Ajo ishte agresore, shkaktare e katër luftave të tmerrshme në Ballkan dhe ushtroi gjenocid sistematik dhe të organizuar kundër popullit boshnjak dhe shqiptar. Udhëheqësit e tashëm serb, kinse të zgjedhur në mënyrë demokratike, janë po ata të kohës së kriminelit Millosheviq. Ata nuk kanë ndryshuar fare në qëndrimet dhe synimet e tyre, vetëm kan ndryshuar metodat e veprimit. Sjelljet destruktive dhe përzierja e Serbisë në punët e brendhsme dhe të jashtëme me qëllim të shkatërrimit të Republikës së Kosovës, janë të qarta dhe të hapta. Populli thotë: “Ujku qimen e ndërron por hujin nuk e harron”. Po të kishin nryshuar sado pak, minimumi do të ishte të kërkonin falje për krimet e tyre monstruoze. Diagnoza për Serbinë është e qartë. Duhet përshtatur terapia për shërim. Kjo nuk arrihet me ledhatime, lëshime të mëtutjeshëme dhe bisedime të kota. Edhe nëse jua falim Prishtinën ata do ta kërkojnë Tiranën. Pra, problemi nuk është në Kosovë, ai është në Serbi dhe vetëm aty mund të zgjidhet.

– Këtë duhet bërë të qartë Evropës dhe Amerikës. Serbia, në vitin 1999 e humbi luftën. Si agresore dhe humbëse e luftës, ajo nuk duhet lejuar, që pa u ndëshkuar, të bëhet partnere e barabartë në bisedime. Nuk duhet lejuar që agresori të barazohet me viktimën. Serbët janë gënjeshtarë dhe manipulues të perfeksionuar. E luajnë me shumë sukses rolin e “viktimës”. Është gjë e njohur se në të kaluarën, ata kanë qenë në gjëndje t’i vrasin edhe fëmijët e tyre me qëllim të fajësimit dhe ndëshkimit të shqiptarëve. Kosova duhet t’i luftojë këto tendenca serbe me çdo kusht, në cdo rast dhe në të gjitha mënyrat, duke i paraqitur faktet e vërteta për krimet serbe.

– Sanksionet ekonomike të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë shumë të qëlluara dhe paraqesin hapin e parë pozitiv në zgjidhjen e drejtë të problemit të Kosovës me Serbinë. Ato nuk duhet të hiqen dhe as të suspendohen. Përkundrazi, ato duhet të forcohen dhe të shtohen. Duhet insistuar që edhe Shqipëria, të gjithë shqiptarët dhe shtetet mike të Kosovës të bëjnë të njëjten gjë. Duhet konsideruar edhe mënyra tjera të presionit. Nëse dëshiron ta zgjidhë problemin e Sërbisë në mënyrë të përhershëme, bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë të njëjtën gjë. Serbia e njeh vetëm gjuhën e forcës dhe të presionit të mirëfilltë ndërkombëtarë.

– Kosova duhet t’ua bëjë të ditur SHBA-ve dhe Evropës se nuk ka për çfarë të bisedohet më Serbinë , përderisa ajo, si humbëse e luftës, nuk i pranon fajet e të kaluarës dhe nuk kërkon falje, përderisa nuk ua kthen familjeve shqiptare fëmijët e tyre të zhdukur, përderisa nuk i paguan reparacionet e luftës dhe përderisa nuk është e gatëshme për ta njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës në kufijtë ekzistues.

Çfarë kuptimi kanë bisedimet me Sërbinë, kur ajo në mënyrë arrogante dhe të hapur thotë se është e gatëshme të bisedojë me shqiptarët, por nuk do ta njeh kurrë pavarësinë e Kosovës?!

Ata që mendojnë se do të fitojnë dicka nga bisedimet për shkëmbim teritoresh me Sërbinë do të befasohen dhe zhgënjehen rëndë në vetveten. Edhe nëse firmosë ndonjë marrëveshje, Serbia e gjen mënyrën për të mos e realizuar kurrë. Me bisedime, Serbët do ta fitojnë veriun e Kosovës ndërsa shqiptarët sic thotë populli “do ta fitojnë faqën e zezë dhe marrën e tepër”. Teritori i shkelur nga ushtari serb mund të merret në kontroll vetëm me luftë, kurrë me bisedime. Kurrën e kurrës.

Nuk dëshiroj të pretendoj se këto janë gjëra të lehta. Por e drejta, e vërteta dhe të gjitha faktet janë në anën tonë. Duhet punë e madhe, pa u ndalur dhe me përkushëtim, angazhim dhe veprim unik i të gjitha forcave politike të Kosovës e më gjërë, mobilizim i përgjithëshëm i popullit shqiptarë në vendlindje dhe diasporë për ta arritur qëllimin.

Thuhet se puna e shqiptarëve në Washington ka rënë shumë që prej pavarësimit të Kosovës, po problemet nuk kanë mbaruar. Çfarë na mësojnë vitet e 90-ta për epokën tonë? Çfarë duhet të bëjë komuniteti shqiptar i ditëve tona?

Është e vërtetë se, pas fitimit të luftës dhe sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, veprimi lobist i shqipëtarëve në Washington ka rënë në mënyrë të dukëshme, edhepse problemet nuk kanë mbaruar dhe çështja shqiptarë nuk është zgjidhë ende në mënyrë të drejtë. Nga ana tjetër, është shtuar shumë aktitviteti i lobit serb kundër interesave shqiptare, ata mësuan nga ne si duhet të veprohet. Është e pakuptueshme, e çuditëshme dhe e frikëshme indiferenca e popullit shqiptarë në trojet tona e cila e ka kapluar edhe diasporën. Mungojnë shumë donacionet dhe përkrahja financiare, pa të cilat veprimi lobist është i pamundur. Ky trend negativ duhet ndërprerë dhe ndyshuar urgjentisht. Ne e kemi të gatëshme formulën për mënyren e veprimit të viteve të 90-ta. Ata që e çmojnë dhe respektojnë punën e lobit të parë të regjistruar dhe tashti të vetëm në Washington, pra Ligën Qytetare Shqiptaro-Ameikane të udhëhequr nga Joseph J. DioHuardi dhe Shirley Cloyes-Dioguardi duhet të angazhohen në këtë Ligë. Joe, Shirley dhe Bordi Ekzekutiv i Ligës kanë dije, forcë dhe aftësi veprimi me mjete financiare minimale, ndoshta me 20% të mjeteve që do të duheshin për angazhim të ndonjë firme tjetër lobiste. Ata individë dhe subjekte , të cilët nuk e gjejnë veten në Ligë, kanë mundësi që të veprojnë vetë, në mënyrë të drejtpërdrejtë duke e përkrahur ndonjë senator, kongresist apo zyrtarë të lartë amerikan. Le të bëjë secili punën e vet në të mirë të kombit, por mos të merremi dhe mos ta pengojmë njëri tjetrin. Puna e mirë nuk mbetet pa u shpërblyer.

Ju vetë, keni realizuar ëndrrën amerikane, jeni një udhëheqës i nderuar në komunitet dhe një biznesmen i suksesshëm. Amerika është bërë një atdhe i dytë për shqiptarët. Po shqiptarët kanë ardhur këtu nga fatkeqësitë kombëtare, sot kur shumë të rinj në Kosovë, Shqipëri e trojet shqiptare duan të emigrojnë, cila duhet të jetë përgjigjia? Duhet të qendrojnë e të ndryshojnë atdheun, apo të përfitojnë nga mosha e re dhe mundësitë e të vendosen diku tjetër ashtu si dikur shumë prej nesh këtu në SHBA?

Amerika është vend i bekuar, vend i premtuar dhe vend i krijimit të mundësive të pakufishme. Me qindra-mijëra shqiptarë si unë, janë duke e përjetuar dhe realizuar ëndërrën amerikane. Këtu të mundësohet ta kultivojsh pa frikë dhe pa rezervë identitetin tënd nacional, por me kalimin e kohës, gjeneratat e reja fillojnë të asimilohen. Edhepse është larg, këtu e ndien veten si në vendin tënd. Mos të harrojmë, nuk është punë e lehtë për ta braktisur vendlindjen. Unë për vete, me dekada kam besuar se do të jem këtu përkohësisht. E mbaj mend, në një tubim në Kongresin Amerikan, para shpaljes së pavarësisë së Kosovës, kur më erdhi rendi të prezantohem shpërthyen të qeshurat nga të pranishmit kurë unë pa dashje thashë: Jam Agim Alickaj nga Deçani i Kosovës, me qëndrim të përkohshëm në SHBA për më shumë se17 vite.

Puna ime për tri dekada në të mirë të cështjes kombëtare, u bë e mundur duke iu falënderuar familjes time të shtrënjtë, gruas Sadetes, djalit Betimit dhe vajzave Dafinës, Dianës dhe Anitës.

Emigrimi i shqiptarëve në Evropë e sidomos në Amerikë, edhepse i dhimbëshëm, ka qenë i nevojshëm dhe shumë I dobishëm për ekzistencën tonë kombëtare. Pa ndihmën e mërgatës shqiptare, Kosova do të detyrohej të dorëzohej te Serbia qyshë në vitet e 80-ta. Pa i përseritur veprimet tjera në të mirë të cështjes kombëtare, shtrohet pyetja: Çfarë do të mund të bënin shqiptarët po të mos kishin mundësi t’i mbajnë fëmijët me bukë?

Frigohem se tashti, jemi duke kaluar në një shpërngulje ekstreme, të pakontrolluar dhe shumë të rrezikëshme për kombin shqiptarë. Paperspektiva në Kosovë dhe në trojet tjera, po i detyron të rinjtë shqiptarë të kërkojnë shpëtim në mërgim. Kjo ka të bëjë në mënyrë direkte me funksionimin e dobët të shteteve tona. Shpresoj se pjesa më e madhe e rinisë shqiptare do të bëjë përpjekje të jashtëzakonshme për të qëndruar në atëdhe dhe për tu angazhuar në mënyrë demokratike në arritjen e ndryshimeve të nevojshëme. Nuk di sa ështe reale, por ne duhet të jemi optimist se një gjë e tillë do të ndodhë. Përveç udhëheqjes politike të vendeve tona, këtu kanë faj edhe shtetet demokratike perëndimore, të cilat po e ledhatojnë Sërbinë, po e mbajnë një “status quo” duke i lënë shqiptarët në “ghetto” dhe pozitë të pashpresë. Nukë e kanë të qartë se, nëse vazhdohet kështu, mund të ndodhë një shpërthim i madh i cili, jo vetëm që do ta destabilizojë Ballkanin por edhe mbarë Evropën. Shqetëson shumë edhe zbehja apo humbja e traditës dhe vlerave pozitive kombëtare si ndershmëria, sinqeriteti, besa, burrëria, morali i lartë, respekti për gratë dhe fëmijët, si dhe përkushtimi ndaj familjes. Pa familje të forta, nuk mund të keshë as shtet të fortë.

Në përfundim, dëshiroj ta them shkurt e trup atë që e dijmë të gjithë ne. Liria është më e shtrenjtë se jeta. Për të u sakrifikuan dhe dhanë jetën mijëra dëshmorë dhe heronj shqiptarë. Nuk bën të shkelet mbi gjakun e tyre. E fituam luftën, është gabim i pafalshëm dhe mëkat I rëndë ta humbim paqën. Le ta dijë e gjithë bota. Nuk mund të bëhet kompromis me lirinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

(Fotografitë janë nga arkivi i veprimtarit të njohur shqiptaro-amerikan, Magjistër, Agim Alickaj).