Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike: Çernobili të mos preket në asnjë mënyrë

Vjenë, 24 shkurt 2022 – Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ka bërë thirrje për “përmbajtje maksimale” për të mbrojtur objektet bërthamore në Ukrainë. Ajo ka reaguar pas lajmeve rreth Çernobilit, i cili u mor nga forcat ruse.

Organizata globale, e cila promovon përdorimin paqësor të energjisë bërthamore, thotë se po e ndjek situatën në Ukrainë me “shqetësim të madh”.

IAEA thotë se është informuar nga homologu i saj ukrainas se forcat ruse kanë marrë kontrollin e ish-objektit bërthamor. Deri më tani nuk janë raportuar viktima apo shkatërrime.

Drejtori i përgjithshëm, Mariano Grossi, tha se është me “rëndësi jetike” që objektet bërthamore në zonën e izoluar të Çernobilit “të mos preken në asnjë mënyrë”, transmeton BBC.

Çernobili është i vendosur në veri të Kievit pranë kufirit me Bjellorusinë. Aty ndodhi edhe shpërthimi bërthamor më shkatërrues në histori, ai i vitit 1986, kur shpërtheu një nga katër reaktorët e tij.

Reaktori i dëmtuar tani është izoluar me një “strukturë” prej çeliku, kurse sipërfaqja prej më shumë se 4 mijë kilometrash katrorë rreth objektit është braktisur.

(Panorama.al)

Comment

*