Agjentët turq e arrestojnë dhe e riatdhesojnë nipin e Gulenit

Ankara, 31maj 2021 – Agjentët e Organizatës Kombëtare të Inteligjencës së Turqisë kanë ndërmarrë një aksion në të cilin kanë arrestuar dhe riatdhesuar nipin e Fethullah Gulen, kundërshtarit të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu, njoftoi se Selahaddin Gulen u soll në Turqi nga agjentët e inteligjencës turke.

Por, në njoftim nuk bëhet e ditur se në cilin vend është arrestuar ai.

Agjencia publikoi një fotografi të të dyshuarit me pranga në duar. Anash tij shihen dy flamuj të Turqisë. Raportet nuk ofruan informacione nëse operacioni i agjentëve të inteligjencës ishte bërë në marrëveshje me vendin ku është arrestuar nipi i Gulenit.

Selahaddin Gulen akuzohet se i përket “organizatës terroriste FETO”, përshkrimi i përdorur nga Ankaraja për lëvizjen e Fethullah Gulen.

Gulen, i cili jeton në Pensillvani të SHBA-së, këmbëngul se udhëheq një rrjet paqësor të bamirësive dhe kompanive dhe mohon çdo lidhje me përpjekjen për grusht shteti më 2016.

Erdogan dhe Gulen dikur kanë qenë aleatë. Por, tani Erdogan e cilëson si udhëheqës të një grupi “terrorist” që synon ta rrëzojë qeverinë turke. Ai e akuzon Gulenin për organizimin e tentim grusht-shtetit të vitit 2016.

Prej atëherë, Turqia ka riatdhesuar dhjetëra shtetas turq të akuzuar si pjesëtarë të rrjetit të Gulenit, veçanërisht në Ballkan dhe në Afrikë.

Rrëmbimi i gjashtë shtetasve turq në Kosovë nga agjentët turq, më 2018 nxiti një krizë politike në Kosovë, duke çuar në shkarkimin e ministrit të Brendshëm dhe të drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

(r.m.) 

Comment

*