“Agrokosova Holding” rikthehet nën administrim të AKP-së

Prishtinë, 3 shkurt 2022 – Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), të enjten, më 3 shkurt 2022, e ka zbatuar vendimin për tërheqjen e aksioneve të blerësit të ndërmarrjes së re “Agrokosova Holding” (ish-ndërmarrjes shoqërore “NBI Suhareka”) dhe për vendosjen nën administrim të drejtpërdrejtë të saj.

AKP e merr në menaxhim ndërrmarrjen AgroKosova Holding, pronari: Na dëbuan  dhunshëm - Kosova.live

Ndërmarrja e Re  “Agrokosova Holding”, një ndër ndërmarrjet më të mëdha bujqësore e industriale, ishte privatizuar më 27 gusht 2007 nga blerësit “Gruppo Vinicolo Fantinel” dhe “QMI”, përmes metodës së “spin off”-it special, për 4,175,999.00 euro.

Sipas spin-off-it special, blerësi nuk ka të drejtë të ndryshojë veprimtarinë e ndërmarrjes, duhet të bëjë investime të reja dhe të punësojë një numër të caktuar të punëtorëve.

Sipas Marrëveshjes së Zotimeve, blerësi ishte zotuar se gjatë periudhës dyvjeçare do t’i investonte 8.6 milionë euro. Por, blerësi e ka përmbushur vetëm 24.67 për qind zotimin për punësim, gjatë periudhës së zotimeve 2007-2017.

Auditorët e jashtëm kanë gjetur se për dhjetë vjet janë punësuar 759 punëtorë, ndërsa blerësi, sipas kontratës, duhet t’i punësonte 3.075 punëtorë.

Blerësi e ka shkelur kontratën edhe lidhur me zotimet i investimeve. Ai i ka përmbushur vetëm 85.79 për qind të investimeve të zotuara.

Për këto arsye, Bordi i Drejtorëve të AKP-së, më 31 janar, mori vendim për tërheqjen e aksioneve dhe për vendosjen e ndërmarrjes nën administrim të drejtpërdrejtë.

AKP-ja u ka bërë thirrje të gjithë punëtorëve që janë në marrëdhënie pune në ndërmarrjen e re “Agrokosova Holding” ta vazhdojnë punën dhe të mos largohen nga vendet e tyre të punës.

Po ashtu, u ka bërë thirrhe fermerëve që kanë marrëdhënie kontraktuale me “Agrokosova Holding” që ta vazhdojnë punën.

Si punëtorët ashtu edhe fermerët do të lidhin marrëdhënie pune me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Ndërmarrje e Re “Agrokosova Holding” ka në pronësi vreshta dhe bodrunin e verës në Suharekë.

AgroKosova obligohet t'i kthej paratë nga shpronësimi i pronave - Media  Ndertimi

Zbatimi i vendimit të AKP-së për tërheqjen e aksioneve të blerësit të ndërmarrjes dhe marrjen e ndërmarrjes në administrim të saj është bërë me mbështetjen e policisë, për shkak se blerësi ka refuzuar të dorëzojë zyrat dhe asetet e ndërmarrjes në mënyrë vullnetare, me arsyetim se vendimi i AKP-së është i paligjshëm.

“Vendimet e AKP-së nuk janë urdhër për neve, janë të jashtëligjshme dhe ne kemi thënë se vullnetarisht nuk e lirojmë objektin”, ka thënë drejtori i ndërmarrjes, Aziz Tafaj.

Ai ka thënë se janë detyruar me dhunë ta lëshojnë objektin e ndërmarrjes.

Avokatja e ndërmarrjes, Shpresa Berisha – Rexhepi, ka deklaruar se në asnjë vendim të AKP-së nuk thuhet se vendimi do të ekzekutohet me dhunë.

“Nuk ka pasë lirim me vullnetin tonë të lirë, pasi në asnjë vendim të AKP-së nuk shënohet nxjerrja me dhunë. Sot policia në mënyrë të kundërligjshme, duke asistuar, e kanë ekzekutuar një vendim i cili nuk është i ekzekutueshëm”, ka thënë ajo.

(r.m.)